Tregu shqiptar, “joshës” për bizneset serbe

584
Sipërmarrjet serbe janë ato që shkrijnë akujt e marrëdhënieve, herë-herë të tensionuara mes dy vendeve. Duke anashkaluar çfarë ndodh në rangun politik, investitorët kanë vetëm një qëllim, të gjejnë partnerë biznesi në Shqipëri. Një ndër këto është edhe kompania që prodhon mjete të ndryshme pune, “Beorol”, e cila përmes prezantimit në panairin “Klik Ekspo Group” që do të hapë dyert në Pallatin e Kongreseve, më 21-25 nëntor, synon të zgjerohet edhe në vendin tonë. Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Mohamed Bandora, shprehet se, panairi “Klik Ekspo Group” është një pikëtakim i shkëlqyer për të krijuar kontakte të reja dhe për të lidhur marrëveshje biznesi. Serbia e shikon tregun shqiptar, si shumë tërheqës për të zgjeruar tregtinë.
Sigal

Ju, si kompani që vini nga një shtet i rajonit, pse ju intereson njohja e tregut shqiptar? Çfarë gjeni interesante në këtë treg?

Duke e ditur se, Shqipëria ka një potencial të madh dhe një ekonomi të brendshme në rritje, ne besojmë se mund të zgjerojmë marrëdhëniet e biznesit midis kompanisë sonë dhe shumë kompanive nga Shqipëria. Ne kemi për qëllim që t’i sigurojmë tregut shqiptar produkte të cilësisë së lartë, në një raport të shkëlqyer midis kostos dhe cilësisë, në krahasim me shumë furnizues të tjerë nga e gjithë bota. Meqenëse tregu shqiptar ka nevojë për furnizues të besueshëm nga rajoni (Ballkani), i cili mundëson tregtinë me kosto minimale të transportit dhe duke pasur parasysh marrëveshjet ekonomike mes vendeve të rajonit, ne besojmë se mund të zëmë një vend në këtë zinxhir të furnizimit për tregun shqiptar.
Kjo natyrisht do të jetë e dobishme për të dy vendet, duke pasur parasysh se të dyja kanë një ekonomi strategjike dhe në rritje në Ballkan.

Sa entuziastë jeni në rezultatet që do të sjellë panairi “Klik Ekspo Group”, në këtë qëllim?

Ne besojmë se rezultatet do të jenë pozitive për sa i përket krijimit të mundësive për të bërë biznes, që do të përmirësojë tregtinë ndërmjet kompanisë sonë dhe kompanive potenciale në Shqipëri.

A mendoni se ky panair do të jetë i dobishëm për kompaninë tuaj?

Ne besojmë se panairi “Klik Ekspo Group” do të jetë shumë i dobishëm për sa kohë do të ofrojë mundësi për të krijuar kontakte të reja të biznesit, që do të rezultojnë në arritjen e marrëveshjeve të biznesit.

Çfarë produktesh ofron kryesisht, kompania juaj?

Kompania “Beorol”, është me seli qendrore në Beograd, Serbi. Ndërkohë që degët dhe zyrat e saj janë të shtrira në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kinë, Hungari, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali të Zi dhe Maqedoni. Kompania “Beorol” është një nga prodhuesit kryesorë të rrulave dhe furçave për lyerje, ngjitëse, mjeteve dhe pajisjeve plastike, etj. Me linjën tonë të prodhimit, të pozicionuar në Serbi, cilësia europiane dhe dërgimi në kohë të shkurtër, janë të garantuara. Portofoli i plotë i kompanisë është i plotësuar me më shumë se 1000 produkte të ndryshme.