Ujësjellësi i Elbasanit me borxhe, Ministria e Ekonomisë kërkon t’ja ngec bashkisë

1238
Sigal

Flet prefekti i qarkut, Shefqet Deliallisi: “Ne s’paguajmë faturat e energjisë. I kemi nisur një ankesë Ministrit Ridvan Bode”

Ministria e Ekonomisë që menaxhon Ujësjellësin e Elbasanit i ka kërkuar Bashkisë që të marri në dorëzim këtë të fundit, por ky vendim ka sjell reagimin negativ të kryebashkiakut Qazim Sejdini. Kreu i Bashkisë së Elbasanit nuk e ka pranuar marrjen e menaxhimit, pasi sipas tij Ujësjellësi ka 10 milionë lekë të vjetra fatura të energjisë elektrike pa paguar. Z. Sejdini i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë të shlyejë detyrimet dhe më pas të bëhet kalimi i administrimit nga njësia vendore.

Kërkesa

Vendim absurd për të bërë kalimin e Ujësjellësit “Elber”, ka vënë në vështirësi Bashkinë Elbasan. Bashkia nuk ka asnjë lidhje administrimi apo menaxhimi me Ujësjellësin, por përveç kësaj duhet të paguajë faturën e energjisë elektrike të kësaj ndërmarrje që është 10 milionë lekë të vjetra. Elbasani ka një veçori ndryshe nga bashkitë e tjera, pasi në rastin kur njësive vendore iu ka kaluar administrimi i ujësjellsave, me rastin e “Elber”-it, është vepruar ndryshe. Duke qenë fillimisht kompani  koncensionare është prishur kontrata me kompaninë gjermane dhe administrimi i ka kaluar Ministrisë së Ekonomisë. Kjo është arsyeja pse Ujësjellësi i Elbasanit i sigluar me emrin “Elber” si një bashkëpunim Elbasan-Berlin tashmë administrohet nga një përfaqësues i LSI-së në Elbasan. Ky vendim është konsideruar i pa precedent nga Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, i cili i ka nisur menjëherë një shkresë Ministrit të Financave Ridvan Bode mbi këtë fakt.

Reagimi

Ndërsa pritet përgjigja e Financave i pyetur për këtë problem prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi tha se njësitë vendore në një  formë ose në një tjetër i kanë në administrim ujësjellësat, por lidhur me rastin e Bashkisë Elbasan, çdo gjë është ndryshe. Deliasasi tha se reagimi këtij institucioni është i drejtë, pasi administrimi i Ujësjellësit të qytetit nuk është nga njësia vendore. Ai u shpreh se nga ana e institucionit të tij i është përcjellë një shkresë Ministrisë së Financës. Të vetmen mundësi që ka Bashkia Elbasan është për t’i kërkuar “Elber”-it nëpërmjet Këshillit Bashkiak furnizimin me ujë të qytetit.