Totozani: Parregullsitë që penalizuan të verbërit dhe të burgosurit në votime

415
Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar respektimin e të drejtave të njeriut në lidhje me respektimin e të drejtës së votës për secilin në zgjedhjet vendore 2015. Në një deklarat për media ekspertët e Avokatit të Popullit kanë arritur në konkluzion se personat e verbër nuk kanë mundur as në këto zgjedhje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të fshehtë, kjo për shkak se jo të gjitha qendrat ishin pajisur me shabllone të posaçëm ashtu siç dhe e parashikon Kodi Zgjedhor. 
Pasaktësitë e konstatuara nga Avokati i Popullit
Ditën e votimit, datë 21 qershor 2015, institucioni i Avokatit të Popullit dhe stafi i tij ka kryer monitorim të drejtpërdrejtë të një pjese të qendrave të votimit në Bashkinë Tiranë, si dhe ka grumbulluar të dhëna nga qendra të tjera votimesh në vend, sa i takon përshtatshmërisë së qendrave të votimit për aksesin e lehtësuar në votim, për personat me sëmundje tetraplegjike dhe paraplegjike (PAK) dhe të verbërve. 
Pas monitorimit të 104 qendrave të votimit në Bashkinë Tiranë, por të disa qendrave të tjera të votimit në disa bashki të tjera në vend ka rezultuar se: Infrastruktura e qendrave të votimit në qendrat e vrojtuara nga ana jonë, ka qenë në pothuajse 60 % të rasteve e papërshtatshme për akses të lehtësuar nga ana e personave PAK. Në të gjitha qendrat e votimit të vrojtuara mungonte infrastruktura specifike, për akses të lehtësuar të qendrës së votimit nga ana e personave të verbër. 
Në shumë raste mungonin mjetet e posaçme për votimin në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë të të verbërve. Edhe në rastet kur ato disponoheshin ishte problem evident lënia e shenjës së dallueshme të votimit, që mund të identifikonte subjektin për të cilin ishte votuar, nga ana e të verbërve. Gjithashtu nga ky monitorim ka rezultuar se nga ana e stafeve të IEVP-ve, nuk ka kuptim të qartë dhe janë vërejtur mangësi në njohjen dhe zbatimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet vendore. Gjatë procesit të hartimit të listave nuk janë zbatuar ndryshimet ligjore që kanë ndodhur në legjislacion. Për rrjedhojë janë konstatuar probleme në përgatitjen dhe shpalljen e listave të zgjedhësve. Ka pasur probleme me pajisjen e të paraburgosurve dhe të dënuarve me dokumente ligjore te vlefshme për votim. Një pjesë e tyre nuk kanë pasur karta identiteti (ID) apo pasaportë, pasi ato ndodhen në dosjet e tyre personale në komisariatet e policive, në prokurori, apo edhe gjykatë. Për pasojë nuk është garantuar e drejta e votës për këta persona për shkak të mospasjes së ID-së në momentin e votimit. 
Nga ana e stafeve të IEVP-ve janë vënë në dispozicion të komisioneve të qendrave të votimit (KQV), fotokopje të mjeteve të identifikimit ose formate TIMS, por këto sipas ligjit nuk mund të konsiderohen dokumente të vlefshme për votim. Fletët e votimit të parashikuara për secilën KQV ishin 2% mbi numrin e përcaktuar në listat përkatëse të zgjedhësve, duke lënë jashtë votimit personat të cilët ishin me vendim gjykate. Qendrat e votimit kanë patur mangësi infrastrukturore për lehtësimin e aksesit në to të personave të paraburgosur dhe të dënuar me aftësi të kufizuara. Këto konstatime dalin në konkluzionin se për zonat e monitoruara nga ana jonë si institucion dhe specifikisht për grupet target të qëllimuara në monitorimet tona, ka pasur mangësi dhe probleme që kanë ndikuar në ushtrimin e së drejtës së votës. 
Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve shtetërore të ngarkuara me përgjegjësinë ligjore të administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri, që të rrisin më tej në të ardhmen standardet e për miradministrimin e këtij procesi, duke pasur si udhërrëfyes bazë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, si dhe të institucioneve të pavarura të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend dhe aktorëve kryesorë të shoqërisë civile në vend, që kanë monitoruar dhe po monitorojnë këto zgjedhje për qeverisjen vendore.
Sigal