Udhëtimi, punësimi dhe penalizmi në Schengen!

    534
    Shtetasit shqiptarë me pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në zonën Schengen, maksimumi 90 ditë që nga dita e hyrjes, brenda një periudhë kohore prej gjashtë muaj (180 ditë). Numërimi i ditëve të qëndrimit fillon që nga momenti kur hyhet për herë të parë në zonën Schengen. Për shembull, nëse hyrja për herë të parë në zonën Schengen është bërë më datë 20 janar, periudha gjashtëmujore e parë përfundon më 20 korrik dhe periudha e ardhshme fillon më datë 21 korrik. Nëse kjo periudhë e parë do të fillonte në një datë tjetër si p.sh. 15 shkurt, periudha e ardhshme gjashtëmujore do të fillonte më 16 gusht. Interpretimi i ditës së fundit të gjashtëmujorit të parë ka shumë rëndësi për çdo shtetas, edhe kur shtetasi gjatë gjithë kësaj periudhe qëndron vetëm një ose dy javë. Në të gjitha rastet, shtetasi që mbush kohën prej 90 ditësh qëndrimi në hapësirën Schengen dhe dita e fundit e periudhës gjashtëmujore është data 15 shkurt, brenda orës 24.00 të kësaj date duhet të kthehet në Shqipëri. Periudha gjashtëmujore që llogaritet për numërimin e 90 ditëve nuk është një periudhë kalendarike. Nëse, për arsye të ndryshme bëhen disa udhëtime afatshkurtra në zonën Schengen, është kusht që kohëzgjatja e gjithë udhëtimeve të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë). 
    Vendet ku shqiptarë udhëtojnë pa viza
    Këto vende janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Qiproja, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Lihteshtein, San Marino. Me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, të cilat janë jashtë zonës Schengen. 
    Shfrytëzimi i lëvizjes së lirë në hapësirën Schengen për të jetuar dhe punuar
    Lëvizja e lirë në hapësirën Schengen nuk u jep të drejtën qytetarëve shqiptarë për të qëndruar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për t’u punësuar, apo për të kërkuar azil, në këto shtete. Ata shtetas që kanë ndërmend të punësohen apo të studiojnë për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikojnë për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi, pranë ambasadës apo konsullatës së shtetit ku dëshirojnë të shkojnë. 
    Kërkesat ndaj shqiptarëve për të udhëtuar lirisht drejt të hapësirës Schengen
    – Të jetë i pajisur me pasaportë biometrike.
    -Të deklarojë qëllimin e udhëtimit si dhe të paraqesë, para punonjësit të kontrollit kufitar, dokumentet që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit. 
    -Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për turizëm, për pushime, i pavarur nga: 
    pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, shtetas apo rezident në atë vend etj., duhet të paraqitet një rezervim hoteli, bileta e kthimit (nëse udhëtohet me avion ose mjete të transportit ujor) si dhe të ardhurat financiare që ka ai me vete. 
    -Kur deklarohet se udhëtohet për aktivitete të ndryshme, paraqitet: 
    Dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar. 
    -Kur deklarohet se udhëtohet për arsye shëndetësore paraqitet rekomandimi i:
    Institucionit shëndetësor shqiptar si dhe konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet. 
    -Kur deklarohet se udhëtohet për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion: 
    Mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, numër telefoni, etj. 
    Ka vende ku si dokument bindës për autoritetet e kufirit është edhe një ftesë nga familja pritëse e cila mund të jetë e firmosur nga autoritetet komunale. 
    Kjo kërkohet kryesisht në ato raste kur vizitori paraqet dyshime për qëllimin e udhëtimit. 
    Në të gjitha rastet, shtetasi duhet të ketë: siguracionin shëndetësor (për periudhën e qëndrimit) dokumentacionin e nevojshëm të makinës, nëse udhëtohet me makinë (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti, patentë ndërkombëtare dhe karton të gjelbër sigurimi ndërkombëtar të makinës). 
    Mjetet e udhëtimit (bileta avioni, trageti,etj.) 
    Mjetet e jetesës gjatë qëndrimit në zonën Schengen, shtetasi duhet të ketë mjete të mjaftueshme të jetesës, si për periudhën e qëndrimit të synuar edhe për kthimin në vendin e prejardhjes ose transitin në një shtet të tretë në të cilin ai është i sigurt se do të pranohet, apo është në gjendje të përfitojë mjete të tilla në mënyrë të ligjshme.
    Sa është kjo shumë? 
    Përafërsisht kjo shumë nuk e kalon 50 euro dita, kur shtetasi ka një rezervim hoteli. Ai nuk duhet të figurojë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme. Emri i këtij shtetasi nuk duhet të figurojë ndër emrat e personave ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet në fjalë. Nëse për çdonjërin shtetas është marrë një vendim nga autoritetet administrative kufitare apo ato gjyqësore të qoftë edhe njërit nga vendet e hapësirës Schengen për t’i ndaluar hyrjen në atë vend, dhe ky informacion është hedhur në sistemin SIS, ky person nuk mundet dhe nuk do lejohet të hyjë në asnjë nga këto vende; pra do të prapësohet, me të mbërritur në pikën e kalimit të kufirit të vendit të parë të hapësirës Schengen. Këto vendime merren për raste, të cilat i ka përcaktuar Kodi Schengen., dhe që janë: Kur personi është dënuar për një vepër penale për të cilën Kodi Penal parashikon: dënim minimal 1 vit burg. Kur personi ka qenë subjekt i një urdhër largimi, largimi me forcë, që kryesisht zbatohen për raste të qëndrimit të paligjshëm. Kur ka të dhëna se personi është përfshirë në aktivitete kriminale apo dëshmi të qarta se ka për qëllim një gjë të tillë. Vendime të tilla, në të gjitha rastet u komunikohen me shkrim të interesuarve. Dhe kjo masë nuk hiqet automatikisht me mbarimin e kësaj periudhe. Kurdoherë, kur shtetasit e mbyllin këtë periudhë penalizimi disa vjetore, duhet që mbi bazën e vendimit të dhënë dhe me ndihmën e një avokati, t’u kërkojë autoriteteve të shtetit përkatës heqjen nga sistemi SIS të masës së ndalimit. Në raste të veçanta, kur konstatohen zvarritje administrative dhe dokumentacioni i shtetasit është i rregullt, MPJ nëpërmjet përfaqësisë diplomatike mund të kërkojë informacion pranë autoriteteve kompetente të vendit përkatës, me qëllim sqarimin dhe lehtësimin e situatës së shtetasve shqiptarë. Për minorenët, nëse nuk janë të shoqëruar nga të dy prindërit, kërkohet të respektohen kushtet e lëvizjes sipas legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar. 
    Penalizimet nëse shtetasit shqiptarë shkelin rregullat e qëndrimit
    Në hyrje dhe gjatë qëndrimit në vendet e BE-së, qytetarët shqiptarë duhet që të zbatojnë disa kërkesa dhe rregulla. Nëse do t’i shkelin këto rregulla, ata do të bëhen subjekt i largimit apo deportimit me forcë, veprim i cili shoqërohet gjithmonë me ndalim hyrje nga 1-5 vjet. Për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit, shtetet anëtarë të BE-së aplikojnë masa administrative gjobe, të cilat shkojnë nga 600 deri në 3000 euro. Në rast se këto shuma nuk paguhen, atëherë personi i gjobitur nuk do lejohet të hyjë në atë vend, që i ka vendosur gjobën, deri sa ta paguajë atë me gjithë kamatën e vonesës. Me rëndësi është të dihet se cilat janë këto rregulla që shtetasit shqiptarë nuk duhet të shkelin: 
    Së pari, nuk duhet të shkelet afati i lejuar për qëndrim që është 90 ditë brenda 180 ditëve. Së dyti, nuk duhet të shkelet legjislacioni vendas, kryesisht ai mbi punësimin. Pra, nëse kapesh duke punuar pa dokumentacion te rregullt bëhesh subjekt i largimit dhe ndalimit të hyrjes. 
    Së treti, nuk duhet të bëhesh problem për sigurinë publike, apo të përfshihesh në aktivitete kriminale. 
    Së katërti, nuk duhet të bëhesh barrë publike (person që nuk ke të siguruar strehimin, ushqimin apo nevojat e tjera jetësore). 
    Sigal