Trotuaret e bllokuar nga tavolinat e lokaleve, bashkia “dështoi” për lirimin e tyre

    432
    Sigal

    VËZHGIM/Nuk është zbatuar urdhri për lirimin e trotuareve nga pronarët e lokaleve

    Të kalosh nëpër disa trotuare në kryeqytetin shqiptar është një mision i pamundur, pasi zënia e tyre nga pronarët e lokaleve dhe nga tregtarët ambulant është kthyer në një fenomen mëse normal. Rrugicat e shumë lagjeve të kryeqytetit tashmë janë mbushur nga karriget dhe tavolinat që janë vendosur përgjatë rrugës. Nga vëzhgimet e bëra nga “Telegraf” në disa lagje të kryeqytetit, janë vënë re vetëm beton, shkallë që udhëzojnë daljen nga lokalet. Madje në shumë vende pronarët duan ta zgjerojnë aq shumë aktivitetin, saqë nuk iu bie shumë ndërmend nëse kalimtari duhet të kalojë në rrugë ose në trotuar, gjithashtu, nuk e kanë problem që e kanë betonizuar atë pak hapësirë për kalim duke prerë edhe pemët e mbjella në to. Tashmë në shumë rrugë të metropolit shqiptar nuk gjen më as 50 cm trotuar, pasi ai është zënë nga “bordurat” prej hekuri që janë vënë nga firmat e ndërtimit. Secilit nga ne i është dashur shumë herë të kalojë nëpër këto rrugë, apo edhe të presë në radhë për të kaluar në cepin tjetër të rrugës, ngaqë trotuari nuk ekziston. Ndër zonat më problematike renditet ish-Blloku, përgjatë të cilit nuk të sheh syri një pjesë të trotuarit të pazënë. Kudo të zë syri lokale që kanë nxjerrë tavolinat dhe karriget e tyre përgjatë trotuareve dhe këmbësorëve u duhet të kalojnë përmes turmës që ulet për të pirë kafe në lokal. Një panoramë të rrugëve pa trotuar, mund ta ndeshësh jo vetëm në lagjet periferike, por edhe në qendër të kryeqytetit shqiptar. Konkretisht, nëse të duhet të kalosh në qendër, përveç se zhurmës smogut dhe trafikut të krijuar, duhet të presësh në radhë për të kaluar në cepin tjetër të rrugës, pasi nuk ka trotuar. Në shumë lagje të kryeqytetit, për shkak të punimeve, trotuaret janë mbuluar nga trarët prej dërrase.

    Bashkia, nuk përmbushi planin e nisur

    Në lidhje me këtë fenomen bashkia e kryeqytetit ka pas nxjerrë një urdhëresë në datën 1 tetor të vitit të kaluar, por që realiteti tregon se ai plan nuk u zbatua nga bashkia për lirimin e trotuareve. Për sa i takon problemit të zaptimit të trotuareve nga subjekte të ndryshme, Bashkia e Tiranës ka bërë disa herë paralajmërime dhe aksione për lirimin e tyre, por që problemi nuk mori zgjidhje përfundimtare.

    Qytetarët: Nuk kemi ku të kalojmë, po dalim në rrugën e makinave

    Ata që janë më të shqetësuar nga “zaptimi” i këtyre trotuareve janë qytetarët të cilët çdo ditë duhet të kalojnë rrugë e pa rrugë për të shkuar në punët e tyre. Ndërkohë më tutje, pronarët e lokaleve kanë shfrytëzuar trotuarin për të zgjeruar aktivitetin e tyre. Këtë panoramë mund ta ndeshim edhe në disa lagje të tjera, por tashmë trotuari është zënë nga tregtarët ambulantë. Rruga ku ne duhet të kalonim është zënë nga frutat dhe perimet. Ndërkohë qytetarët shprehen se “Shumica e trotuareve në Tiranë janë kthyer në bare dhe restorante”. Ndërkohë më tej një tjetër qytetare thotë ” Tashmë nuk ka më trotuare. Ato janë zëvendësuar nga rrugët. Ju e shikoni vetë që qytetarët duhet të lëviznin në rrugën e biçikletave dhe të autobusëve për të kaluar në cepin tjetër. Asnjëri nuk mendon më për qytetarin. Ne nuk ecim më në atë hapësirën që na takon”,-shton më tej një qytetar.

    Makina

    Ndërkohë që, në radhë të atyre që zënë trotuaret janë edhe automjetet, të cilët nga mungesa e vendeve të parkimit, zënë trotuaret. Në të vërtetë të kalosh në disa lagje të kryeqyteti është vërtet një makth, pasi trotuaret janë kthyer në parkingje private. Ky problem është më evident në brendësi të lagjeve, pasi më në qendër kushdo që parkon në trotuar gjobitet nga policia bashkiake. Në fakt ky është një problem individual dhe jo një problem i strukturave shtetërore. Qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të mendojnë dhe për banorët e lagjes ose më mirë kalimtarët.