Transporti në Tiranë, torturë e vërtetë për qytetarët

1410
Banorët e kryeqytetit çdo ditë detyrohen të përdorin transportin urban, si të vetmen mundësi të transportit publik, ndryshe nga kryeqytetet e tjera evropiane dhe më gjerë, që ofrojnë mundësi të ndryshme të këtij transporti publik. Numri i personave që detyrohen të përdorin çdo ditë autobusët është mjaft i lart. Ndërsa mungesa e ofrimit të shërbimit sipas standardeve të duhura është prezentë dhe e dukshme. Situata paraqitet kaotike në linjat më kryesore, siç janë urbanët që mbulojnë zonën e Unazës dhe Tiranën e Re, ku numri i qytetarëve që lëvizin sidomos në mëngjes për në punë ose destinacione të ndryshme, është më i madh se kapaciteti që mund të përballohet nga autobusët.
Problemet kryesore në transportin urban në Tiranë
Mungesa e sistemit të larmishëm të ofrimit të shërbimeve sa i përket transportit publik në Tiranë, ku mund të realizohet përmes trenit, tramit etj. (nëse do ekzistonit dhe projektet e premtuar do realizoheshin) i përball qytetarët të cilët nuk kanë makina private dhe detyrohen të udhëtojnë me autobus shpeshherë me vështirësi. Problemet kryesore sipas qytetarëve të cilët u prononcuan për gazetën “Telegraf”, është mbipopullimi i pothuajse të gjitha linjave që operojnë në Kryeqytet. Një nga qytetarët i cili ndodhej në linjën e Unazës thekson se “numri i njerëzve të cilët hipin në urban është shumë i lartë, dhe kjo na detyron të qëndrojmë ngjitur e njeri-tjetrin, duke i favorizuar edhe hajdutët të cilët janë prezent në urban”. Por mbipopullimi i urbanëve nuk është i vetmi shqetësim për qytetarët, pasi nuk janë të pakta rastet ku ata detyrohen të qëndrojnë gjatë në stacion të autobusit, për shkak të trafikut të renduar dhe numri jo të mjaftueshëm të autobusëve. Në një kohë që frekuenca e autobusëve nga njëri stacion në tjetrin duhet të jenë nga 4-8 minuta, ky afat nuk respektohet në të shumtën e rasteve. Mungesa e korsive të veçanta për qarkullimin e urbanëve, është një tjetër fenomen problematik që i vështirëson transportit urban ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve, në pritshmërinë e këtyre të fundit. Edhe pse është premtuar nga të dy partitë politik kryesore që kanë drejtuar Bashkinë e Tiranës, si të majtët ashtu edhe të djathtët që do të investohet sa i takon zgjedhjes së problemit të korsive të veçanta, ende ky premtim nuk është realizuar, ndërsa qytetarëve u mbetet të përballen çdo ditë më vështirësi sa i përket këtij sektori. Në Tiranë funksionojnë aktualisht 10 linja të transportit urban. Linjat që mbulojnë lëvizjet në Tiranë janë “Kombinat – Kinostudio”, “Tirana Re- Stacioni Trenit- Unaza Doganës-Tirana Re”, “Unaza”, “Porcelan”, “Sauk”, “Laprakë”, “Uzina Traktori”, “Tufinë”, “Institut Bujqësor” dhe “Sharre”. Sipas statistikave, dy nga linjat më të frekuentuara janë ato të Unazës dhe Kombinat-Kinostudio. Në periudhën nga muaji nëntor në mars, autobusët e unazës nisin lëvizjen nga ora 5:30 deri në 24:00, ndërsa në pjesën tjetër të vitit, prej orës 5:00- 24:00.
Sigal