Toponimet nuk qenkan kaq të lehta për t’u kaluar apo harruar

    458
    Sigal

    Toponimet greke në pasaportat e fëmijëve tani bllokojnë dhe rinovimin e dokumenteve

    Kambana e Babagjyshit të Vitit të Ri është zëvendësuar menjëherë me atë tjetrën… të problemeve të njohura. Ndalimi në kufi i të miturve të lindur në Greqi nuk është i mjaf­tueshëm për të shkaktuar panikun e kërkuar nga pala vendase. Rezulton kjo nga pamundësia për të besuar tashmë tek një “fajtor” i vetëm për bllo­kimin, siç deklarohet të jetë mospranimi i palës shqiptare të miratojë listën e toponimeve greke në këtë kategori qytetarësh shqiptarë.

    -Erdhi viti 2014 dhe sado e pabesueshme apo e hidhur dëgjohet, shqiptarët në Greqi po jetojnë të njëjtat situata të dy dekadave më parë. Asnjë hap para, asnjë përmirësim, asnjë ndryshim, të paktën një shije e re problemesh, për të dalë nga rutina. Në radha të gjata për rinovimin e lejes në Athinë e Pire, me pikëpyetje për procedurën e re në qendrat e sapohapura të shërbimit “one stop shop” (ish-Periferia) dhe “qershia mbi tortë”? Pa rinovim dokumentet e fëmijëve të lindur në Greqi (për të cilët ëndërronin pasaportën greke pa probleme…).

    Më e vështirë është situata në Selanik e zonat, ku toponimet gjeografike greke janë krejt ndryshe nga ato që përdoren në Shqipëri (Selanik-Thesa­loniki). Në mjaft raste, gjatë kërkesës për rinovim, nëpunësit i kanë kthyer pas pasaportat e fëmijëve duke kërkuar të reja, me vendlindjen të shënuar siç DUHET!!! Po kështu dhe vendi Greqi duhet të jetë Greece!

    Ndërkohë që nga kontakti me qendrat e Shërbi­meve të Emigrantëve në Athinë dhe Pire janë më të kufizuar, përderisa ndryshimi është i vogël, një shkronjë, ose sepse ndoshta nuk ka arritur akoma udhëzimi i brendshëm përkatës. Gjithsesi çështja është NJË dhe shumë më e mad­he sesa pritej apo parashikohej. Toponimet NUK qenkan kaq të lehta për t’u kaluar apo harruar! Se ku është hallka e vështirë për t’u lidhur që të kri­johet më në fund procedura shpëtimtare zinxhir, këtë megjithë bisedat, pyetjet, përgjigjet…, nuk po e përcaktojmë dot saktë e qartë.

    Fakt është që sot: Fëmijët e emigrantëve shq­iptarë, të lindur e rritur në Greqi, me pasaportë shqiptare, gjuhën jo-amtare por të parën gjith­sesi greke (le të mos fshihemi pas gishtit tonë), të arsimuar në Greqi, nuk e njohin mirë Shqipërinë, jo sa Greqinë kurrsesi, çuditërisht dhe rreptësishtë janë të izoluar në Greqi, nuk kalojnë dot lirshëm kufirin greko-shqiptar e nga ky muaj ka shumë mundësi të mbeten dhe të Paligjshëm në… vendlindje!!!

    Me këtë realitet të hidhur po e nisim vitin e Ri 2014. I mbarë? Akoma nuk e themi dot me bind­je. Por le të shpresojmë se do të kemi diçka të re. Sepse të vjetrat i kemi ripërtypur nga viti 2011 kur u dëgjuan për herë të parë çështjen dhe nga qershori i 2012-ës, në takimin e parë me minis­trinë e Jashtme e komentin e tyre për gazetën e shumë të tjera në vijim, që konkludojnë në pak komente:

    -Nga pala shqiptare përgjigjja ishte kaq e thjeshtë dhe e shpejt: Për këtë çështje nuk ka asnjë lajm të ri!

    -Nga pala greke, është e njëjta dhe e shumë dëgjuar: Duhet të ndryshojnë pasaportat, e kemi thënë kaq herë.

    -Nga pala shqiptare, në takime të mëparshme kanë shprehur bindjen se do gjendet zgjidhja dhe se janë të hapur në diskutime për të rënë da­kort në një formë të pranueshme nga të dy palët. Por, nuk është gjetur akoma metoda se si do ar­rihet zgjidhja në konsensus.

    -Nga pala greke, këmbëngulin se janë të qartë në kërkesat e tyre, por asnjë urdhër apo ud­hëzim nuk është vërtetuar me dokument apo shkresë zyrtare (akoma dhe vendimet për lejimin e qarkullimit në kufi, janë të brendshme dhe në varësi të kësaj apo asaj drejtori, si përfundim nuk kemi parë shkresë me sy). Gjithashtu, theksojnë se nuk është gjetur akoma metoda se si do arri­het zgjidhja në konsensus.

    E me radhë…

    Nga gazeta, shpresojmë të dalim të gabuar, megjithë koston e një gabimi të tillë, por nuk kemi më shpresë se toponimet një moment do të anashkalohen nga pala vendase, për hir të pozicionit në BE dhe imazhit të mirë të vendit. Përkundrazi, çështja po merr nga dita në ditë për­masa më kërcënuese për familjen emigrante.

    Paralelisht, nuk po merret më në fund as në Shq­ipëri vendimi politik për zëvendësimin e pasa­portave biometrike të fëmijëve të lindur në Greqi. Në fund të fundit, lista e toponimeve greke është publikuar, përkthyesit e ministrisë së Jashtme apo zyrat e përkthimeve nëpër Greqi janë pajisur me atë prej vitesh, tashmë. Mos ka ardhur koha që po me këtë listë të pajisen dhe Gjendjet Civile të Shqipërisë, për përdorim ekskluziv në pasaportat e fëmijëve të lindur në Greqi, e të shpallet më në fund dhe mundësia e zëvendësimit të tyre me sa dhe si i kërkon pala greke?

    Reagimi duhet të jetë i shpejtë, urgjent! Edhe një fëmijë i diskriminuar, se më falni por për diskriminim bëhet fjala, është shumë. Me fëmi­jët, megjithë zgjuarsinë dhe instinktin fëminor të pagabueshëm, është pak e vështirë të dis­kutosh për fajtorin, të akuzosh tjetrin për çdo gjë, t’i shpjegosh bindshëm situatat politike që pozicionojnë popullin, domethënë vetë atë, në kategori të caktuara. Zhgënjimi dhe paniku tek prindi – sa herë imagjinata e shthurur e të rriturve në postet e duhura “pjell” një problem të ri – janë mëse të mjaftueshme për t’i shkatërruar qetësinë shpirtërore, harmoninë e botës së tyre të pafa­jshme. Me cilën të drejtë? Cilët janë “dy popujt vëllezër” dhe ku është “niveli i lartë i marrëd­hënieve të mira mes dy vendeve fqinj” kur fëmi­jët mbeten rrugëve në mes të dimrit, prindërit mbeten radhëve net-ditë për të marrë një Re­fuzim, nëpunësit e lartë, ambasadorët dhe min­istrat ngrenë supet, ndërsa familja emigrante, si gjithmonë plotësisht e braktisur, mbetet me duar bosh e sytë e dëshpëruar lart në qiell, për ndosh­ta, ndoshta, një përgjigje hyjnore: “Deri kur??”.

     I. LONDO

    GREQI/ Në rrezik lejet e qëndrimit me afat 10-vjeçar dhe të përhershëm

     Greqia zhvleftëson lejet 10-vjeçare dhe ato pa afat?

     Ngjan thuajse si një ëndërr e keqe që kishte nisur të hartohej një herë edhe një kohë, kur nisën të dalin në dritë dhe lejet me afat të pakufizuar. E kishim theksuar që në vi­tin 2008 se lejet me afat të pakufizuar ose të quajtura dhe të përhershme (aoristis diarkeias) janë leje të karakterit kombëtar dhe Greqia mund të ndërhyjë sa herë të dëshirojë për ndryshime të mundshme. Madje, edhe ndryshimet brenda një afati tejet të shkurtër të lejeve të para të përhershme me një afat të papërcaktuar, në leje 10- vjeçare, vërtetuan mirë dyshimet tona. Ndër­kohë, tashmë në Kodin e Ri të Emigra­cionit nis dhe një aventurë e re siç duket për të gjithë mbajtësit aktualë të këtyre lejeve të qëndrimit. Çfarë ndodh aktualisht me parashi­kimet e Kodit të ri të emigracionit dhe ndërkohë me koordinimet për situata aktuale?

    Greqia, ka prirje por edhe dëshirë këtë herë të promovojë sa më tepër leje qëndrimi afatgjatë pra për të ofruar mundësi punësimi jashtë Greqisë. Diçka e tillë së pari do të përplotësonte një dëshirë të komunitetit të emigrantëve që kërkojnë një mundësi për të ka­luar në tregje punë në ekonomi më të zhvilluara europiane, por ndërkohë edhe shteti grek do të ulte numrin e emigrantëve, në bazë të nevojave të tij. Kësisoj, në nenin 139 të Kodit të ri të Emigracionit dhe më konkretisht në paragrafin numër 3 parashikohet se gjatë rinovimit të lejeve 10- vjeçare, edhe të përhershëm, në qoftë se mba­jtësi nuk kalon dot në kategorinë e lejeve afatgjatë, me karakter europian, pastaj do të marrë leje qëndrimi me afat 3- vjeçar.

    Ky parashikim ka pasoja mjaft të këqija për gjithë ata që sot kanë ketë leje qëndrimi. Ndërkohë theksojmë se lejet me afat 10- vjeçar, por edhe me afat të pakufizuar janë ndër të paktat që of­rojnë të drejtën e punës të pavarur ose japin siguri më të gjerë në të drejta të mundshme. Madje shumë emigrantë qe do të thirren për të ripërtërirë këtë kategori nuk janë në gjendje të përm­bushin kriteret ekonomike për kalimin në leje afatgjate. Po ashtu dhe njohurinë e testit të gjuhës dhe historisë përbëjnë një problem më vete. Askush ndërkohë nuk e di sesi do të ve­prohet me lejet me afat të pakufizuar. Kur dhe me cilin kriter do të thërriten mbajtësit e kësaj kategorie? Kjo pyetje është shumë me vend pasi kjo kategori nuk ka ndonjë datë definitive skadimi dhe ka frike për sajime dhe abuzime…

    Ndërkohë, janë me dhjetëra emigrantët që edhe këto ditë para miratimit të ligjit aplikojnë për këto kategori. Gjithçka pritet të dalë në dritë së shpejti, por ende nuk kemi asnjë informacion për ndry­shime në përmbajtjen përfundimtare të projektligjit. Si përfundim, theksojmë se Avokati i Popullit, ka kundërshtuar këtë parashikim, por askush nuk e di nëse do të merret parasysh mendimi i tij.

    Ditët në vijim do të jenë shumë me rëndësi, pasi edhe ne po vjelim informa­cion. Deri sa të kemi një pamje të plot, besoj se nuk ka vend ende për panik. Apo ndoshta në jetojmë gjithmonë në një panik të pareshtur…

    V. Merko