Treni ndalet në Rashkë, policia e Kosovës në Jarinjë

792
Sigal

Treni i nisur nga Beogradi me destinacion Mitrovicën, të paktën nga ajo që raportojnë mediat serbe, është ndalur në zonën e Rashkës.
Agjencia serbe e lajmeve, Tanjug thotë se treni ka ndalur dhe se në Jarinjë ndodhen forca të shumta të policisë së Kosovës, mbështetur nga mjete të rënda motorrike.
Treni mban mbishkrimin “Kosova është Serbi”, mbishkrim që sipas Beogradit nuk është provokim.
Mediat kosovare bëjnë të ditur se trupat e KFOR-it do të ndalojnë hyrjen e trenit në territorin e Kosovës dhe disa prej tyre, duke cituar burime nga Presidenca, thonë se Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë urdhër që trenit të mos i lejohet hyrja në Jarinjë.
Më herët, policia e Kosovës ushtroi një kontroll të imtësishëm në gjurmët e hekurudhës pas raportimeve se në të ishte vendosur një sasi lënde shpërthyese.
Zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti tha se nuk u gjet asnjë lëndë shpërthyese dhe se lajmi ishte i pasaktë.