Trekëndëshi farmaceutik Turqi-Rusi-Shqipëri, “risi” e ministrit Beqja

    465
    Sigal

    Vijojnë ofertat turistike për mjekët dhe farmacistët nga kompanitë xhenerike farmaceutike

    Barnat jocilësore vijojnë të hyjnë në tregun shqiptar nëpërmjet kompanive xhenerike farmaceutike, të njohur ndryshe si mbështetësit e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja. Dje gazeta “Telegraf” tregoi skemën e futjes së barnave në tregun tonë farmaceutik nga kompanitë xhenerike, duke korruptuar mjekët dhe farmacistët me anë të ofertave turistike dhe përqindjeve përkatëse. Sot vijojmë me një tjetër ofertë turistike të kompanisë xhenerike farmaceutike “Deltafarma” ose “Stada” për farmacistët, si e vetmja mënyrë për shitjen e barnave të tyre.

     Oferta e re për në Moskë

    Kompania Stada u ofron farmacistëve një udhëtim në Moskë, në këmbim të blerjes prej tyre të një sasie barnash prej 800 000 lekësh. Ajo çka është interesante në këtë ofertë është se për të përmbushur kriteret për ofertën e udhëtimit për në Moskë kompania xhenerike i jep farmacistëve listën e barnave që duhet të blejnë, ku disa prej tyre i përcakton si të detyrueshme. Shumica e barnave, ndër të tjerat dhe ato të detyrueshmet, e kanë origjinën nga Turqia, shumë e përfolur për falsifikimin e barnave. Ndërsa Ligji i Barnave e përcakton saktë territorin e importit të barnave, ku në asnjë klauzolë nuk përfshihet Turqia. Në pikën 2 të nenit 13 të ligjit Nr 9323, datë 25.11.2004 thuhet se: “QKKB pranon për regjistrim: a) barnat e prodhuara në vendin tonë, si dhe barnat e regjistruara dhe që qarkullojnë në njërin nga vendet e Bashkimit Europian, Zvicër, SHBA. Kanada, Japoni, Australi; b) barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit, vetëm kur janë të regjistruara dhe qarkullojnë në vendin e tyre prej jo më pak se 2 vjetësh”. Në kundërshtim me Ligjin e Barnave kompania mbështetëse e ministrit Beqja, përveçse firmës tregon dhe listën e barnave turke që kanë pushtuar tregun tonë farmaceutik. Në listën e barnave tre prej tyre nënvizohen si blerje e detyrueshme për farmacistët: Forsef 1g IM 1 vial+1 amp*4ml, me ofertë nëse blen 10 merr 3 plus; Largopen 1g, me ofertë nëse blen 5 merr 1 plus; Sekrol 30 mg 20 tablets, me ofertë nëse blen 5 merr 1 plus. Oferta turistike për në Moskë na tregon trekëndëshin Turqi-Rusi-Shqipëri, nëpër të cilën duhet të kalojnë barnat për të ardhur në tregun tonë farmaceutik.

    Gjyqi i ministrit Beqja me grosistët në 10 qershor

     10 qershori është data e gjyqit e caktuar sot në seancën parapërgatitore midis Unionit të Biznesit Farmaceutik dhe Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja. Ky gjyq vjen pas urdhëresës së ministrit Beqja për të shtyrë datat e tenderit dhe për të hequr disa nga kërkesat për t’u kualifikuar për tender. Meqë ministri Beqja nuk reagoi pas denoncimit publik të grosistëve të këtij skandali në shëndetësi, Unioni i Biznesit Farmaceutik pa si të vetmen shpresë organet e drejtësisë për t’i shkuar të vërtetës deri në fund.