Transportuesit shqiptarë: “Shteti të na ndihmojë!”

    381
    Sigal

    Kompanitë italiane rrisin tarifat e lundrimit për kamionë e trajlera

    Agjencitë e spedicionere në Durrës dhe jo vetëm në këtë qytet, të cilat punojnë me Italinë dhe me vendet  e tjera europiane, po përjetojnë një periudhë të vështirë, aq sa ekzistenca e shumë prej tyre është vënë në pikëpyetje. Sikur të mos mjaftonin, taksat absurde të rrugës dhe ngarkesës të cilat i paguajnë vetëm kamionët shqiptarë e ato iranianë apo sirianë, kompanitë e lundrimit në Itali që operojnë me Durrësin kanë njoftuar rritjen e tarifave të lundrimit për kamionët dhe trajlerat. Kjo situatë ndodh për të pestin vit, ndërkohë që, qeveritë dhe shteti shqiptar ka vendosur vetëm të heshtë. Vendimin për rritjen e tarifave për kompanitë shqiptare e kanë marrë kompanitë fqinje të linjave me Triesten dhe ato të Barit të cilat frekuentohen dendur nga transportuesit shqiptarë. Tarifat e lundrimit si për trajlerat ashtu dhe për kamionët, si kur shkojnë në Itali ashtu dhe në kthim, kanë pësuar rritje të madhe. Pronarët e agjencive të transportit spedicioner në Durrës me  kamionë dhe trajlera, janë vënë në pozitë të vështirë, pasi ekzistenca e tyre është në pikëpyetje. Ata janë përpara dilemës nëse duhet të rrisin tarifat e transportit kundrejt tregtarëve grosistë apo të pranojnë uljen e normës së fitimit. Të ndodhur në këtë situate, ata kërkojnë ndihmën e shtetit në mënyrë që tarifat të shkojnë në nivelet ku ishin më parë.

     Tarifat

     Gjatë  muajve të fundit, kompanitë e lundrimeve kanë dërguar pranë agjencive spedicionere tabelat, ku janë pasqyruar tarifat e reja që ato ofrojnë për transportin e  trajlerave dhe kamionëve. Në tabela vihet re një rritje drastike e tarifave të lundrimit e cila tashmë ka hyrë në fuqi. Kështu tragetet e Triestes njoftojnë se transportimi i një traljeri nga Durrësi në Trieste në gjendje të boshatisur kushton 628 euro në një kohë që vetëm disa javë më parë kushtonte 490 euro. Ndërsa një trajler plot që të mbërrijë në Trieste duhet të paguajë 698 euro nga 625 euro që ishte më parë. Në kthim, një trajler bosh paguan për transport 694 euro nga 640 që ishte, ndërsa plot 779 euro nga 650 euro që kushtonte më parë. Po kështu rritje e tarifave është vendosur edhe për kamionët e tonazhit të madh. Një kamion bosh që niset nga Durrësi për në Trieste duhet të paguajë 837 euro nga 750 që paguante, ndërsa plot 927 euro nga 860. Nga Triestja në Durrës për një kamion bosh tarifa kushton 905 euro nga 850 që ishte, ndërsa për një kamion plot 980 euro nga 750 që ishte. Të njëjtin vendim kanë marrë edhe kompanitë e lundrimit që operojnë Bari-Durrës. Në shkresën e tyre dërguar agjencive spedicionere thuhet se “çmimet e linjës Durrës-Bari kanë ndryshuar, kamionët 16 metra nga 205 euro duhet të paguajnë 250 euro. Trajlerat 13,5 metra nga 225 euro duhet të paguajnë 260 euro. Ndërsa nga Bari në Durrës kamionët nga 250 euro do të paguajnë 280 euro, ndërsa trajlerat nga 260 euro do të paguajnë 307 euro”.

     Agjencitë

     Të ndodhur  përpara kësaj situate të përsëritur agjencitë spedicionere janë kapur në befasi. Ato mbulojnë 60 % të importeve në shkallë vendi. Pronarët e tyre janë në dilemë, nëse duhet të rrisin edhe ata çmimin kundrejt tregtarëve grosistë për llogari të të cilëve punojnë apo të pranojnë uljen e normës së fitimit. Tashmë ata, përveç taksës së rrugës dhe ngarkesës me vlerë 274 euro të cilën e paguajnë vetëm ata dhe kolegët e tyre nga Irani dhe disa vende të tjera arabe do të ndeshen edhe me këtë rritje të tarifave të trageteve. Për ata, kjo rritje është absurde. Ata sjellin si shembull tarifën që aplikohet me Turqinë e cila është 600 euro edhe pse ndodhet 2 herë më larg se Durrësi.  Spedicionerët kërkojnë ndihmën e shtetit dhe akuzojnë  konkretisht  ish-drejtuesit e Ministrisë së Transporteve. Sipas tyre kjo ministri, në kohën kur rinovon licencat për tragetet, duhet të caktojë edhe tarifa tavan për kompanitë e lundrimit. Me tarifat e reja, transportuesit e vegjël, të cilët kanë nga 1 deri në 4 kamionë në pronësi, rrezikojnë falimentimin, sqarojnë në agjencitë spedicionere.

     Fakt

    Taksat absurde të rrugës dhe ngarkesës vetëm për shqiptarët

    Rriten tarifat e lundrimit për kamionët dhe trajlerat:

    Transportimi i një traljeri bosh nga Durrësi në Trieste 628 euro nga 490 euro

    Transportimi i një trajleri plot nga Durrësi në Trieste 698 euro nga 625 euro

    Transportimi i një kamioni bosh nga Durrësi në Trieste 837 euro nga 750 euro

    Transportimi i një kamioni plot nga Durrësi në Trieste 927 euro nga 860 euro