Udhëtim nëpër trevat shqiptare, Mirdita

    959
    Sigal

    Mirdita, një nga krahinat më të virgjëra dhe mëtë bukura në Shqipëri, me pasuri të gjithanshmer mbi e nëtokësore, me burime dhe klimë malore të lakmueshme, me florë e faunë të pasur, fton e pret miq, sicc di të presë ajo. Por, fatkeqësisht ata janë të rrallë. Është folur e shkruar shumë për mundësitë e zhvillimit të turizmit malor, por kanë mbetur vetëm llafe. Akoma asnjë masë konkrete për organizimin e këtij tregu  kaq të nevojshëm, nga i cili përfiton shteti, biznesi dhe komuniteti vendas. Është pak e vështirë të përcaktohet se këtu kemi të bëjmë me paaftësi, mos njohje, indiferentizëm, neglizhencë apo të gjitha së bashku?!

    Nënvleftësimi këtu është i qartë e i dukshëm. Duke hedh vështrimin e duke parë me syrin e turistit gjithë brezin gjeografik, që nga bjeshka e Kaçinarit, Munella, Zepa, Bjeshkët e Oroshit, Didhe – Valmor, Kroi i Bardhë e deri në majen e Kunorës, dallohen lehtë mjedise tërheqëse me të gjithë faktorët dhe elementët e nevojshëm që kërkohen  për një qendër turistike të pa shfrytzuar deri tani. Relievi i kësaj zone, në përgjithsi, dallohet për një zhvillim të shumllojshëm të proceseve karstike. Më e veçantë është Lugina e Prroit të Urakës (degë e lumit Mat), në shpatet e së cilës ndodhen disa nga shpellat më të rëndësishme. Në këtë brez numrohen me dhjetra shpella, sejcila më interesante se tjetra dhe shumë të komplikuara. Por është për të ardhur keq se deri tani nuk është krye një studim i mirfilltë e i plotë nga speleologë a gjeografë në bashkpunim me specialistë të fushave të ndryshme për të zbuluar vlerat reale historike, arkeologjike, natyrore dhe kulturore që ruhen në thellsitë dhe labirinthet e tyre. Pa këto të dhëna nuk mund të përcaktohet vlera dhe  rëndësia e shpellave dhe as qëllimi didaktik i tyre. Këtu ndjehet edhe mungesa e interesimit  të  institucioneve  përkatse në qendër. Në mënyrë të rastësishmë nga njerëz jo specialistë, në shpellën e Mërkurthit janë zbuluar gjetje arkeologjike që i përkasin periudhës së neolitit, por fatkeqsisht këto gjetje nuk kanë  ngjallur interesim tek specialistët e fushës. Bën përjashtim shpella “Kusia e Ndue Gjonit”  në mes të Mërkurthit dhe Kurbneshit, në të majtë të Prrojt të Urakës, të cilën e kanë zbuluar dhe studjuar më 1994 një grup speleologësh të Romës, bashkë me speleologë shqiptarë.  Studimi ende nuk ka përfunduar. Sipas studjuesve, shpella ka vlera të mëdha shkencore, kulturore, didaktike e turistike. Prandaj është shpallur monument natyror. Le të ndalemi  në zonën Nënshejt-Fushëlugje, që një fshat i vogël për nga numri i shtëpive, por i madh për nga bukuritë natyrore që e rrethojnë. Në këtë mjedis qëndrojnë pranë e pranë  mali, pylli, ara, shkëmbenjtë e bardhë, blloqe lajthishë, shtëpitë karakteristike me dyer te stolisura nga dalta e mjeshtrave të gurit, burime ujore të kristalta. Në shkëmbenjtë e bardhë në anë të fshatit, kanë gjetur folenë shumë pisha që kanë  “dekoruar”   bukur faqet e shkëmbinjëve masivë, thua se i ka qendisur dora e një artisti. Këto

    nuk janë fantazira, por një realitet që i sheh dhe i shijon kushdo që vjen kësaj ane. Në verilindje të Nënshejtit, pasi kalon lëndina e blloqe lajthishë, një tjetër kënaqësi të jep liqeni i Konajt, që duket si sy magjik në mes të gurëve të bardhe. Maja e Shelbuemit dhe Shkalla e Shejtit, me gjurmët e një historie të lashtë, zbresin me pjerrtësi nga ana e  Nënshejtit që të krijonë pamjen  e nje ekrani me shumë ngjyra. Kurse në anën tjetër, këto zbresin butë në një mjedis karstik me forma të ndryshme relievi, si gropa, hinka pranë njëra tjetrës që ngjanë me hojet e bletës. Në mesin e këtij mjedisi, jo shumë larg njëra-tjetrës, ndodhet Shpella e Akullit dhe ajo e Stërqokëve. Secila ka një  histori. Pas dy kilometrave, në drejtim të lindjes shfaqet Fusha e Lugjeve, një rrafshnaltë  me  një  lartësi  1150 m  mbi nivelin e detit, me një tjetër panoramë joshse, e rrethuar me kodrina ovale të mbuluar me bar që gjelbëron gjatë gjithë muajve të verës, me një lartësi relative 100-150 m. Në mes të fushës një burin uji dhe pak më në lindje një rezervuar në formën e një liqeni të vogël, që ja shton bukurinë këtij mjedisi. Tufat e bletëve që gumëzhijnë me atë “melodinë” e tyre, sikur u këndojnë shumllojshmërisë së luleve, që vizitojnë në flladin e bjeshkës që freskon gjatë gjithë verës. Në verilindje të Fushlugjve ka edhe lartësi deri 1500 m me një sheshpamje të gjerë. Katër-pesë kilometra më në lindje, pasi kalon pyllin e Frashit (me pisha e ahe) duket fshati i vogël Lajthizë, mjaft piktoresk, i lidhur së fundi me rrugë maqine të rregullt. Duhet nënvizuar fakti se për vlerat që ka bjeshka e Oroshit, si pasuri kombëtare, 4700 ha,  me shume te drejtë është shpallur Rezervë e Resurseve të Menaxhuara (sipas  Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.102, datë 15.01.1996),  që do të thotë se mbrohet nga shteti. Por të thuash të drejtën, mbrojtja këtu çalon. Po rrënohet pylli nga prerjet pa kriter, nuk ka ripërtëritje të pyllit, nuk pastrohen drurët e djegur e tjerë. Përveç Nënshejtit e Lajthizës, janë edhe fshatrat Ndërshenë, Shëngjin e Lari, që mundësojnë turizmin familjar. Mikpritja në traditën e mirditorit është një nga vyrtytet më të rëndësishme e të hershme. Por turizmi familjar për mirditorët  është një praktikë e re, që kërkon edhe parapërgatitje për krijimin e një mjedisi tërheqës për turistët. Kjo zonë nuk ka vetëm natyrën e bukur, por edhe një histori qindra vjeçare. Edhe pylli, edhe guri, edhe majat e maleve e kanë një histori. Për këtë flasin qartë edhe toponimet e shumta, që ka në këtë zonë. Mirdita ka edhe shumë qendra arkeologjike si në Prosek, Përlat e Bukmirë. Në këtë fushë, një kontribut të çmuar për kërkime dhe zbulime arkeologjike kanë dhënë Prof. Dr. Mark Tirta dhe studiuesi Nikoll Doda, sidomos ne Bukmirë, Përlat Epër, Prosek, Kodër Rreshen dhe Bukël. Autostrada Durrës – Morinë, rreth 70 km të së cilës përshkojnë mes për mes territorin e Mirditës, është edhe një shans që krijon mundësi për shfrytëzimin e resurseve turistike malore që ka Mirdita. Gjithashtu veprat e shumta të artit, i japin bukuri të rrallë gjithë luginës së Fanit të Vogël që e përshkon. U ndala në këto faktorë natyrorë e historik se këto përbëjnë bazën dhe mundësinë për të organizue dhe zhvillue turizmin malor edhe në Mirditë, si burim biznesi, punësimi, kulture dhe kënaqësie për pushuesit. U ndala edhe për një arsye tjetër, për t’i kujtuar Ministrisë që merret kryesisht me turizmin, se edhe Mirdita ja ku është! Nxirreni nga hija e harresës! Po citoj me këtë rast një fragment nga peizazhi letrar i Gjovalin Ndojt, “Ejni në Orosh”!…

    Ndue TUSHA