Udhëzimi, si do të votohet për kreun e PD-së

638
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale miraton rregullat për garën e 22 korrikut mes Bashës e Selamit
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale publikoi dje udhëzimin lidhur me mënyrën e zhvillimit të garës për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat, kryetari i Komisionit, Jemin Gjana, sqaroi mënyrën e veprimit të anëtarësisë dhe strukturave deri më 22 korrik. Në përbërje të Komisionit janë edhe Tritan Shehu, Dhurata Çupi, Enkelejd Alibeaj e Bardh Spahia. Pjesë e tij janë gjithashtu dy punonjësit e administratës së Partisë Demokratike të sektorit të organizimit, Minushe Lazaj dhe Albert Avdyli. Në përbërje të këtij komisioni janë edhe 2 anëtarë që përfaqësojnë dy kandidatët, Arben Ibro i propozuar nga Basha dhe Riza Xhura, i propozuar nga Selami.

“Komisioni është mbledhur në mbledhjen e tij të parë dhe miratoi udhëzimin e tij të parë që përcakton procedurat e fillimit të procesit. Natyrisht në vazhdim do të ketë nevojë që ne të mblidhemi për të përcaktuar procedurat në vazhdim që kanë të bëjnë me momentin e ditës së votimit dhe procedurave të votimit”, u shpreh Jemin Gjana. 
UDHËZIM
Nr. 1 Dt. 04.07.2017
Në mbështetje të nenit 46 të statutit të PDSH-së dhe vendimit Nr. 23, dt. 03.07.2017 të Kryesisë së PDSH-së Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (OKOE) vendosi:

1 – Kryesia e degës së PD-së organizon dhe është përgjegjëse për procesin e votimit për kryetar të PDSH-së që do të zhvillohet me datë 22.07.2017. Në çdo degë të PDSH-së në rrethe do të ngrihet një qendër votimi.

2 – Ambientet ku do të kryhet votimi miratohen nga Komisioni OKOE me propozim të kryesive të degëve, jo më vonë se data 15.07.2017.

3 – Në selinë qendrore të PDSH-së do të ngrihet qëndra e votimit për degën Tirana 2, në të cilën përveç votuesve të kësaj dege, mund të votojnë edhe anëtarët e Kryesisë së PDSH-së, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Grupit Parlamentar ekzistues dhe deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të datës 25.06.2017, të cilët mund të votojnë edhe në qendrën e votimit të degës ku banojnë.

4 – Për çdo qendër votimi ngrihet komisioni me përbërjen e mëposhtme:

a) Një nga N/Kryetarët e degës, Kryetar.
b) Dy anëtarë kryesie.
c) Një përfaqësues nga secili kandidat për degën përkatëse.

Kryetari dhe dy anëtarët e kryesisë në përbërje të komisionit të votimit zgjidhen nga kryesia e degës me votim të fshehtë.

5 – Vendimi i kryesisë së degës për përbërjen e komisionit i njoftohet Komisionit OKOE brenda datës 15.07.2017.

6 – Degët e PDSH-së janë përgjegjëse për organizimin e takimeve të anëtarësisë me kandidatët sipas grafikut që do dërgohet nga Sekretariati Organizativ i PDSH-së i cili e rakordon këtë grafik paraprakisht me kandidatët në garë.

7 – Fleta e votimit miratohet nga Komisioni OKOE jo më vonë se 10 ditë para datës së zgjedhjeve.
8 – Lista e votuesve miratohet nga Komisioni OKOE jo më vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Kjo listë përmban:
a. Regjistrin elektronik të anëtarësisë së PDSH-së të përditësuar deri në datën 28.06.2017.

b. Emrin e çdo anëtari të PDSH-së që disponon një teser anëtarësie ndër vite, por që nuk figuron për arsye teknike në regjistrin e përditësuar elektronik. Këta anëtarë të paraqiten deri në datën 12.07.2017 pranë degëve përkatëse të PDSH-së në rrethe me dokumentin e anëtarësisë që disponojnë. Dega e PDSH-së administron një fotokopje të dokumentit dhe pasi e verifikon, harton një listë shtesë të cilën ia përcjell komisionit OKOE brënda datës 15.07.2017.

9 – Procedura e votimit:
a. Dokumentet e votimit:
Kartë identiteti ose Pasaport biometrike
b. orari i votimi:
hapja e qendrës së votimit: ora 08:00; mbyllja e qendrës së votimit: ora 19:00

Në qoftë se ka ende anëtarë të PD-së që presin të votojnë përtej këtij orari, qëndra e votimit të mos mbyllet deri në përfundimin e votimit të tyre.

10 – Kutitë e votimit, fletët e papërdorura, listat e votuesve dhe proces verbali i mbyllje së votimit, administrohen nga Komisioni i Qendrës së Votimit. Anëtarët e KQV i shoqërojnë kutitë e votimit deri në dorëzimin e tyre në Komisionin OKOE, i cili përcakton me udhëzim të posaçëm vendin e dorëzimit, të numërimit dhe modalitetet përkatëse.
11 – Komisioni i OKOE miraton procedurën e numërimit e cila fillon pas dorëzimit të kutisë së fundit nga degët.
12 – Komisioni OKOE në përfundim të procesit të numërimit shpall zyrtarisht kandidatin fitues.
13 – Për çdo shqetësim lidhur me çështjet e trajtuara në pikat 1 deri 12 të këtij Udhëzimi, ankimimet i adresohen Komisionit OKOE i cili merr rast pas rasti vendimet përkatëse.

KOMISIONI I ORGANIZIMIT DHE KONTROLLIT TË OPERACIONEVE ELEKTORALE
KRYETARI
Jemin GJANA
Sigal