Totozani: Të miratohet një ligj, që përcakton njohjen “de jure” të minoriteteve

    173
    Avokati i Popullit në bashkëpunim me OSBE-në organizuan në Gjirokastër një Auditorium mbi gjendjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri. Aty morën pjesë Z. Igli Totozani, Avokat i popullit, z. Robert Wilton, Zv ambasador i OSBE, Znj. Kostandina Bezhani drejtuese e Komitetit Shtetëror të Kulteve, përfaqësues të qeverisë si dhe të minoriteteve në vendin tonë. Avokati i Popullit vlerësoi si prioritet mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, duke i konsideruar ato si një pasuri kombëtare e çmueshme për të shkuarën dhe të ardhmen e vendit. Por pavarësisht hapave pozitivë për një bazë normative sa më afirmuese mbi të drejtat e minoriteteve, Avokati i Popullit theksoi se ndjehet nevoja e përmirësimit të këtij legjislacioni, pasi vërehen mangësi.
    Avokati i Popullit paraqiti nevojën e miratimit të një ligji, ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”, të ratifikuar me ligjin nr.8496 datë 3.06.1999. Totozani tha se është i nevojshëm, fillimi dhe përfundimi i procesit për ratifikimin e Kartës Europiane për Gjuhët Rajonale, ose Minoritare. Mjaft i rëndësishëm konsiderohet edhe përmirësimi i kuadrit ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, me fokus disa përmirësime në nenin 1, të Ligjit nr.10221, datë 4.02.2010 “Për mbrojtjen kundër diskriminimit”, duke përfshirë në këtë nen si shkaqe për diskriminim; kombësinë; qëllimin e shpallur për të diskriminuar; nxitjen për diskriminim; ndihmesën dhe inkurajimin e diskriminimit.
    Totozani saktësoi se pavarësisht proceseve të regjistrimit të popullsisë të ndërmarra nga ana e shtetit, (përfshirë këtu censusin e vitit 2011), gjendemi para faktit të një debati mes deklarimit zyrtar të shifrave të popullsisë minoritare në vend dhe nga ana tjetër të mospranimit dhe kontestimit të tyre nga ana e vet minoriteteve. “Ky moment konstaton mungesën e të dhënave të sakta statistikore mbi popullsinë minoritare, të dhëna këto që të jenë të pranueshme nga të gjitha palët”, u shpreh Avokati I popullit në këtë takim. Sipas tij është i domosdoshëm realizimi i një procesi të regjistrimit të popullsisë (censusi), të pakontestuar dhe të gjithëpranuar edhe nga minoritetet dhe komunitetet e tjera, i cili do të jepte shifrat reale të popullsisë minoritare, apo edhe të komuniteteve të tjera. Pas inspektimeve dhe mbedhjes së fakteve në terren, institucioni I Avokatit të Popullit ka përgatitur edhe një raport të detajuar mbi situatën reale të minoriteteve, dokument ky që është dorëzuar edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Raporti konstaton se:
    – Perceptimi i përgjithshëm që ekziston tek minoritetet dhe komunitetet e tjera është se, barazia formale ekziston por ka elementë të jetës së përditëshme të cilat identifikojnë mungesën e barazisë thelbësore.
    -Njohja e akteve normative që garantojnë të drejtat e minoriteteve shfaqet në nivel jo të kënaqshëm.
    – Sa i takon masave që duhet të marrë shteti për ruajtjen e identitetit të minoritetit, (kuptuar këtu masat për ruajtjen e zhvillimin e kulturës, besimit fetar, gjuhës, traditave dhe trashëgimisë kulturore), identifikohet se nga ana e shtetit janë marrë përgjithësisht masa, por ato konsiderohen ende të pamjaftueshme nga ana e minoriteteve.
    -Pjesëmarrja në sistemin arsimor shtetëror është e lirë dhe pa pengesa. E njëjta situatë shfaqet edhe në ushtrimin e lirisë së tubimit, organizimit në shoqata, apo të shprehjes së ndërgjegjes dhe besimit fetar. Konstatohet gjithashtu përdorim i lirshëm i gjuhëve minoritare, apo edhe i informacioneve personale në jetën e përditëshme. Kontaktet me personat e tjerë të së njëjtës kombësi, apo të kombësive të tjera jashtë kufirit janë të lira.
    – Ekzistenca e shtypit të shkruar dhe mediave audiovizive lokale në gjuhën minoritare, vërehet se ka mungesa që vijnë kryesisht për shkak të mosfinancimit të tij nga ana e shtetit dhe aftësive të pakta që realisht ekzistojnë për financimin e tij, nga ana e individëve privatë.
    – Sa i takon përfshirjes së njohurive në tekstet shkollore shtetërore mbi minoritetet në vend, konstatohet se, përfshirja është e pakët dhe e pamjaftueshme dhe se, jo të gjithë fëmijët minoritarë marrin mësime në sistemin shtetëror arsimor, në gjuhën e tyre amtare. Shkollat me sistem dygjuhësh ekzistojnë, por jo për të gjithë minoritetet dhe ato janë të nivelit nëntëvjeçar.
    -Të drejtat që fëmijët në minoritete dhe komunitete të tjera duhet të gëzojnë specifikisht, për shkak të origjinës së tyre dhe përkatësisë së ndryshme në elementët, që trajtojnë diversitetin kulturor dhe gjuhësor nga pjesa tjetër e popullsisë mazhoritare jo adulte, respektohen, por sikurse kemi theksuar në Raportin e veçantë për gjendjen e minoritetit Rom, mbetet problematik shfrytëzimi i fëmijëve të këtij minoriteti për punë, ndjekja e procesit arsimor, si dhe rastet e trafikimit.
    Nisur nga kjo situatë Avokati i Popullit bëri disa rekomandime mes të cilave edhe:
    -Krijimin e kushteve për rritjen e mirëqënies në zonat ku banojnë minoritetet dhe komunitetet e tjera, përfshirë këtu edhe financimin me një buxhet më adekuat për njësitë e qeverisjes vendore, ku ka komunitete minoritare dhe komunitete të tjera në një masë dalluese me pjesën tjetër të popullsisë mazhoritare.
    – Marrja e masave konkrete ligjore dhe administrative për përmirësimin e aksesit në strehim, shërbimet e arsimit, shërbimet sociale dhe pjesëmarrjen në jetën publike veçanërisht të minoritetit Rom, por edhe të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në vend. Integrimin real të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në jetën e përditëshme, veçanërisht në strukturat qeverisëse në nivel vendor, apo qëndror.
    Sot në Shqipëri njihen dy lloje minoritetesh, minoritetet etnike kombëtare ku përfshihet minoriteti Grek, minoriteti Maqedon dhe minoriteti Serbo-Malazez, si dhe minoritetet etno gjuhësore, ku përfshihen minoriteti Vllah dhe minoriteti Rom. Ekzistojnë edhe disa kominutete të tjera të ndryshme nga popullsia etnike shqiptare, siç janë komuniteti Boshnjak, komuniteti Egjiptian, apo edhe komuniteti Goran. Veçanërisht komunitetet e tjera, rezultojnë të jenë në një fazë kur kanë realizuar disa të drejta që efektivisht u takojnë minoriteteve zyrtarisht të njohura në Shqipëri, ndërkohë që ato nuk gëzojnë këtë status. Edhe nëse ato do të kërkojnë aktualisht të marrin statusin e minoritetit, e kanë të pamundur të orientohen ligjërisht për rrugën që duhet të ndjekin.