Turqia i akordon tre milionë euro Ushtrisë Shqiptare

439
Sigal

Bashkëpunim në kuadër të ruajtjes së sigurisë, vlerave demokratike në rajon dhe interesave gjeopolitike ndërkontinentale

Shqipëria dhe Turqia, vazhdojnë të mbajnë lidhje të ngushta bilaterale në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.  Më 12-13 shkurt 2014, ministrja e Mbrojtjes, zj. Mimi Kodheli, me ftesë të homologut të saj, z. Ismet Yilmaz zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Ankara, Turqi. Në qendër të bisedës ishte niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, madje të dy ministrat diskutuan për gjendjen aktuale dhe mundësinë për të përmirësuar më tej këtë bashkëpunim frytdhënës mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë rajonale. Ministri Yilmaz theksoj se, “Turqia e shikon Shqipërinë si një partnere të rëndësishme dhe vend aleat të saj”. Në këtë këndvështrim, ministri i Mbrojtjes së qeverisë turke siguroi ministren Kodheli për mbështetjen e padiskutueshme të Turqisë ndaj përgatitjeve të Shqipërinë, për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Nga viti 1992 e në vazhdim, në Turqi janë arsimuar dhe kualifikuar 2500 studentë ushtarakë shqiptarë, ndërsa aktualisht në Ankara studiojnë 86 të tjerë. Të dy krerët e mbrojtjes diskutuan edhe për projekte konkrete bashkëpunimi, rolin e Shqipërisë në çështjet rajonale, si dhe forcimi i bashkëpunimit në kuadrin e NATO-s. Ministrja Kodheli u prit në një takim tejet të ngrohtë edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral armate Neçdet Ozel, si dhe vendosi një kurorë me lule në mauzoleun e Mustafa Qemal Ataturkut. Në praninë e ambasadorit të Shqipërisë në Ankara, Genci Muçaj, kreu i Mbrojtjes, zonja Kodheli tha:“Këto marrëdhënie nuk janë të rëndësishme vetëm në fushën strategjike dhe ekonomike, por edhe në atë të Mbrojtjes. Ne jemi vende anëtare në NATO dhe prej disa vitesh, në mënyrë reciproke, shumë veprimtari tonat i kemi koordinuar së bashku; ne jemi pjesë e ndryshimeve që po ndodhin në NATO dhe po i vlerësojmë ato. Duke patur parasysh vështirësitë ekomomike, me të cilat po përballet sot bota, jemi duke komunikuar në mënyrë të ndërsjellët për gjetjen e zgjidhjeve sa më të mira dhe duke patur parasysh këtë jemi duke studiuar “Smart Defence”. Për këtë ne jemi të detyruar të bashkëpunojmë dhe bashkëveprojmë, të hedhim hapa të sigurt dhe të përbashkët. Këtë bashkëpunim e quajtëm të rëndësishëm jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në fushën e industrisë ushtarake. Gjithashtu, me ministrin e Mbrojtjes, ne diskutuan për fushat e bashkëpunimit ku Shqipëria ka më shumë nevojë, sidomos ndihma për pajisje me mjete ushtarake. Bëhet fjalë për një ndihmë rreth 3 milionë euro. Kjo mbështetje është duke vazhduar; për këtë arsye falënderoj ministrin dhe kryeministrin e Turqisë”. Qeveria shqiptare ka firmosur edhe një marrëveshje me spitalin “GATA” të Turqisë, ku do të mund të trajnohet personeli mjekësor shqiptar me teknologjinë më të fundit në fushën e shërbimit mjekësor. Në kuadër të ruajtjes së sigurisë, vlerave demokratike në rajon si dhe interesave gjeopolitike ndërkontinentale, Shqipëria dhe Turqia, janë duke bashkëpunuar në fushën e zbulimit, por edhe në atë të mbrojtjes. Një theks të veçantë në këto marrëdhënie merr edhe rëndësia gjeopolitike, bashkëpunimi me Kosovën zë një vend të rëndësishëm.  Një temë tjetër e rëndësishme e trajtuar me ministrin Yilmaz ishte edhe forcimi i marrëdhënieve për investime të mëtejshme në Industrinë Ushtarake. Në këtë drejtim mbetet shumë punë për t’u bërë dhe me siguri që viti në vazhdim do të gjenerojë bashkëpunim më të frytshëm midis dy vendeve mesdhetare. Në përfundim të konferencës për shtyp, Mimi Kodheli u shpreh: “Ne jemi optimistë dhe shpresoj që në një kohë të shkurtër të ndodhin ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë. Dua të falënderoj qeverinë turke për mbështetjen, veçanërisht për ndihmën e madhe që i ka dhënë Kosovës”.