Ujësjellësi i Ali Pashait jetoi 210 vjet, ai i ministrit zhduket për 5 muaj

    575
    Qytetet Tepelenë e Memaliaj, qenkan të “dënuar” jo nga Zoti por nga tenderët e “turbullt” të bërë prej shtetarëve, që t’i rikthehen përsëri mungesës së ujit. Ka mjaftuar një “rrëke” shiu, rënë dy ditë më parë në këtë rreth dhe… ka “mbytur” ujësjellësin, duke e rrezikuar shkatërrimin e plotë të tij. Këtë lajm trishtues e ka njoftuar publikisht drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve e Rrethit të Tepelenës e cila po përpiqet “të mbajë me ujë të ngrohtë” banorët e zonës, me premtimin se nuk do të “mbeten pa ujë”. Por në fakt, sipas vlerësimit të specialistëve, gjendja është problematike, gjë të cilën e di mirë edhe drejtoria e Ujësjellësit të Tepelenës, por që mundohet ta “pastroj” me deklarime që “nuk pijnë ujë”, mbasi gjithçka duket sheshit. 
    Deklarata e Ujësjellësit Tepelenë dhe ankthi i banorëve 
    Pas dëmtimit të rrjetit të ujësjellësit, drejtuesi i kësaj ndërmarrjeje (shoqëri shtetërore aksionere) zoti Arben Kaçorri, ka dalë e ka dhënë alarmin për situatën e krijuar deri dje dhe për situatën që pritet të krijohet prej mungesës së ndërhyrjes urgjente prej Ministrisë “Haxhinasto”, madje edhe duke i kërkuar “zgjimin nga gjumi”, si ministria që e ka nën juridiksion, trajtim e detyrim aktivitetin normal të këtij shërbimi publik. Ja deklarata e drejtorit Arben Kaçorri: “Është dëmtuar rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm. Rrezikohet furnizimi për qytetet Tepelenën e Memaliaj. Kemi kërkuar ndërhyrje emergjente. I dëmtuar është rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm në dy qytetet, si pasojë e shkarjeve të dheut nga reshjet e shiut. Ministria e Transportit të “zgjohet nga gjumi” dhe të reagoj sa më parë”. Por, ministria ende nuk është “zgjuar nga gjumi”, përveçse bëri një deklaratë me të cilën u bëri thirrje banorëve, që të “mos përhapin panik” e asgjë më tepër! Banorët e Tepelenës e sidomos të Memaliajt, me të drejtë janë në ankth dhe nuk e fshehin këtë panik, mbasi kanë vuajtur shumë vite për “pikën e ujit”, të cilin (mos)ujësjellësi i Tepelenës, që më shumë kishte zyrtarë se rubinta uji, ua çonte me pikatore e me pak minuta në ditë, ndërkohë që u vinte “ujë fekalesh” dhe detyroheshin ta blinin edhe për t’u larë! U duk, sikur këtij tmerri që përjetonin banorët në Tepelenë e Memaliaj me mungesën e ujit të (pa)pijshëm, i erdhi fundi me ndërtimin e ujësjellësit, fillimisht të rrjetit deri në qytetin e Tepelenës e më pas deri në Memaliaj. 
    Specialistët konstatojnë: Ujësjellësi Tepelenë-Memaliaj, nuk ëhstë dnërtuar por është…ç’ndërtuar! 
    Por nuk ishte e thënë, që banorët e zonës Tepelenë-Memaliaj, të shpëtonin nga “kriza e ujit”, mbasi 2 ditë më parë, u njoftuan se një rrëke shiu ua mbyti ujësjellësin, ndërtimin e të cilit e kishin pritur me lutje dhe e kishin “bekuar me 1 milionë urime”! ata që i dinë mirë këto punët e ndërtimit të ujësjellësve, që dinë mirë edhe se si kanë “rrjedhur” e vazhdojnë të “rrjedhin” edhe “punët” e Ujësjellësit të Tepelenës e Memaliajt, thonë se fajin nuk e kishte shiu që rrëshqiti dheun dhe as dheu që dëmtoi ujësjellësin. Sipas të dhënave teknike-fizike të zbatimit të projektit dhe “ekspertimit” fillestar të dëmtimit që ka ndodhur, rezulton se ky ujësjellës që pritet të mos sjell më ujë po nuk u ndërhyrë urgjent për ta rindërtuar nga e para në afro 60% të strukturës së tij, nuk është ndërtuar por rezulton se është… ç’ndërtuar! Çfarë thonë ekspertët e ndërtimit të këtyre lloj e kategori veprave? Çfarë dëshmojnë, ata që kanë projektuar dhe piketuar objektin në terren? Ajo që ka ndodhur me “mbytjen” e Ujësjellësit në Tepelenë, nuk është thjeshtë një “dëmtim për shkaqe natyrore”, por një problem që ka lidhje me cilësinë e punimeve. Të harxhohen miliona euro investim, rrjeti i të cilit (sipas projektit) në afro 70% të tij figuron se ka kaluar në një terren pothuajse shkëmbor dhe të thuhet… se dherat e shkëputur nga rrëketë e shiut kanë dëmtuar rrjetin, kjo është si të thuash, që “lisi u rrëzua, se i hipi në majë një harabel”! Burime nga ekipi që zbatoi projektin e Ujësjellësit të Tepelenës e Memaliajt, konfirmuan dje për gazetën “Telegraf”, se punimet nuk janë bërë në zbatim të projektit të hartuar e financuar, por ka pasur devijime nga projekti si hartë fizike e si elementë të projektit, madje edhe të veprave të artit, që kanë pasur lidhje me bazamentet mbajtëse, përforcuese e garantues për përballimin e presioneve të pritshme e të parashikuara prej presionit dhe rrëshqitjeve të dherave, madje edhe të masiveve të gurëve, ose shembjeve tektonike të bazamenteve. Ky abuzim dhe kjo shmangie nga projekti, thuhet se ka ndodhur në disa pjesë të gjatësisë së rrjetit të këtij ujësjellësi. Këto fakte e argumente specialistësh, të cilat gazeta “Telegraf” i disponon, ka detyrë t’i zbardh krimi ekonomik dhe drejtësia, ndërkohë që qeveria duhet të kërkoj nisjen e një hetimi urgjent për zbatimin e projektit në çdo metër linear të ujësjellësit të dëmuar! Nuk e dimë, nëse kjo do të bëhet, por ajo që dimë ne është fakti se punimet e këtij ujësjellësi janë lejuar e janë pranuar si “të rregullta” nga specialistët dhe zyrtarët e drejtorisë e Këshillit Mbikëqyrës (bordit) të Ujësjellësit Tepelenë, nga (mos)zbatuesit e projektit, nga supervizimi dhe nga shefat e Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellësve në Ministrinë “Haxhinasto”. Kujtojmë, që Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tepelenë, shërben për furnizim me ujë në dy qytetet Tepelenë e Memaliaj. 
    Ujësjellësi Memaliaj i ndërtuar në tetor 2015 me tender pushteti i “Rilindjes”, “jetoi” vetëm 5 muaj
    Jetëgjatësi e Ujësjellësit të Memaliajt, që është pjesë vazhdues e Ujësjellësit të Tepelenës, zgjati vetëm 5 muaj, aq sa zgjati edhe ndërtimi tij me shpejtësi e me… mangësi! Në maj 2015, filluan punimet për ndërtimin e sistemit me vetë-rrjedhje nga depo Nr. 2 e Tepelenës, për në depon e ujit Bashkia Memaliaj dhe pas 5-muajsh vepra përfundoi me sukses. Sasia e furnizimit me ujë , sipas letrave rezulton të jetë mesatarisht 50 l/s në stinën e verës dhe maksimalisht deri në 80 l/s gjatë stinës së dimrit. Burimi i fshatit Bënçë, furnizon gati 100 l/s në stinën e dimrit dhe 70 l/s në stinën e verës, prej të cilit Bashkia e Tepelenës, në stinën e dimrit merr 10-20 l/s dhe në verë 30-40 l/s ndërsa pjesa tjetër shkon për Bashkinë e Memaliajt. Pavarësisht investimit, për shkak të amortizimit të madh të rrjetit të shpërndarjes dhe për shkak se po punohet për vendosjen e matësve të ujit për të gjithë banorët, akoma nuk është siguruar furnizimi me ujë të vazhdueshëm, por vazhdon avazi “ujë me pikatore”. Projekti për Bashkinë e Memaliajt, i hartuar që në vitin 2011, përfshin një vepër të gjatë 7.4 km nga depo e ujit Nr. 2 në Bashkinë e Tepelenë, deri në depot e ujit të Bashkisë së Memaliajt, me një prurje mesatare rreth 40 l/s dhe diferencë në lartësi prej 18.5 m. Bashkia e Memaliajt, bashkë me zonën përreth ka një popullsi prej afërsisht 8000 banorë. Ky qytet më parë furnizohej nga stacioni i pompimit në fshatin Bambull rreth 5 km larg, me anë të dy pompave (220 kë dhe 250 kë), të cilat konsumonin minimalisht 125.000 kë në muaj, për shkak të amortizimit të rrjetit të transmetimit dhe rrjetit të shpërndarjes. Në kohën e verës, furnizimi me ujë zgjaste 2-3 orë në ditë, ndërsa në stinën e dimrit; shkonte veçse deri në 6 orë në ditë. Me anë të këtij sistemi sigurohej furnizimi i gati 30.000 m3 ujë në ditë, duke e vënë në punë sistemin e pompimit 24 orë pa pushim. Por ja që u dëmtua prej një “pirgu” dherash që rrëshqitën nga shiu. Pra, Ujësjellësi Memaliaj i ndërtuar në tetor 2015 me tender, “jetoi” vetëm 5 muaj!
    Ujësjellësi i ndërtuar 210 vite më parë pa tender nga “pushteti” i Ali Pashës, “jeton” e punon akoma 
    Po në Tepelenë ku është dëmtuar ujësjellësi i bërë me tender nga “Pushteti i Rilindjes”, gjendet edhe një ujësjellës tjetër i ndërtuar nga “pushteti” Ali Pashë Tepelenës. Është ndërtuar 210 vite më parë pa tender dhe jeton ende fizikisht e funksionalisht. Ujësjellësi i Ali Pashës në Bënçë, mbetet ende një vepër funksionale e shkëlqyer inxhinierike dhe “Monument Kulture”. Eshtë i vetmi ndërtim i llojit të tij në Shqipëri, që ende mbahet në këmbë, i pa restauruar qysh prej afro 60 vitesh. Ujësjellësi përbëhet prej rreth 20 këmbësh të vendosura mbi një urë guri mbi kanionet e lumit Bënçë, i dëmtuar në disa pjesë jo prej cilësisë së dobët të punimeve, por prej lëkundjeve të forta sizmike, të cilat tre herë kanë shkatëruar edhe qytetin Tepelëns. Përveç ujit të pijshëm për banorët, ky ujësjellës kryente edhe shërbime për vaditjen tokave buzë lumit deri 15 vite më parë. Edhe pse prej 60 vitesh nuk mirëmbahet, ai mbahet në këmbë e në punë!
    Sigal