Totozani: Të drejtat e LGBT në Shqipëri, mbeten tabu për institucionet dhe shoqërinë tonë

    377
    Avokati i Popullit së bashku me një grup të shoqërisë civile organizuan sot Auditoriumin: “Të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri”.  Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Randy Berry, i dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut të Personave LGBT. Të pranishëm ishin përfaqësues të shumtë nga shoqëria civile dhe autoritetet shtetërore. Organizimi i këtij auditoriumi u mundësua përmes financimit të Mbretërisë së Danimarkës.  Në konferencë u diskutua mbi të drejtat e personave LGBT, perceptimet mbi realitetin, çfarë mund të bëjnë institucionet, si dhe ku qëndron Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Totozani, në fjalën e tij tha se situata për komunitetin LGBT vazhdon të mbetet tabu si për institucionet shtetërore ashtu edhe për shoqërinë shqiptare. 
    Totozani përmendi shumë rekomandime drejtuar institucioneve shtetërore për këtë qëllim, si dhe punën për monitorimin e zbatimit të kuadrit ligjor. Ndërsa theksoi se personat e komunitetit LGBT duhet të gëzojnë të drejta të barabarta me të gjithë qytetarët e tjerë, dhe se nuk bëhet fjalë për t’u garantuar privilegje apo të drejta të veçanta.  Avokati i Popullit konsideroi si mjaft të rëndësishëm edhe rolin e trupës gjyqësore, si dhe organeve të ruajtjes së rendit, në mënyrë që të mos përdoren standarde të dyfishta, por të respektohen ligjet në fuqi. “Të drejtat nuk fitohen lehtë, për to duhet guxim dhe shumë punë, ndaj duhet të denoncojmë çdo rast dhune i çfarëdo forme qoftë ajo”. “Miratimi i ligjit kundër diskriminimit, është një arritje e rëndësishme, por akoma edhe më i rëndësishëm mbetet zbatimi i tij. Për këtë është i domosdoshëm bashkëpunimi i ngushtë mes shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore”, tha Totozani. Totozani vuri në dukje edhe indiferencën e deritanishme shtetërore duke thënë se prej dy vitesh mbeten ende të pashqyrtuara dy projektligje tepër të rëndësishme të përgatitura edhe me asistencë ndërkombëtare. Avokati i Popullit garantoi se institucioni që drejton do të jetë një mbështetës i fuqishëm i të drejtave të çdo individi, si dhe i nismave që iniciohen nga shoqëria civile. 
    Sigal