Totozani: “Këshilli Kombëtar Koordinues nuk funksionon, qeveria të nxjerrë aktet nënligjore!”

    372
    Sigal

    INTERVISTA/Avokati i Popullit: Gati Task-Force për monitorimin e strukturave përgjegjëse për gjakmarrjen

    Më tepër se shtatë vjet më parë, parlamenti shqiptar aprovoi Ligjin nr 9389, datë 04.05 .2005 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”. Por edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga aprovimi i tij dhe nxjerrja në gazetën zyrtare, ky ligj nuk ka gjetur zbatim në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë. Ligji në fjalë parashikon ngritjen e një Këshilli Koordinues, që ka  për detyrë hartimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër gjakmarrjes në planin ekonomik, social, legjislativ etj. dhe përcaktimin e masave konkrete për organet ekzekutive e ato të pushtetit vendor. Njëherazi, ligji  nxit koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave jofitimprurëse për organizimin e luftës kundër fenomenit të gjakmarrjes. Në intervistën e mëposhtme, Avokati i Popullit, Igli Totozani, sqaron hapat e ndërmarra për nxitjen e funksionimit të këtij këshilli koordinues në luftën kundër gjakmarrjes dhe arsyet që e shtynë atë të ngrejë një strukturë Task-Forcë për monitorimin e strukturave shtetërore përgjegjëse për gjakmarrjen.

     –Z. Totozani, do të ishte me interes për lexuesit të mësonin diçka, fillimisht, rreth qëllimit dhe zbatimit të  Ligjit nr 9389, datë 04.05 .2005 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”.

     -Ky ligj, i cili deri më tani nuk është zbatuar, ka për qëllim të organizojë dhe të koordinojë më mirë masat dhe luftën e organeve shtetërore, institucioneve të tjera shoqërore, shkencore, fetare etj., si dhe të përcaktojë  një strategji afatgjatë për parandalimin dhe eliminimin e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri.

    Ligji parashikon ngritjen e një Këshilli Koordinues, i cili më së shumti ka për detyrë:

    * hartimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër gjakmarrjes në planin ekonomik, social, legjislativ etj. dhe përcaktimin e detyrave dhe masave konkrete për organet ekzekutive e ato të pushtetit vendor;

    * nxitjen e koordinimit dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave jofitimprurëse për organizimin e luftës kundër fenomenit të gjakmarrjes;

    * thirrjen në raport një herë në tre muaj organet e përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftën kundër fenomenit te gjakmarrjes dhe u cakton atyre detyra konkrete, sipas fushës së veprimtarisë që kryejnë;

    * u sugjeron organeve përkatëse, të ngarkuara me detyra sipas këtij ligji, nxjerrjen e përgjegjësisë dhe marrjen e masave për strukturat dhe personat përgjegjës të ngarkuar për t’i kryer ato.

     Përsa i përket bashkëpunimit me organet shtetërore, ligji parashikon një bashkëpunim në dy plane me organet e pushtetit qendror dhe ato të pushtetit vendor. Këshilli Koordinues, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë, ministrit të Brendshëm dhe Prokurorit te Përgjithshëm, evidenton, nëpërmjet studimeve që kryejnë këto organe, përhapjen dhe shtrirjen e krimit të gjakmarrjes e të fenomeneve të tjera që lidhen me të në shkallë Republike dhe orienton përgatitjen e nismave ligjore në fushat përkatëse. Ndërsa bashkëpunimi me organet e qeverisjes vendore konsiston në përcaktimin e platformës, mënyrës së organizimit dhe koordinimit të veprimtarisë së Këshilli Koordinues me organet e qeverisjes vendore.

     -Duke nisur që nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit (më 01.06.2005) e deri më sot, sipas vëzhgimeve tuaja, sa herë rezulton të jetë mbledhur këshilli koordinues për luftën kundër gjakmarrjes?

     -Këshilli nuk u mblodh asnjëherë dhe pas konstatimit të këtij fakti i jemi drejtuar me një letër Presidentit të Republikës, ku i kemi kërkuar aktivizimin e Këshillit Koordinues.

    Në të njëjtën kohë i kemi kërkuar Këshillit të Ministrave plotësimin e kuadrit ligjor nëpërmjet hartimit dhe miratimit të akteve të nevojshme nënligjore që bëjnë të mundur zbatimin në praktikë të ligjit. Janë tre vendime qeverie që do duhet të miratohen: I pari për bashkëpunimin institucional ndërmjet organeve përgjegjëse: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshillit Koordinues. I dyti për organizimin dhe koordinimin e Këshillit  Koordinues me organet e qeverisë vendore. I treti për organizimin dhe funksionimin e sekretarit teknik pranë Këshillit Koordinues. Sipas këtij parashikimi ligjor praktikisht mungesa e akteve nënligjore përkatëse bën të pamundur funksionimin e Këshillit Koordinues.

     Ju si institucion i Avokatit të Popullit keni vendosur të ngrini një Task- Force për hetimin e çdo rasti të gjakmarrjes. Cilat janë arsyet e ngritjes së kësaj strukture të re?

     -Ju e kuptoni që targeti kryesor i institucionit të Avokatit të Popullit është mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe padiskutim që në këtë kuadër kryesorja është mbrojtja e të drejtës së jetës. Në këtë kuptim jemi brenda kuadrit të punës së këtij institucioni, por edhe nisur nga ngjarjet e fundit që tronditën opinionin publik, Avokati i Popullit, urdhëroi ngritjen e Task-Forcë për monitorimin e veprimtarisë së policisë dhe strukturave të tjera shtetërore përgjegjëse për fenomenin e gjakmarrjes.

     -Të dhënat e policisë mbi gjakmarrjen nuk përputhen me të dhëna të tjera, të mbledhura në mënyrë të pavarur për të njëjtin fenomen nga organizata apo fondacione të ndryshme. Në bazë të vëzhgimeve tuaja çfarë ka rezultuar në këtë aspekt?

     -Ne jemi në fazën e mbledhjes të së dhënave nga të gjitha burimet, përfshi policinë, apo burime të pavarura. Kemi kërkuar bashkëpunimin e organizatave të shoqërisë civile si dhe informacion lidhur me angazhimin, masat e marra dhe politikat e ndjekura, përfshirë edhe statistikat që disponojnë  strukturat në:

    *Bashkitë e Bajram Currit, Shkodrës, Pukës, Kukësit, Peshkopisë, Rrëshenit, Lezhës, Koplikut.

    *Ministrinë  e Shëndetësisë

    *Ministrinë e Arsimit

    *Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

    *INSTAT -in

    *Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit

     –Me se do të merret konkretisht Task-Forcë, me fjalë të tjera cilat institucione apo organizata do të jenë objekt i monitorimit të saj?

    – Task- Forcë do të shërbejë për monitorimin e veprimtarisë të policisë së shtetit dhe strukturave të tjera shtetërore përgjegjëse, në funksion të përmbushjes së detyrimeve të tyre ligjore dhe institucionale për fenomenin e gjakmarrjes. Gjithashtu, do të ketë shkëmbim informacionesh me organizatat e shoqërisë civile që merren me fenomenin e gjakmarrjes, lidhur me problematikat në terren dhe referimin e këtyre rasteve pranë Avokatit të Popullit.

    Katër ekspertët e institucionit të Avokatit të Popullit, që bëjnë pjesë në grupin e punës, do të shqyrtojnë rast pas rasti në vazhdimësi monitorimin e çështjeve që kanë lidhje me fenomenin e gjakmarrjes, si dhe zbatueshmërinë e ligjit Nr.9389, datë 04.05.2005 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”.

    Faleminderit, z. Totozani!