Turqia thirrje Greqisë: Ekstrado pjesëtarët e FETO-s, ndikojnë në miqësinë tonë

561
Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, deklaroi se për fat të keq, anëtarët e organizatës terroriste FETO kohëve të fundit, janë duke e parë Greqinë si një strehë të sigurt, raporton Anadolu Agency (AA).
Yıldırım u përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ku mes tjerash komentoi edhe vendimin e gjykatës Supreme të Greqisë të enjten, me të cilin u lirua njëri nga tetë puçistët e ikur të FETO-s.
“Kjo i shkakton dëm miqësisë sonë. Shpresoj se do të ekstradojnë anëtarët e FETO-s në vendin tonë. Ne nuk dëshirojmë që anëtarët e FETO-s të ndikojnë negativisht mbi miqësinë greko-turke dhe mbi raportet tona”, tha kryeministri turk.
Yıldırım komentoi edhe deklaratat e zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, lidhur me zgjedhjet e parakohshme në Turqi, në të cilën shprehu shqetësim rreth mbajtjes së zgjedhjeve në Turqi, pasi siç tha, në vend është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme.
“Ata të shohin punët e tyre. Kaluan 1.5 vjet nga zgjedhjet në SHBA dhe ata akoma debatojnë për parregullsitë e procesit zgjedhor. Nëse SHBA-të dëshirojnë të shohin se çfarë janë zgjedhje, duhet të vinë në Turqi, të shohin transparencën në vend të ngjarjes”, tha kryeministri i Turqisë.
Kryeministri turk komentoi edhe trazirat e mbrëmshme në ndeshjen midis Fenerbahçes dhe Beshiktashit.
“Sulmi ndaj trajnerit të Beshiktashit, Shenoll Gynesh është i papranueshëm dhe e dënoj ashpër. Federata e futbollit ka nisur dhe po kryen një hetim, prandaj përgjegjësit do të sanksionohen”, tha Yıldırım.
Sigal