Ujësjellësi moskokëçarës ndaj konsumatorit

    401
    Sigal

    Alarm/Shoqata e Konsumatorit Shqiptar tregon hartën e zonave që vuajnë mungesën e ujit

    Situata bëhet alarmante në Tiranë. Pothuaj të gjitha lagjet janë prekur nga mungesa e ujit. Shoqata e konsumatorit shqiptar ngre alarmin për këtë situatë dramatike të krijuar nga ndërmarrja e Ujësjellësit. Qindra mijëra ankesa janë paraqitur nga konsumatorët këto ditë të nxehta vere. Kështu sipas dr. Islam Canit, kryetar i SHKSH-së, më problematike shfaqet situata në Yzberisht, kur edhe në rastin më të mirë nëse uji vjen, banorët mund t’i gëzohen atij vetëm 15 minuta në ditë, të pamjaftueshme këto për të kryer nevojat më jetike të njeriut. E njëjta gjë ndodh edhe në Selitë. Ndërsa vazhdojnë të jenë problematike zonat e Kamzës, Kodër Kamzës, Paskuqanit, të cilat gjithashtu furnizohen me ujë jo më shumë se 30 minuta në ditë. Ky ujë nuk shërben as për të mbushur një depozitë, e cila do të paktën 2 orë për t’u mbushur dhe të shërbejë si rezervuar për nevojat e përditshme higjeno-sanitare. Ndërsa vetë konsumatorët shprehen se shpeshherë ka indiferenca nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, se disa punonjës të tyre shesin ujë në makinë pasditeve.

    Paskuqan/Ka depo, por s’ka tubacione

    Në Paskuqan ka raste që uji vjen një herë në 2-3 ditë, ndonëse atje janë 2 depot  e filtrimit të ujit. Për çudi depot i kanë në territorin e tyre, por nuk kanë shtrirjen e tubacionit.

    Kombinati dhe zona e Yzberishtit/Ujësjellësi mashtron, banorët furnizohen nga puset

    Në Kombinat rreth 60 % e rrjetit të shpërndarjes së ujit, është i amortizuar, se ka më shumë se 50 vjet që janë shtrirë tubacionet, por një tubacion mund t’i rezistojë erozionit jo më shumë se 30 vjet, kështu që këtu problemin e zgjidh vetëm investimi i ri, i cili duhet të ndjekë 2 probleme; së pari të rregullojë rrjetin e vjetër të amortizuar dhe së dyti, për shkak të shtimit të popullsisë, duhet të çojë ujë në banesat e reja shumëkatëshe në Yzberisht. Këtu ka kaq vjet që Ujësjellësi mashtron se merr ujë nga rrjeti i Tiranës, kur në fakt një pjesë e Yzberishtit marrin ujë nga puset që kanë bërë ndërmarrjet e ndërtimeve për punimet. Këto puse janë të pakontrolluara dhe të pasigurta higjienikisht. Kështu thotë konsumatori Xhaferr Disha dhe Fatbardha Gega, koordinatore e SHKSH-së.

    Bregu i Lumit/Faturisti i Ujësjellësit u merr lekë nën dorë banorëve

    Merr 2 orë në drekë dhe në darkë, por ç’ndodh? Këtu vetë banorët kanë bërë shtrirjen e tubacionit vullnetarisht, mirëpo Ujësjellësi bën sikur s’di gjë dhe qytetarët bëjnë sikur nuk shkelin ligjin dhe rregullat. Por kush është ndërmjetësi që i pajton këto të dyja? I pajton një 10 mijë lekësh i vjetër që merr faturisti i Ujësjellësit për çdo familje, i cili nuk ka interes që kjo gjendje të dekonspirohet, pasi i ikin paret nga xhepi. Ndonëse SHKSH ka mbi 3-4 vjet që e ngre këtë problem: që konsumatori të ketë 24 orë në 24 ujë dhe të jetë i sigurt nga ana higjienike nga ana e sigurisë, por nga an tjetër mos të ketë ndërhyrje në tubacione dhe në të njëjtën kohë të paguajë detyrimet që ka ndaj shtetit. Ky zë nuk është dëgjuar dhe ka rënë në vesh të shurdhër megjithëse është denoncuar shpesh në media, si edhe në gazetën “Telegraf”.

    Banorët e Yzberishtit vuajnë mungesën e ujit: Situata është alarmante

    Tre pallate në zonën e Yzberishtit në Tiranë prej disa ditësh vuajnë mungesën e ujit në banesat e tyre. Sipas banorëve shkak për këtë situatë është Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës, pasi ata japin shumë versione për këtë mungesë. Shpesh thonë defektet, e herë thonë mungesa e energjisë. Mungesën e ujit banorët e këtyre pallateve, megjithëse e paguajnë rregullisht, e kanë ndjerë që pas muajit qershor. Deri në atë moment furnizimi i tyre bëhej nga një pus, ndërsa tani që pusi është tharë nga temperaturat e larta, banorët edhe për të larë e blejnë ujin. “S’mbaj mend se sa ditë kemi pa ujë, dy javë pa ujë fare. Le çezma nuk vjen fare njëherë dhe ai ujë që vjen, është i pisët nuk pihet. Turp i botës, në Tiranë të mos kesh ujë. Arsyet nuk i dimë, ne jemi të rregullt e paguajmë. Ujësjellësi thotë, njëherë na vodhën timonin e saraçineskës, jo defekte të tjera, jo pompa. Mbushim me kova, ku të gjejmë. Kemi pasur 5 orë ujë në ditë, por ka tre ditë nuk kemi fare”,- deklarojnë banorët. Të ndodhur përballë kësaj problematike, banorët shpesh mbushin ujë me makinat e tyre në zonat periferike të Tiranës ndërsa nuk mungojnë as makinat me depozita, të cilat duket se me këtë situatë kanë një biznes mjaft fitimprurës.