Tsunamet, bregdeti shqiptar i rrezikuar prej “rrumpallës ndërtimore”

    426
    Sigal

    Pak ditë më parë, në thellësi të tokës në zonën e Fierit, u ndje një lëkundje e fortë tërmeti. Sipas specialistëve, nëse kjo lëkundje do të ishte në zonën detare, do të krijonte një tsunam, sado i vogël qoftë. Faktikisht, në Shqipëri ne ende nuk kemi dokumentime për raste tsunamesh, apo tërmetesh të shkaktuar në vijën apo brenda detit Adriatik. Por raste të tilla, janë përsëritur në shumë qytete bregdetare të shteteve të botës si SHBA, Turqi, Japoni, indi, Egjipt, Itali etj.. Rasti i tsunamit në Japoni, i cili krijoji një masakër masive njerëzore e urbane, mendoj se vlen të shërbej “apel” për institucionet shqiptare, për reagim dhe ndërhyrje në lidhje me politikat ndërtimit në vijën dhe zonat bregdetare, ku mund të ndodhin tsuname. Nga biseda me specialistin gjeolog Gëzim Shima, mësova se në zonat bregdetare shqiptare mund të ketë shumë pak tsuname, por aty nuk do të mungojnë kurrë gjeo-rreziqet e tjera, të cilat nuk janë të pakta dhe kanë kohën e tyre të veprimit. Në raste tsunamesh, rreziqet shkatërrimtare në zonën dhe vijën bregdetare shqiptare kanë shkak konkrete mosrespektimin e kritereve tekniko-urbane të ndërtimeve. Fakti është ky: në zonën dhe vijën tonë bregdetare janë ndërtuar komplekse objektesh masive, me lartësi prej 8-10-15 kate fare pranë dhe madje brenda vijës ujore detare, me themele në duna natyrore, në zona kënetore e moçalore, në zona me thyerje tektonike, në zona me dru pyjorë, në grykëderdhje përrenjsh e lumenjsh, pa respektuar as kushtin më minimal të (vetë)mbrojtjes natyrore: largësinë prej 200 metrash distance minimale objekt-objekt, kjo e detyrueshme ligjërisht për zbatim në vendin tonë. Në vendet e tjera, ndërtimet bregdetare realizohen në distanca të miratuara me ligj dhe zbatohen pa asnjë tolerancë si nga shteti dhe nga ndërtuesit. P.sh, Anglia e ka distancën e ndërtimit 900 metër nga “vija e verdhë” bregdetare, Franca e ka 600 metër, Italia e ka 350 metër, Greqia e ka 300 metër. Ndërsa ne shqiptarët, megjithëse e kemi ende në ligj që objektet duhet të jenë 200 metër larg “vijës së verdhë” të bregdetit, vazhdojmë të ndërtojmë deri në… 10 metër larg bregdetit! Kujtojmë rrëshqitjet e disa lagjeve në fshatrat e Elbasanit, Librazhdit, Fierit, Beratit, Korçës, Vlorës, banesat e të cilave janë ndërtuar pa studim teknik të gjendjes fizike të tokës. Buzë përroit në qytetin e Patosit dhe buzë lumit Seman në qendër të qytetit të Fierit, janë ndërtuar disa pallate banimi, të cilët janë çarë e po rrëshqasin. Po t’i shikosh nga “kallëpi”, këto objekte apo zona ndërtimi janë të përkryera nga pikëpamja arkitekturore, por fakti që ndodhen në toka me “aktivitet” të braktisur, me procese tektonike të “fjetura” që befas mund të “zgjohen” nga ngacmimet, ekziston rreziku të vihen nën rrëshqitje dhe shpërthime masive uji e balte shkatërruese. Ky fakt, pavarësisht se si mund të emërtohet dhe të konsiderohet, në trajtën dhe veprimin e vet mbi zonat urbane, quhet tsunam. Përveç rrezikshmërisë njerëzore, ka dhe një problem të madh arkitekturor në këtë “rrumpallë” të pakontrolluar ndërtimesh, që gjeografikisht ndërtohen dhe shpërndahen sipas shijeve e “vijave të verdha” personale, të kujtdo shqiptari, që pasi ka siguruar “pesë lekë” nis dhe gërmon faqen e kodrës, bregun e detit, apo anën e lumit duke ndërton 5,6,10 kate vilë e pallat, pa studim fizik e urban të tokës, siç ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodh në Përroin e Zagorës në bregun i Semanit, në parkun dhe bregdetin e Divjakës, të Erzenit. Këto rreziqe të “fjetura” nuk i parashikon dhe nuk i ndalon askush të “zgjohen” prej veprimit tonë kundër tyre, duke prodhuar tërmete, rrëshqitje, përmbytje, shkatërrime fizike. Po përmendim disa raste, të ndodhura në kodrat e Kallmit në Currilat e Durrësit, në Belvedere të Vlorës, në Shën-Pjetër të Rodonit etj. Në bregdetin e Durrësit e të Vlorës, janë ndërtuar mbi 1700 objekte mbi rërë, 55% e tyre shumëkatëshe. Për rrjedhojë, sipas specialistëve, bazamenti i tokës krijon fundosje graduale së bashku me ndërtimin, fundosje që shkon deri në 7 metra thellësi, siç ka ndodhur me lagjen e ngritur mbi ish-Kënetën në Durrës.

    Përparim HALILI