Trevat Shqiptare- Opari

    888
    Sigal

    Luan ISLAMI

    Opari, krahina më malore e Qarkut të Korçës, është një krahinë sa e vjetër, po aq dhe me një histori të veçantë që nga lashtësia dhe deri në ditët tona. Aty ku është Komuna e Moglicës, në lashtësi kalonte një pjesë e rrugës “Egnatia”. Jo shumë larg qendrës së komunës, është fshati Zerec, origjina e dinastisë së madhe të Muzakajve, që ishin  zotër të gjithë Oparit nga Zereci e deri në Marjan e më larg akoma. Pranë këtij fshati është Bunga dhe ish-kisha e Shën Mërisë, në të cilën, sipas memories të Gjon Muzakës të vitit 1510, ku “Gjin Muzaka, im atë dhe gjyshi juaj, vdiq në Seres (Zerec) dhe u varros në kishën e Shën Mërisë, që ai vetë e kishte ngritur në Bungë dhe  e kishte varrin jashtë saj, nga ana e Jugut dhe kështu dhe nëna ime, edhe zonja Kiranë (zonja Anë), gjyshja ime, nëna e tim ati, janë varrosur në këtë kishë që thashë, nga ana e Perëndimit dhe e përmendura zonjë, gjyshja ime, ngriti kishën e Shën Triadhës (ndërtuar më 1470) në Lavdar të Xerjes” Në  këtë krahinë është fshati Rosover, origjina e Pashait të Egjiptit, Mehmet Ali Pasha, i cili tronditi themelet e Perandorisë Osmane, duke krijuar një dinasti, që vazhdoi gati dy shekuj. Për të dijetari i shquar, Profesor Aleksandër. Nga kjo krahinë është usta Mehmet Isaja, që projektoi e ndërtoi një nga mrekullitë e botës, Taxhamahallin, në Argas të Hindisë, ashtu si ishte oparak edhe Petro Korçari, kryearkitekt i Pashallëkut të Janinës. Apo akademiku me famë botërore, Nikolla Jorga, si dhe Dhanil Oparaku, pjesëmarrës i “Shoqërisë së Shkronjave” më 1879 e Anesti Gogolli, anëtar i “Vllazërisë Shqiptare”. Dhe lista e burrave të shquar që ka nxjerrë kjo krahinë është shumë e gjatë. Historia e krahinës së Oparit është e lidhur si binjakët siamizë me Voskopojën, siç thotë kënga: “Voskopoja me Oparë,/ Janë një e të pandarë,/ Kanë një gjak e një zakon,/ Shën Prodhomi i bekon”.. Ishin oparakë ata që shkruan historinë e Voskopojës, si K. Skënderi nga Dushari apo J. Martiniani. Oparakët edhe lagjen e tyre me kishën e Shën Ilisë, që dhe sot quhet lagjja e oparakëve. Nuk harrohen kryengritjet e oparakëve në vitet 1701-1702 kundër pushtuesve osmanë, të udhëhequra nga Ibrahim Burri Dushari, (Sherrbelaja) Hysen Zela e Avdyl Azizi. Bijtë e kësaj krahine do t’i gjeje pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në luftën e Çermenikës, me në krye Mehmet Dusharin, si thotë kënga: “Kush ia preu kollozit krahnë,/ Mehmet Dushari me të vëllanë!”, Si dhe betejat e  zhvilluara nga Shahin Matraku me çetën e tij të „kaçakëve“. Patriotët oparakë do t’i gjeje pjesëmarrës në “Shoqërinë e Shkronjave” të Stambollit më 1880. Do të merrnin pjesë në Kongresin e Manastirit për vendosjen e alfabetit. Do të shoqëronin Ismail Qemalin në ngritjen e flamurit në Vlorë. Edhe kur andartët grekë, gjatë viteve 1913-1914 u turrën kundër kësaj krahine, oparakët i priten me pushkë, që në Kulat e Gjergjevicës e deri në Qafën e Martës. Bijtë e Oparit të mbushnin edhe radhët e çetave patriotike të Themistokli Gërmënjit e të Sali Butkës. Edhe kur fashistët pushtonin vendin tonë, ishte atdhetari, Shaban Zereci, që në qershor të vitit 1942 do të krijonte çetën Gorë-Opar, çetën e tretë në Shqipëri, pas asaj të Pezës e të Skraparit. Këtë çetë, gjatë vitit 1942, do ta pasonin edhe gjashtë të tjera me komandantë patriotë oparakë, si çeta e Oparit, me komandant Xume Protopapën, e Moglicës me në Hasan Moglicën, e Brozdovecit, me Koçi Meçen, Kurora” me Asllan Gurrën, “Ostrovica” me Agush Gjerhjevicën, ajo e grave e vajzave me komandante oparaken Kleopatra Maliqi (Sofroni), ajo nacionaliste e Musa Moglicës.

    Opari gjithnjë ka qenë djep patriotizmi, prandaj nuk është rastësi që në këtë krahinë janë formuar dy brigada partizane E pesëmbëdhjetë në Protopapë dhe e Njëzeta te “Kroi i Burit” afër Dusharit. Nuk është rastësi që shtabi i luftës Nacional-Çlirimtare për gjithë qarkun e Korçës, vendqëndrimin e kishte në Opar. Ashtu si e kishte selinë në këtë krahinë edhe Këshilli Nacional-Çlirimtar për gjithë qarkun, intendenca e punëtoria partizane. Aty u formua edhe “Ansambli i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare”. Shtëpitë oparake u bënë jatak e u kthyen edhe në spitale për luftëtarët e lirisë. Opari është shquar jo vetëm për bujari, patriotizëm e trimëri, por edhe për arsim e kulturë. Qysh në vitin 1852, aty mësohej gjuha shqipe sipas abetares së Naum Veqilharxhit. Në qendër të kësaj krahine, në Lavdar ishte hapur shkolla shqipe më 1899, ku dha mësim “Mësuesi i Popullit”, Nuçi Naçi, shkolla që mbrohej nga kapedan Shahin Matraku. Kjo krahinë nga më malor, nuk është vetëm një djep patriotizmi e bujarie, por edhe një krahinë turistike me nja bukuri të rrallë natyrore, që nga Qafa e Martës deri në Qafën e Gjarprit e Gurin e Prerë, me livadhe alpine, ujëra të ftohta, ujëvara piktoreske, liqej malorë e pyje të gjelbëruar. Për bukurinë e hijeshinë e kësaj krahine, patrioti Nuçi Naçi, kur bujti në këtë krahinë, do të thoshte: “Në do të shikoni Zvicrën, shkoni në Opar!” U dogj, u shkatërrua, u vra kjo krahinë malore, por nuk u nënshtrua. Dy operacione të forta bënë armiqtë në Opar. Bënë masakra në shumë fshatra, në Karbanjos, Osojë, Xerje, Shkozanj, Marjan, Gjergjevicë e gjetkë. Dogjën shumë shtëpi baza të luftës, por nuk mundën t’i largonin oparakët nga lufta çlirimtare. Rreth 450 burra, djem e vajza nga Opari rrokën armët e mbushën radhët e çetave, batalioneve, brigadave e njësiteve partizane, 96 prej tyre dhanë edhe gjënë më të shtrenjtë, jetën për lirinë e çlirimin e vendit. Kjo krahina pas vitit 1990 u braktis. Por të gëzon fakti se mjaft oparakë po rikthehen në vatrat e tyre, po rindërtojnë shtëpitë e braktisura e po ndërtojnë shtëpi e vila të reja, si në Gjergjevicë, Gjonbabas, Marjan, Dushar, Dobërçan, Zerec e gjetkë. Po bëhen ndërtime urash e rrugësh të reja, si në Marjan, Dushar, Moglicë, Dobërçan, Gopesh apo rruga e zgjeruar Lekas-Xerje, për ndërtimin e hidrocentralit të ri. Por ai që do t’i shtojë begatinë dhe mirëqenien e kësaj zone, është ndërtimi i hidrocentralit të madh të Moglicës, me një basen ujëmbledhës sa 1000 fusha futbolli. Ai jo vetëm do të punësojë shumë oparakë e do të shërbejë edhe për ujitje, por do t’i shndërrojë disa fshatra nga malorë në liqenorë.

    Oparakët dhe pasardhësit e tyre, kudo ku jetojnë e punojnë, brenda dhe jashtë vendit, duhet të jenë krenarë për këtë krahinë të rrethuar me male të lartë, se ku ka male ka dhe shqiponja, ku ka male ka dhe krenari.

    Në 70-vjetorin e çlirimit të krahinës

    Këto ditë oparakët u mblodhën në 70-vjetorin e Çlirimit të krahinës që u festua me madhështi edhe në kuadrin e 100 -vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Në këtë ditë të shënuar, ku u mblodhën në Moglicë, jo vetëm oparakë nga fshatrat e dy komunave, Moglicë e Lekas, por edhe oparakë të larguar brenda e jashtë shtetit. Të pranishmit i  përshëndeti kryetari i komunës së Moglicës, zoti  Gëzim Beqiraj. Ndërsa  në emër të Prefekturës së Korçës, u uroi festën, prefekti Andrea Mano. Gjithashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Lekasit, Shefki Molla. Në emër të veteraneve të luftës, pjesëmarrësit i përshëndeti Tomorr Hasanbella, ndërsa në emër të shoqatën “Opari” përshëndeti kryetari i saj për Korçën, Apostol Bitraku. Një gjallëri të veçantë i dha festës edhe këngëtarja Lazarela.