Toro: Qeveria i heq të drejtën e shpronësimit pronarëve, për interesa klienteliste

    384
    Sigal

    Pronarët/ Vendimi i Qeverisë për dhënien me qira, shitjen e pasurive shtetërore, shkel të drejtën tonë të parablerjes  

    Vendimi i fundit i Qeverisë “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, duket sikur ka prekur interesat e pronarëve, të cilët shprehen të irrituar për marrjen e këtij vendimi nga ana e qeverisë. Sipas tyre, ky vendim shkel të drejtat e pronarëve, siç është ajo e parablerjes. Në një nga pikat e vendimit thuhet se “Në kontratat e qirasë ose enfiteozës, të lidhura për pasuri ku sipërfaqja e truallit është  mbi 500 m2, në rastet kur shoqëria qiramarrëse ose enfiteozëmarrëse ka kryer investime në përputhje me plan-biznesin dhe në masën mbi 150 për qind të vlerës së truallit, si dhe kur shoqëria ka respektuar kushtet e kontratës, subjekteve kontraktuese, që kanë konsumuar mbi 5 vjet të kontratës, u lind e drejta e privatizimit të drejtpërdrejtë të objektit të kontratës, sipas legjislacionit në fuqi”. Kjo pikë e vendimit është në kundërshtim me të drejtën e parablerjes së pronarëve, e shprehur në Ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, në rastet “kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, duke i njohur atij të drejtën e parablerjes së objektit në privatizim”. “Ky vendim bie ndesh me interesat e pronarëve. Me këtë vendim shkelet e drejta e parablerjes nga pronarët” shprehet për gazetën “Telegraf”, Seri Allushi, përfaqësues i pronarëve të Dukatit.

     Vendimi i fundit i qeverisë, sigurisht, që i prek interesat e pronarëve. Në radhë të parë, shkel ato të drejta të pronarëve të fituar me ligj, siç është e drejta e parablerjes. Në radhë të dytë, shkel “Ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave” ku thuhet se pronari i truallit ka të drejtën e parablerjes. Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë reale parablerjes së pronarëve. Ky vendim tregon se AKKP është inekzistente, sepse duhet që sipas ligjit t’u kthejë automatikisht pronën, pronarëve të vërtetë. Ndërsa Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duhet të bëjë të ditur ekzistencën e pronarit, i cili ka dhe të drejtën e parablerjes. Ende pa u bërë shpronësimi, qeveria u heq të drejtën e shpronësimit pronarëve për interesa klienteliste. Me këtë vendim, mundësitë e shtetit për kthimin dhe kompensimin e pronarëve është zero. Kjo do të thotë që për pronarët nuk mbetet asgjë. Të gjitha premtimet e tyre në fushatë elektorale kanë ngelur në kuadrin e premtimeve, porse veprat janë regresive. Ne pronarët kemi filluar lobimin me Këshillin Europian që i ka dhënë dhe detyra konkrete qeverisë shqiptare, duke filluar me paraqitjen e plan-veprimit për zgjidhjen e pronës dhe në vend që të punohet për të vënë në zbatim këshillat nga Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe Gjykatës së Strasburgut, po bëhen hapa mbrapa. Kjo shërben si një thirrje për pronarët, që gjithnjë e më shumë t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për zgjidhjen e të drejtës së pronësisë.

    box

    Ligji për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, Nr. 9235, date 29.7.2004 (i azhornuar)

    Neni 8/1

    Trualli i zënë me ndërtime në pronësi të shtetit

    1. Në ndryshim nga formulimi i nenit 7, u kthehet apo u kompensohet subjekteve të shpronësuara trualli privat, mbi të cilin janë ngritur ndërtime të përhershme dhe të ligjshme në pronësi të pronarit shtet, sipas rastit:

    a) Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, duke i njohur atij të drejtën e parablerjes së objektit në privatizim. Deri në privatizimin e objektit, sipas këtij ligji, shteti detyrohet t’i paguajë subjektit të shpronësuar çmimin e qirasë për truallin që ka në posedim, sipas tarifave që zbaton për dhënien me qira të trojeve shtetërore të tretëve.

    b) Kur ndërtesat në pronësi të pronarit shtet janë në përdorim të të tretëve, në bazë të një kontrate qiraje, koncesioni ose enfiteoze mbi truallin ku ngrihet ndërtesa apo vetë ndërtesën, veprohet:

    i) kur investimi i kryer është mbi 150 për qind të vlerës së truallit, subjekti kontraktues i paguan shtetit, brenda 6 muajve, vlerën e truallit me çmimet e tregut. Shteti ia paguan menjëherë vlerën e truallit pronarit të tokës. Në rast se subjekti kontraktues nuk paguan vlerën e truallit brenda afatit të mësipërm, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, i cili, deri në përfundim të kontratës, merr nga shteti edhe qiranë e vendosur në kontratë. Në përfundim të kontratës, pronari i truallit ka të drejtën e parablerjes;

    ii) kur investimi i kryer është nën 150 për qind të vlerës së truallit, trualli i kthehet subjektit të shpronësuar, i cili merr nga shteti, deri në përfundim të kontratës, edhe qiranë e truallit që paguan subjekti sipas kontratës. Në përfundim të kontratës, pronari i truallit ka të drejtën e parablerjes së objektit.

    2. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, institucioneve shtetërore nuk u lejohet të japin me qira, enfiteozë, koncesion apo përdorim objektet shtetërore të ndërtuara mbi troje private, përveç rasteve kur kontratat i shërbejnë realizimit të interesave publikë, të përcaktuar në nenin 7/1 të këtij ligji.

    Në rast se objektet shtetërore të ndërtuara mbi troje private transferohen në pronësi apo në administrim të një institucioni tjetër shtetëror, e drejta e parablerjes nuk shuhet.