Totozani: E majta dhe e djathta në unison për të lënë shqiptarët 24 vjet pa minimum jetik

    384
    Sigal

    Avokati i Popullit i “kërkon llogari” Kryeministrit për mosdeklarimin e minimumit jetik. Rama: Të ngrihet grupi i punës

    Asnjëherë, gjatë këtyre 24 viteve, qytetarët shqiptarë nuk kanë pasur të përcaktuar nga institucionet shtetërore minimumin jetik. Ndërkohë, edhe kur është llogaritur nga shoqatat jofitimprurëse, ai është hedhur në “kosh” nga qeveritarët. Çuditërisht, si të djathtët dhe të majtët janë në unison, përsa i përket minimumit jetik, duke e shtyrë vazhdimisht përllogaritjen e më pas miratimin e tij, edhe pse është referencë në përcaktimin e përfitimeve të tjera. Deri më tani, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (ish Ministria e Punës) është shprehur se nuk është ai dikasteri që llogarit minimumin jetik, ndërsa pohojnë se paga minimale përcaktohet si minimum jetik. Por, sipas specialistëve, duhet të llogaritet njëherë minimumi jetik dhe në bazë të tij të caktohet paga dhe pensioni minimal, si dhe të bëhen gjithë indeksimet dhe rritjet e tjera. Ndërkohë, në Shqipëri kjo pikë e referencës, që duhej të ishte minimumi jetik, as është llogaritur ndonjëherë, as është shpallur, pa le më të jetë arritur. Po politikës shqiptare, mesa duket, nuk i leverdis që minimumi jetik, që ndryshe quhet pragu i varfërisë, të llogaritet. Lufta kundër varfërisë, sado propagandës së politikës shqiptare, ndodhet prej kohësh në një qorrsokak dhe mungesa e referencës (minimumit jetik) zor se krijon terren për daljen nga varfëria. Kjo është një arsye më shumë që shqiptarët të dinë sa është minimumi i tyre jetik, që do të thotë sa lekë u duhen në muaj për të mbijetuar. Edhe nëse nuk arrihet, të paktën shqiptarët kanë të drejtë ta njohin minimumin jetik. Pasi pa këtë minimum, do të vazhdojmë të sorollatemi nëpër qorrsokakët e varfërisë.

     Insistimi i Avokatit të Popullit në deklarimin e minimumit jetik

    Avokati i Popullit e quan shpalljen e minimumit jetik, “një çështje shumë imediate, pasi ai nuk është vetëm një tregues që lidhet me nevojat që ka njeriu për të siguruar mbijetesën në kushtet aktuale, por bazuar në të, përcaktohen edhe nivelet e përfitimeve në skemat e mbrojtjes sociale”. Për të shkuar më tej, do të thotë që nuk mund të ketë ndihmë ekonomike, pagesë paaftësie, asistencë sociale, pensione e paga nën minimumin jetik. “Nga matje të pavarura vlerësohet jo zyrtarisht se minimumi jetik në Shqipëri është rreth 100 euro, ose 150 dollarë amerikanë”, thuhet në një lajm të Zërit të Amerikës në vitin 2011 (mos harro, jemi në fund të vitit 2014). Por, a i shkon për shtat politikës shqiptare kjo shifër? (Ndërsa nga ekonomistët vlerësohet që minimumi jetik të jetë mbi këtë shifër). Ndërkohë, Avokati i Popullit nuk ka reshtur së kërkuari informacion në lidhje me mosdeklarimin e minimumit jetik nga institucionet shtetërore. Kështu shkresës së Avokatit të Popullit në lidhje me këtë problem, të datës 23. 12 2013, Kryeministria i është përgjigjur pas 6 muajsh, në 16.06.2014.

     Kërkesa

    Në kërkesën në lidhje me mosdeklarimin e minimumit jetik, drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Avokati i popullit bën një retrospektivë të përpjekjeve të vazhdueshme të tij për këtë problem. Pas korrespondencës me Institutin e Statistikave dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, bazuar në nenin 48 të Ligjit nr.7703, datë 11.05 1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në të cilin është përcaktuar se e “ardhura për invaliditet të përhershëm nuk mund të jetë më pak se niveli minimal i standardit të jetesës që do të vendoset nga Këshilli i Ministrave” si dhe në Ligjin nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ku në pikën 1 të nenit 12 thuhet shprehimisht se: “Grupet e punës me ekspertë për hartimin e strategjive, të politikave, të studimeve ose të projekteve të veçanta, krijohen me urdhër të Kryeministrit ose të ministrit për ministritë përkatëse”, më datë 26.03.2012, Avokati i popullit i është drejtuar me rekomandim ish Kryeministrit të Shqipërisë, ku kanë propozuar ngritjen e një grupi pune për studimin dhe përcaktimin e nivelit minimal të standardit të jetesës në Shqipëri. Pas kësaj janë organizuar një sërë takimesh vetëm me përfaqësues nga Instituti i Statistikave dhe Ministria e Punës. Në këto takime u shpreh gatishmëria për të kontribuar në ndërmarrjen e studimeve nga ekonomistë, sociologë, analistë, ekspertë të fushave të ndryshme për të analizuar treguesit për nxjerrjen dhe deklarimin përfundimtar të nivelit minimal të standardit të jetesës. “duke qenë se kërkesa për përcaktimin jetik mbetet detyrë ligjore dhe domosdoshmëri jetike për shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare; në domosdoshmërinë e përcaktimit të treguesit zyrtar të minimumit jetik për: zbatimin e Kodit të Punës, ligjit të Sigurimeve Shoqërore, rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare si dhe kërkesave të vazhdueshme të Sindikatave, Avokati i Popullit më datë 06.12.2012 i është drejtuar sërish Kryeministrit të Shqipërisë për të rimarrë në konsideratë rekomandimin e propozuar për ngritjen e një grupi pune për studimin dhe përcaktimin e nivelit minimal të jetesës në Shqipëri, por nuk morën asnjë përgjigje. Ndërsa Kryeministrit aktual të Shqipërisë, z. Edi Rama, Avokati i popullit i është drejtuar më 23.12 2013 për të rimarrë në konsideratë rekomandimin e mësipërm.

     Përgjigjja

    Përgjigjja nga Kryeministria datoi më 16.06.2014, ku Avokati i Popullit vihej në dijeni se kishte nisur puna për ngritjen e një grupi për të përcaktuar minimumin jetik. “Nisur nga kërkesat e përsëritura dhe në zbatim të kërkesave ligjore e mbështetur në nevojën praktike të shoqërisë për përcaktimin e kufirit të minimumit jetik, të organizohet puna për ngritjen e një grupi pune, me drejtues dhe ekspertë, të cilët pasi të kenë studiuar gjendjen në vend, të japin rekomandime konkrete për mënyrën dhe procedurat ë duhet të ndiqen për të përcaktuar nivelin minimal të standardit të jetesës në Shqipëri. Rekomandimet e grupit të punës do t’i përcillen ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i cili në ushtrim të funksioneve të tij, të ndërmarrë hapat konkretë për përcaktimin e minimumit jetik në Shqipëri”, thuhet në përgjigjen nga Kryeministria. Mbetet për t’u parë, nëse ky grup do të ngrihet ndonjëherë dhe më në fund shqiptarët të kenë një minimum jetik zyrtar.