Totozani rekomandim Bushatit: Të zbardhet fati për të gjithë personat e zhdukur me forcë

    375
    Avokati i Popullit i ka dërguar një rekomandim Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati për marrjen e masave të nevojshme në zbatim të përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”.

    Në shkresën drejtuar Ministrisë së Jashtme, Avokati i Popullit rekomandon:
    – Marrjen e masave të nevojshme në zbatim të nenit 29, pika 1 të Konventës së OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë” për përgatitjen dhe dërgimin e raportit përkatës në Komitetin e Zhdukjeve me Forcë të OKB-së.
    – Marrjen e masave të nevojshme për njohjen dhe promovimin sa më shpejtë nëpërmjet organeve të medias të Konventës së OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”, si dhe e detyrimeve që kanë punonjësit e administratës shtetërore dhe e të drejtave që kanë subjektet e zhdukjes me forcë.
    – Marrjen e masave të nevojshme për njohjen dhe promovimin e ndryshimeve të bëra në Kodin Penal dhe konkretisht shtimin e nenit 109/c ku parashikohet figura e veprës penale e “Zhdukjes me forcë”, duke mos u mjaftuar vetëm me botimin e ligjeve të cituara më sipër në Fletoren Zyrtare.
    Në rekomandim thuhet gjithashtu se pranë Avokatit të Popullit ka ardhur një njoftim nga Komiteti Ndërkombëtar Koordinues i Institucioneve të të Drejtave të Njeriut, me seli pranë OKB-së në Gjenevë (ICC). Nëpërmjet kësaj shkrese informohemi se, Shqipëria duhet të kishte raportuar deri më 08.11.2012 në Komitetin e Zhdukjeve me Forcë lidhur me zhdukjet me forcë, sipas detyrimit që rrjedh nga neni 29/1 i Konventës së OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”, por raporti përkatës ende nuk është paraqitur.

    Ne konstatojmë se, Republika e Shqipërisë, me ligjin nr. 9802, datë 13.09.2007, e ka ratifikuar Konventën e OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”, dhe e ka njohur kompetencën e Komitetit të Zhdukjeve me Forcë, si dhe detyrimet që rrjedhin nga dispozitat e saj.
    Gjithashtu, në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga përmbajtja e kësaj Konvente, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 144/2013 “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin Penal”, duke parashikuar si vepër penale “Zhdukjen me forcë” (neni 109/c i Kodit Penal). Mendojmë se, me miratimin e këtij ligji, kuadri ligjor vendas për parandalimin dhe penalizimin e këtyre veprimeve të kundërligjshme aktualisht është i plotë.
    Ndërkohë konstatojmë se, nga institucionet shtetërore nuk është bërë sa duhet për njohjen dhe promovimin e kësaj Konvente, si dhe e detyrimeve që kanë punonjësit e administratës shtetërore dhe e të drejtave që kanë subjektet e zhdukjes me forcë. Nga institucionet shtetërore vendase, përveç faktit të ratifikimit të kësaj Konvente me ligjin nr. 9802, datë 13.09.2007 dhe miratimit të ligjit nr. 144/2013 “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin Penal”, i cili ka parashikuar si vepër penale “Zhdukjen me forcë” (neni 109/c), si dhe të botimit të ligjeve në Fletoren Zyrtare, nuk kemi dijeni që të jetë bërë ndonjë veprim tjetër për njohjen dhe promovimin e Konventës dhe të nenit shtesë të Kodit Penal nëpërmjet organeve të medias.
    Sipas nenit 29, pika 1 të kësaj Konvente, çdo shtet palë i paraqet Komitetit të Zhdukjeve me Forcë, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, një raport mbi masat që ka marrë për të përmbushur detyrimet e tij sipas kësaj Konvente, në një afat prej dy vjetësh duke filluar nga hyrja në fuqi e saj për shtetin palë të interesuar.
    Nga njoftimi i dërguar prej Komitetit Ndërkombëtar Koordinues të Institucioneve të të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së në Gjenevë (ICC), rezulton se Shqipëria nuk ka përmbushur detyrimin që rrjedh nga neni 29/1 Konventës së OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë” për të paraqitur raportin përkatës në Komitetin e Zhdukjeve me Forcë.
    Sipas AP, ky qëndrim përbën mospërmbushje të detyrimeve të marra përsipër nga vendi ynë, si shtet palë i kësaj Konvente.
    Sigal