Truprojat, Rama frikë nga personat me aftësi të kufizuar?!

    451
    Sigal

    Konferenca/ Dita ndërkombëtare e PAK. Rama: Pagesa e dhjetorit në kohë, në fillim të 2014 shlyerja e prapambetjeve

    Dje në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar, Shoqata e Invalidëve të Punës së Shqipërisë, pati një takim me gjithë kryetarët e Degëve të rretheve për të diskutuar në lidhje me situatën e invalidëve të punës në të gjithë vendin. Në këtë takim morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë e shumë organizata të tjera të grupeve të interesit. Kjo konferencë, edhe pse në frymën e ndërgjegjësimit për problemet e PAK, të kthente mbrapa në kohë, atëherë kur byroja politike ishte mirë e mbrojtur dhe e paprekshme për pjesën tjetër të popullit. Nuk mund të qëndroje dot as në paradhomën e sallës së Konferencës, sepse truprojat e Kryeministrit tonë z. Edi Rama nuk të linin të afroheshe. Pse të kishte frikë Kryeministri ynë, për të marrë kaq masa drastike për mbrojtjen e tij? Mos ndoshta u frikësohej personave me aftësi të kufizuar, personave të tjerë të interesuar për vijimësinë e problematikës për pagesat PAK, apo gazetarëve, që të vetmen armë të tyre kanë fjalën? Gjithsesi, i rrethuar nga truprojat e tij të shumtë, Kryeministri ynë kaloi triumfator para gazetarëve dhe kamerave të shumta pa thënë asnjë fjalë. Iku Kryeministri, ndërsa gazetarët vërshuan te personat me aftësi të kufizuar për të mësuar se çfarë premtimi morën nga kryeqeveritari në ditën e tyre ndërkombëtare. “Na premtoi se do na i japin pagesat e dhjetorit. Të paktën edhe ne do të festojmë vitin e ri si gjithë të tjerët”, u shpreh njëri prej tyre. Ndërsa shumica e personave të pranishëm në këtë konferencë nuk i ndaheshin dot tavolinave të mbushura me shumëçka, këtë ditë të posaçme për ta. Të paktën, dje, tavolina për ta ishte e mbushur. Ndërsa Kryeministri me truprojat e tij la pas premtimin…

    Rama: Pagesa e dhjetorit në kohë

    Me rastin e ditës ndërkombëtare të Aftësisë së Kufizuar, Kryeministri Edi Rama u premtoi se brenda muajit dhjetor do të marrin pagesat e këtij muaji dhe në fillim të vitit do të marrin kompensimet për pagesat e vonuara. Kryeministri Rama, i pranishëm në konferencën për Aftësinë e kufizuar, e cilësoi këtë kategori si më të disavantazhuarin e shoqërisë shqiptare. Sipas tij, vështirësitë e njerëzve me aftësi të kufizuara shkojnë përtej vetaftësisë së kufizuar, pasi vit pas viti është thelluar përmes mospagesave të rregullta. “Qeveria do të bëj çmos që krahas pagesave mbi masën e fondit qesharak që na mbeti pas fushatës së fundit elektorale, të mundësohet dhe shpërndarja e pagesës më të plotë për muajin dhjetor për të gjitha grupimet e aftësisë së kufizuar. Parashikojmë që me fillimin e buxhetit të 2014 të shlyhen edhe detyrimet e prapambetura të mbartura, jo për fajin tonë”, tha Kryeministri. Një tjetër premtim i Kryeministrit për përmirësimin e situatës së personave me aftësi të kufizuar është dhe plotësimi i një prej kërkesave të Personave me aftësi të kufizuar, të bëhen pjesë e vendimmarrjes. “Brenda 100 ditëve do të përmbushim atë rregull të vendosur me ligj që i jepte qeverisë të drejtën të jetë qorre dhe shurdhe para jush. Do të vëmë në zbatim kërkesën tuaj që duam të dëgjohemi dhe të dëgjojmë. Kur të jenë plotësuar 100 ditët në bilanc do të kemi dhe zhbërjen e këtij rregulli”.

    Erion Veliaj: Ja dy urdhrat e Kryeministrit Rama

    Ndërkohë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, informoi të pranishmit mbi dy urdhrat e fundit të kryeministrit për forcimin e pozitave të personave me aftësi të kufizuara.  “Kryeministri sapo ka lëshuar një urdhër për zyrtarizimin e gjuhës së shenjave, e cila do të jetë një normë që të ndodhë për çdo fjalim, vendim dhe njoftim të rëndësishëm. Njëkohësisht është lëshuar një urdhër tjetër që të gjitha institucionet shtetërore e më pas dhe ato private të respektojnë kuotat  4% të punësimit të njerëzve me aftësi të kufizuar, tha Veliaj. Duke u ndalur tek abuzimet e fondit të pagesave për aftësinë e kufizuar dhe ndihmën ekonomike, Veliaj shtoi se “me marrjen e detyrës, mësuam se 96 % e fondit të aftësisë së kufizuar ishte shpenzuar. Një pjesë e madhe e tij ishte shpenzuar në fushatë. Pati një pretendim se arka e shtetit kishte 4 miliardë lekë në dispozicion të pagesave të aftësisë së kufizuar, por kishte vetëm 747 milionë lekë, nga 17,4 miliardë lekë që ishin akorduar nga buxheti i shtetit në fillim të vitit. Pra kishin mbetur vetëm 4% e fondit që mund të përdorej për pagesat e aftësisë së kufizuar, në kohën kur duhen 4 miliardë lekë për shlyerjen e tyre”, tha Veliaj.

    Abdulla Omuri

    Sot Shoqata e Invalidëve të punës së Shqipërisë, me rastin e Ditës ndërkombëtare pati një takim me gjithë kryetarët e Degëve të rretheve për të diskutuar në lidhje me situatën e invalidëve të punës në të gjithë vendin. Në këtë takim me ftesën tonë morën pjesë Kryeministri, Ministri i Punës, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë e shume organizata të tjera të grupeve të interesit. Në veçanti u diskutua edhe gjendja e rëndë social-ekonomike, shëndetësore për invalidët e punës, si mos marrja e ndihmës së paaftësisë, prej 5 muajsh, problemet e punësimit, problemet e përfitimeve të ilaçeve, problemi i qendrave të rehabilitimit e tjerë. Ne fjalën e tij Kryeministri e pranoi gjendjen, por siguroi se do të bëhet e pamundura për marrjen e lekëve. Natyrisht, ai mori një zotim ku të gjithë aktet ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me persona me aftësi të kufizuara, do të diskutohen me grupet e interesit. Në lidhje me pagesat, Kryeministri tha se do të bëhet e pamundura që për muajin Dhjetor paratë do të merren dhe pjesa tjetër në muajin Janar. I mirë është vendimi se këto para nuk do të digjen, por do të quhen fonde të mbartura. Në të njëjtën linjë ishte edhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ku foli se do të bëjmë të pamundurën për ngritjen e një Instituti Kombëtar Rehabilitimi. Në fund pati edhe diskutime nga Kryetarja e Degës së Invalidëve të Punës, Korçë, znj, Donika Jica në lidhje me punësimin, Kryetari i Degës së Invalidëve të punës, Shkodër, në lidhje me medikamentet dhe Kryetari i Invalidëve të punës, Tiranë në lidhje me strehimin.

     Bode: Rama po lë pa bukë personat me aftësi të kufizuar

    Kryeministri Rama, sipas Partisë Demokratike, nuk ka asnjë alibi për mos shlyerjen e detyrimeve ndaj personave me aftësi të kufizuar. Deputeti Ridvan Bode në një deklaratë për shtyp u shpreh se shefi i qeverisë mori 400 milion dollarë borxhe dhe nuk dha asnjë lekë për këtë kategori. “Personat me aftësi të kufizuara sot në Ditën Ndërkombëtare të tyre gjenden të braktisur dhe të harruar nga qeveria Rama. Pagesat për ta janë pezulluar nga kjo qeveri sepse ata nuk janë dhe nuk mund të jenë prioritet i qeverisë Rama. Kryeministri Rama u deklaroi sot rreth 200 mijë familjeve që presin ditën të marrin bukën e përditshme se buxheti nuk ka më para për ta dhe se fajin e ka qeveria e mëparshme që harxhoi paratë e buxhetit për fushatë elektorale. Buxheti i kryeministrit do të jetë 10 për qind më i madh nga ai që ishte programuar ose rreth 600 milionë lekë të reja më shumë nga sa ishte në fillim të vitit. Por para’, për persona me aftësi të kufizuar nuk ka. Rama nuk ka dhe s’mund të ketë asnjë alibi për lënien pa bukën e përditshme të rreth 200 mijë familjeve, sepse me platformën e tij të përbaltjes ndaj qeverisë së paraardhëse tashmë është bërë tepër bajate dhe askush nuk e beson”, tha Bode.