UEFA i thotë përsëri “PO” racizmit, drejtësia hesht edhe në futboll

487
Sigal

Komisioni i Apelit la në fuqi vendimin e Disiplinës, FSHF deklaron se do e ndjekin çështjen edhe në Arbitrazh

Komisioni i Apelit pranë UEFA-s, një institucion i drejtësisë sportive, ka sjellë edhe një herë në plan të parë se çfarë do të thotë të mos japësh drejtësi kur ke çdo gjë në dorë. Ashtu siç nuk ishte pritur (ose ishte pritur) UEFA, për të dytën herë vendosi që të shkelte më këmbë rregullat e veta dhe të drejtën e Shqipërisë për të fituar një ndeshje në tavolinë, fitore që nuk ka vlerë në pikë aq sa ka vlerë morale për të vënë drejtësinë e munguar në vend, një drejtësi që po mungon siç duket vetëm ndaj vendeve të vogla, e në këtë rast ndaj Shqipërisë. Vendimi i Komisionit të Disiplinës u la i pa ndryshuar edhe nga ana e Komisionit të Apelit, edhe pse pritej që në debatet juridike të drejtpërdrejta që ofronin palët të dilte në “dritë” edhe e vërteta që shihet qartë por që po refuzohet të njihet nga ata që diç kanë në dorë. Me vendimin e djeshëm, UEFA i tha edhe një herë PO racizmit dhe politikës në sport, e kjo nuk mendohet vetëm në Shqipëri e nga shqiptarët, por nga të gjithë ata që kanë njohuri sado të pakta mbi atë se çfarë quhen rregulla sportive e të futbollit në veçanti. Ky vendim i dytë i UEFA-s vazhdon të jetë po aq arbitrar sa vendimi i parë, ku u hesht e po heshtet për goditjet që morën futbollistët e Shqipërisë nga tifozët që ishin në fushë (e që nuk duhej të ishin as në stadium), po heshtet për koret raciste, po heshtet për ofendimet, dhunën, për politiken që nuk duhet të jetë pjesë e sportit. Ky vendim i dytë i Apelit, deri diku është më turpërues për UEFA-n sesa vendimi i parë, pasi patën kohë mjaftueshëm për të parë reagimin e mbarë opinionit, jo vetëm shqiptar, por edhe atij të huaj, ngaqë ai vendim u cilësua si shumë arbitrar për Shqipërinë, që u ndëshkua vetëm se refuzuan të futeshin në lojë, pasi ishin rrahur në fushë, ishin goditur me karrige dhe kishin dëgjuar pa pushim thirrje nga më racistet gjatë 41 minutave lojë por edhe më përpara. Shqipëria u “ridënua” përsëri sepse edhe pas kaq kohësh, UEFA nuk arriti ta shikonte me sy të drejtë një situatë të dalë jashtë kontrolli në atë që duhej të ishte thjeshtë një ndeshje futbolli, por që në fakt u kthye në një fushë beteje me vetëm një palë luftuese. E gjithë kjo pritje, që nga vendimi i Disiplinës, e deri mbrëmë në ora 19:30 ndihmoi vetëm që të zbulonte edhe një herë fasadën hipokrite të më të lartit institucion të futbollit në Europë, aty ku ligji dhe e drejta funksionojnë vetëm për skuadrat e mëdha, por për skuadrat e vogla çdo veprim ka efektin e bumerangut, që të kthehet përsëri por në trajtën e një bombe, të po asaj “bombe” që lëshoi Platini shumë kohë më përpara. Besoj se çdo gjë do të ishte ndryshe sikur në vend të Shqipërisë të ishte Franca. Vendimi për një përjashtim të Serbisë nga kompeticioni do të ishte i menjëhershëm dhe askush nuk do të vinte në dyshim “rrezikun” që do u ishte kanosur futbollistëve të Francës apo të çdo skuadre tjetër “të madhe”, a thua se ata janë prej qelqi e futbollistët e Shqipërisë janë shumë të fortë, e si pasojë e kësaj duhet ti durojnë edhe ca goditje të vogla, e ç’ rëndësi ka se mund tu rrezikohet jeta? Gjithë kjo fasadë e UEFA-s zgjati për shumë ore dje, ku filloi në 09:00 dhe u dha vendimi në 19:30, vendim që nuk lë vend për dyshime se çdo gjë stiset për ti dhënë përparësi të “fortëve”. Në një deklaratë që FSHF bëri mbrëmë, deklaroi atë që presidenti Duka ka thënë kohë më përpara, se kjo çështje do të shkojë deri në Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë. Në komunikatën e mbrëmshme FSHF u shpreh se Shqipëria do të kërkojë drejtësinë deri në shkallën e fundit, duke e bërë këtë veprim në mënyrë që të fitojë futbolli, një lojë e pastër dhe e bukur. Me këtë veprim, Shqipëria bëhet kombëtarja e parë që kërkon rishikimin e vendimit të UEFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit.

 Ja vendimet që mori Disiplina, të lëna në fuqi nga Apeli

Shqipëria humb ndeshjen në tavolinë (3-0)

Shqipëria dënohet me 100 mijë euro gjobë

Serbia fiton ndeshjen në tavolinë (3-0)

Serbisë i hiqen 3 pikë nga renditja

Serbia gjobitet me 100 mijë euro gjobë