“Tuç Makët” e BSPSH dhe KSSH plaçkitin pronat, “Telegraf” denoncon, shtetit hesht

    459
    Është absurd e madje komprementues fakti, që ata që kanë në duar dhe përdorin sindikatat si logo, nuk shqetësohen nga drejtësia dhe nga shteti edhe pse kanë bërë batërdinë me pronat e sindikatave, duke shitur objektet social-kulturore dhe shtëpitë e pushimit për të ngritur vila e pallate
    Problemi i pronave të sindikatave, që në fakt janë prona të shqiptarëve, por të futura në “kthetra” prej një grupi batakçinjsh, të ndarë në dy grupe e të veshur me “pizhama sindikalisti”, nuk po trajtohet prej qeverisë, shtetit, parlamentit e drejtësisë edhe pse përbën një krim të dukshëm e konkret ekonomiko-financiar tepër të rëndë, të zgjeruar e të organizuar prej 23 vitesh. Qeveria dhe drejtësia po presin tela energjie që vidhet në shtyllë prej familjeve “pa bukë”, po prangosin kryefamiljarë fukarenj e të papunë, që lidhin dritat për të mbajtur gjallë me oksigjen fëmijët të sëmurë dhe nuk u thonë gjysmë fjale “bandave sindikale” dhe “kryebanditëve” të tyre, të cilët në këto 23 vite e aktualisht sot, kanë bërë e po bëjnë “fërtele” shtëpi pushimi, biblioteka, vegla muzikore, kostume popullore, shtypshkronja, shtëpi kulture, kampe pushimi fëmijësh, parqe natyrore malorë e fushore fëmijësh deri në 8 hektarë! Është absurd e madje komprementues fakti, që ata që kanë në duar dhe përdorin sindikatat si logo, nuk shqetësohen nga drejtësia dhe nga shteti edhe pse kanë bërë batërdinë me pronat e sindikatave, duke shitur objektet social-kulturore dhe shtëpitë e pushimit për të ngritur vila e pallate. Kur do “zgjohet” qeveria dhe drejtësia, parlamenti dhe vetë sindikalistët e tallur prej “grup-horrave” që kanë uzurpuar kupolat e sindikatave, jo për të zaptuar sindikatat, por për të shpëtuar atë pjesë pronash që kanë mbetur, për të sekuestruar e ndëshkuar pa mëshirë ata të djeshmit dhe këta të sotmit e kupolave të sindikatave, që kanë vjedhur objekte e të ardhura nga shitjet dhe qiratë e kampeve e pallateve të kulturës, që kanë plaçkitur e kanë kthyer pronat e sindikatave qëllimisht në gërmadha e pasuri personale të fshehura pas emrave të mbesave, motrave, kunatave, dajave, ortakëve, vjehrrave e kopilëve të dashnoreve! Masakra me pronat e sindikatave është një krim që vazhdon lirshëm si prej kupolës së KSSH edhe prej kupolës së BSPSH, madje edhe në dy shtëpi pushimi të mëdha, prej një sindikate që thotë se është sindikatë e Policisë, Ushtrisë dhe SHISH, me kryetar një kuzhinier ushtrie, të emëruar prej kupolës së BSPSH! Masakra me pronat e sindikatave vazhdon pa asnjë “fre” prej atyre që i kanë në “kthetra” këto pasuri të mëdha dhe pa asnjë frenim nga shteti e drejtësia. Është koha të ndërhyhet, të veprohet për të ndalur dhe ndëshkuar këtë krim barabar, të bërë prej krye-sindikalistësh barbarë dhe prej jeniçerësh të tyre të babëzitur! Gazeta “Telegraf”, ka denoncuar publikisht me emra sindikatash, me emra drejtuesish sindikatash, me emra bashkëpunëtorësh dhe me adresa e funksione konkrete objektesh të shitura e të blera me abuzim, me çmime “qindarka” dhe me fatura false. Gazeta “Telegraf” e bërë prezent këtë krim pasuror kombëtar përballë opinionit, shtetit dhe drejtësisë, duke folur edhe në emër të sindikalistëve që na kërkojnë mbështetje, të cilët po shohin përditë se si një “bandë kaçakësh” të vet-graduar “krye-sindikalistë” me vota 10 mijë lekëshe, po vjedh, po shkatërron e po zhduk një prej pasurive më të mëdha kombëtare. Dhe do vazhdojmë të denoncojmë e të kërkojmë nga shteti dhe drejtësia, nga ligjvënia dhe institucionet e tjera ligj-zbatuese, që ky krim jo vetëm të ndalet, që kjo pasuri jo vetëm të kthehet në fondin e pasurive kombëtare, por edhe të merren “për veshi” ata drejtues sindikatash që kanë firmosur e vulosur ilegalisht (pa vendim-marrje forumesh), duke i vjedhur e përdorur të ardhurat e shitjeve dhe qirave të objekteve, për pasurim personal, për makina luksoze, për apartamente, për bankete, për udhëtime, për pushime turistike e për qejfe dhe orgji “pushtash”. Sot po vazhdojmë të publikojmë “fatin” e pronave të sindikatave në qarqet Durrës e Fier.
    Qarku Durrës, ja fati i disa pronave të sindikatave!
    1. Salla e Lojërave në Thumanë, nuk ka asnjë informacion nga ZRPP-Krujë. Nga verifikimi fizik, rezultoi se kjo ndërtesë është në pronësi të komunës Thumanë, transferuar në bazë të Ligjit 8744, datë 22.2.2001. Objekti është në rikonstruksion nga komuna dokumentacioni ishte djegur në 1997. U gjenden vetëm muret.
    2. Pallati i Lojërave “Rinia” në Krujë, nuk ka informacion nga ZRPP-Krujë. Nga verifikimi fizik, rezultoi se kati i parë është zënë nga familjarët dhe përdoret si banesë, ndërsa kati i dytë i godinës është i shkatërruar.
    3. Shtëpia e Kulturës në Sukth, nuk ka informacion nga ZRPP-Durrës. Nga verifikimi fizik, rezultoi se godina është nxjerrë në ankand nga BSPSH dhe është privatizuar. Nuk ka dokumentacion për personat që e kanë privatizuar. Aktualisht funksionon si lokal.
    4. Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve në Durrës, rezulton se është pronë BSPSH në regjistrin hipotekor me nr. 4500, dt 01.04.1994. Prona përfshin godinën 4 kate në formën “L” me anekset e saj 1 e 2 kate, si dhe dy vila njëra 1 kat dhe tjetra me 2 kate. I gjithë territori është i rrethuar me avlli dhe ka disa porta. Sipërfaqja totale e pronës është 27 300 m2. Kjo pasuri është në gjendje të mirë fizike dhe funksionon përsëri si hotel i marrë me qira, me kontratë të rregullt ligjore, sipas detyrimeve të parashikuara në kontratë.
    5. Shtëpia e Kulturës në Manzë, nuk ka informacion nga ZRPP-Durrës. Nga verifikimi fizik, rezultoi se objekti është në pronësi të BSPSH. Nuk ka asnjë dokumentacion në lidhje me këtë objekt, që i është dhënë me qira zotit Agim Hasa, nga BSPSH.
    6. Pallati i Lojërave në Durrës, nga informacioni ZRPP-Durrës, prona figuron në pronësi të BSPSH, KSSH, SN, SP, LPS, SPM, sipas dokumentit hipotekor me nr. 869, dt. 17.02.1992. Nga verifikimi, rezulton se në këtë objekt ushtrohet aktivitet tregtar, të cilët disponojnë pronësinë mbi këtë objekt si të blerë, me akt hipotekor nr. 57, datë 9. 9. 2004 në emër të pronarëve Rama dhe Kadiu.
    7. Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve “Qafë-Shtamë”, nuk ka informacion nga ZRPP-Krujë. Përmes vërtetimit hipotekor nr. 564/1, datë 15.101996, konfirmon se ky objekt është regjistruar në regjistrin hipotekor me nr.147 28.4.1994, si pronë e BSPSH.
    8. Shtëpia e Pushimit të Pionierëve “Qemal Stafa” në Durrës. Nga ZRVPP-Durrës, rezulton se është prone e hipotekuar në pronësi të Sindikatës së bashkuar të Minatorëve, Gjeologëve dhe Pasuruesve të Shqipërisë, me dokumentin hipotekor Nr. 4751 dt. 18.05.1994. Nga verifikimi fizik, rezultoi se ky objekt i është dhënë me qira shoqërisë private “Tropikal”
    Qarku Fier, ja fati i disa pronave të sindikatave!
    1. Salla e lojërave Nr.2 në Fier, sipas informacionit nga ZRPP-Fier, rezulton se kjo pronë figuron në emër të BSPSH, me vërtetim hipotekor nr. 260 dt 16.09.08. Nuk ka asnjë informacion për aftin e këtij objekti, madje as në hipotekë, as në bashki dhe as në BSPSH, nuk të informojnë se ku ndodhet fizikisht kjo pasuri.
    2. Pallati i Kulturës në Patos, nuk ka informacion nga ZRPP-Fier. Nga verifikimi fizik, rezultoi se Sindikatat e Pavarura të Punonjësve të Naftës (SPPN), objekti është dhënë me qira për biznes privat, në sindikatën e pavarur të naftës nuk figuron asnjë dokumentacion për të dhe të ardhurat e saj, madje nuk gjendet as kryetari i sindikatës.
    3. Shtëpia e Kulturës (Kinoklubi) në Ballsh, nga informacioni i ZRPP-së për këtë pronë del se ka një kërkesë për regjistrim në ZRPP nga Kombinati Përpunimit të Thellë të Naftës, nga Konfederata e Sindikatava, nga Sindikata e Naftës dhe nga BSPSH. Një pjesë e objektit është në sekuestro konservative nga ZRPP e Përgjithshme, ndërsa pjesa tjetër rezulton e shitur nga KSSH, SN, dhe BSPSH në favor të disa personave privatë, të cilët kanë vërtetime hipotekore për pjesën e tyre.
    4. Shtëpia e Kulturës në Roskovec, nuk ka informacion nga ZRPP. Nga verifikimi fizik, rezultoi se funksionon si pallat kulture, transferuar në bazë të Ligjit 8744, datë 22.2.2001 në pronësi të bashkisë Roskovec, miratuar me VKM nr.1175, datë 20.8.2008.
    5. Shtëpia e Kulturës në Levan, nuk ka informacion nga ZRPP-Fier. Nga verifikimi fizik, rezultoi se ky objekt është jashtë funksionit. Administrohet nga persona privatë, shitur nga BSPSH e dhe KSSH, në favor të zotit Vendim Çervanaku për pjesën “Salla e Pallatit të Kulturës”. Ndërsa zoti Azbi Hoxha, disponon vërtetim hipotekor nr. 667, datë 09.07.2002 për pronësinë e truallit dhe aneksit të Pallatit të Kulturës në Levan.
    6. Shtëpia e Kulturës në Grecalli, nuk ka informacion nga ZRPP-Fier. Nga verifikimi fizik, rezultoi se, objekti ka qenë pronë e Konfederatës Sindikale, por është kthyer në banesë prej 20 vjetësh, thuhet që është bërë shitje ilegale me lekë në dorë nga kryetari i KSSH.
    7. Shtëpia e Kulturës në Povelçë, nuk ka informacion nga ZRPP-Fier.
    8. Salla e Lojërave në Lushnje, nuk ka informacion nga ZRPP-Lushnje. Dy sindikatat BSPSH e KSSH, nuk japin të dhëna, se nëse objekti ndodhet fizikisht dhe se ku ndodhet.
    9. Sallë shfaqje filmi (kinema) Savër, nuk ka informacion nga ZRPP-Lushnje. Nga verifikimi fizik, rezultoi se objekti është pronë e BSPSH dhe ia ka dhënë me qira, zotit Dalip Gjyshja, por BSPSH nuk paraqet asnjë kontratë qiraje, objekti përdoret si kafene.
    10. Sallë shfaqje filmi (kinema) në Gradisht, nuk ka informacion nga ZRPP-Lushnje, BSPSH nuk jep asnjë të dhënë.
    11. Sallë shfaqje filmi (kinema) në Çermë, nuk ka informacion nga ZRPP – ja Lushnje, BSPSH nuk jep asnjë të dhënë. Nga verifikimi fizik, rezultoi se objekti ishte jashtë funksionit.
    12. Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve në Divjakë (kampi), nuk ka informacion nga ZRPP-Lushnjë. Nga verifikimi fizik, rezultoi se Sindikata e Pavarur e Punonjësve Civil të Mbrojtjes, Rendit dhe SHISH të Shqipërisë, ka lidhur një kontratë “Enfiteoze” me një shoqëri private. Objekti funksionon si hotel.
    Sigal