Tomorri, ky mal që të fal dashuri

    564
    Sigal

    (MBRESA NGA MALI I TOMORRIT)

     Ditët e gushtit, kanë diçka të veçantë nga ditët e tjera. Jo pak njerëz, por dhjetëra dhe qindra pelegrinë iu ngjitën malit të bukur të perëndisë “Tomorrit”, me ëndrrën e bukur të shpirtit dhe të besimit për një të ardhme më të bukur dhe me fat. Janë këta bektashinj të nderuar, që venë e falen tek ky mal gjigand, aty ku takohen perënditë. Janë dhe të tjerë që jo se besojnë, por që kanë një hobi të madh për këtë mal kaq të bukur, aty ku të rrëmben bukuria dhe klima e ashpër po aq tërheqëse, aty të rrëmben aroma e luleve, e trëndelinës dhe luleve shumëngjyrëshe, aty të rrëmbejnë pamjet mahnitëse të shkrepave dhe shpateve vigane, retë çuditëse që bashkojnë qiellin me majën e malit. Teksa ngjitesh përpjetë për të kapur majën e malit ndihesh me të vërtetë krenar për këtë mal, ndihesh krenar që ky është mali i vendit tënd që perënditë e kanë sjellë këtë mal dhe këtë mrekulli këtu mes shqiptarëve, krenohesh që këtë vend e nderojnë njerëz nga e gjithë bota. Sa shumë kanë shkruar për këtë mal të madhërishëm! Kanë shkruar nga penat më të mprehta të Rilindjes si Çajupi, Naim Frashëri dhe deri tek penat më të reja të poetëve shqiptarë si Xhevahir Spahiu e të tjerë. Ngjitesh përpjetë malit “Perëndi” dhe çuditesh sa shumë njerëz, kuaj, mushka e qengja në shumë drejtime, për të pushtuar majën e shenjtë. Dielli të buzëqesh me rrezet e arta, blegërimat e qengjave të ngrohin shpirtin, njeriu fillon dhe emocionohet. Të gjithë mezi presin të shkojnë tek Çuka e Tomorrit, tek varri i shenjtë i Abaz Aliut. Shumica e njerëzve preferojnë të ngjiten me këmbë, kjo është më e bukur akoma, se bashkë me lodhjen provon edhe kënaqësinë, por edhe oreksi shtohet më shumë. Është vërtet një ditë e veçantë të ulesh aty mbi bar dhe të shijosh atë mishin e qengjit të pjekut, bashkë me ujin e ftohtë që buron nga mali, por jo vetëm kaq që të kënaqësh vetëm veten, por të çosh edhe pak tek miqtë e tu që s’patën mundësi të vinin. Ja, pikërisht kjo e gëzon njeriun në këtë festë, zakoni i bukur i bektashiut, mesazhi për të qenë të bashkuar gjithmonë. Ja, këtu tek varri i Abaz Aliut, këtu të duket sikur shikon gjithë botën, aty me të vërtetë takohen shpirtrat e perënditë. Vështrimi s’ka fund. Pafundësi dhe bukuri që s’ta jep, kurrë, tjetër vend! Poshtë majës në një shesh të blertë, dëgjohen blegërimat e pafund të qengjave, njerëz që lyejnë ballin me gjakun e qengjit të bekuar, për mbarësi dhe fat, sipas ritit bektashian. Pikërisht, këtu në këtë vend, ku kryhen aq bukur ritet fetare, këtu bëhen dhe shumë foto tek përmendorja e Abaz Aliut që ka hipur mbi kalë. Pikërisht, këtu, në këtë vend të shenjtë janë thurur legjendat e shpirtit për këtë mal të bekuar, këtu në këtë mal kanë zbritur perënditë për të ngrohur dhe ndriçuar shpirtrat e njerëzve.

     Një natë që s’do të harrohet kurrë

     Ajo që s’do të harrohet kurrë është nata e 21 gushtit, dita ishte shumë e bukur por nata kishte diçka më tepër, më të rrallë më të veçantë. Fusha, ku është ngritur Teqeja e Kulmakut ngjante me një qytezë të bukur, dritat shumëngjyrëshe, zjarret e shumtë, zhurma e lokaleve, këngët e këngëtarëve më të mirë si Ylli Bako, Dule Malindi etj., kishin pushtuar gjithë malin. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, me të vërtetë një qytezë kampingu që festonte. Askush nuk e mbylli syrin atë natë. Ajri i freskët të shëronte shpirtin, bukuria e yjeve lart në qiell të mahniste dhe njeriu ndihej vërtet në një natë magjike. Aty kishin ardhur mijëra pelegrinë nga rrethe të ndryshme, takoheshin mbas shumë e shumë vitesh miq e shokë që i kishte marrë malli. Policia e Shtetit ishte e pranishme, kjo për rregull, por jo se do të ndodhte gjë, sepse aty është vend i bekuar që njeriu pastron shpirtin, aty vijnë të gjithë ata që besojnë tek mirësia dhe perëndia për një të ardhme me njerëz që jetojnë në paqe dhe mirësi. Ata shohin dhe takojnë njëri-tjetrin si miq, si besimtarë, si vëllezër. Aty sheh njerëz të njohur si: gazetarë, kameramanë, njerëz të artit dhe kulturës, politikanë dhe njerëz të thjeshtë. Aty sheh djem, vajza dhe nga të gjitha moshat tek hedhin valle. Gjithë nata zien nga alegria, muzika popullore dhe klarineta. Ata janë të ndryshëm nga të gjitha viset e Shqipërisë, por aty i bashkon besimi, mirësia dhe dashuria për njëri-tjetrin, dashuri kjo e rritur në breza. Këngët janë të shumta që i kushtohen Baba Tomorrit, Abaz Aliut, Ded Reshat Bardhit dhe të tjerë shenjtorë, që e deshën aq shumë Shqipërinë. Por një perfomancë të mirë dha dhe grupi i Ansamblit të këngëve “Demir Zyko” me udhëheqës artistik Ramiz Hamzollari. Një kolazh këngësh me motive nga Skrapari u kënduan me emocion nga këngëtarët e afirmuar tashmë të këtij Ansambli si: Zheladin Cërri, Fatmir Ajasllari, Antoneta Doko, Shkëlqim Beshiri, Behar Spahiu, Pëllumb Gjata etj., që i dhanë gjallëri fushës. Ne lëvizim lirshëm nëpër sheshin aq magjepsës, takojmë shokë e miq të njohur. Aty mes zjarreve të kënaq dhe aroma e mishit të pjekur në hell. Kanë ngritur lokalet të improvizuar sipas zonave, por ato më të dukshëm janë zona e Potomit, zona e Çepanit dhe ajo e Tomorricës. Aty tregtohet çdo gjë, pije nga më të ndryshmet, si dhe perime e fruta të cilësisë së mirë. Ka një organizim shumë të mirë që është dhe meritë, jo vetëm e Kryegjyshatës, por dhe e komunave përreth.

     DITË TË BUKURA ME AROMË MALI

     Aty çdo ditë është e veçantë deri më 25, ditë të bukura që ta heqin çdo hall e brengë, aty njeriu është tjetër, harron gjithçka dhe vetëm i përkushtohesh këtij mali të madh, të lartë dhe madhështor. Aty njeriu jeton madhështinë, jeton ditët, orët dhe minutat nga më të bukura të jetës së tij. Pelegrinë të shumtë i afrohen Teqesë, një portë e ndërtuar në formë harku sikur pret njerëzit dhe u thotë: Mirëserdhët! Portë kjo e ndërtuar me mjeshtëri, me gurin e rrallë të Tomorrit. Aty të gjithë i sheh me shenjën e kuqe të gjakut në ballë, shenjë kjo që tregonte se kishin bërë kurban. Çdo qengj aty këto ditë bëhet fli në këtë vend të bekuar. Ne po bënim dhe qejfin tonë, porositëm qengjin tek miku ynë nga Potomi, Omeri, i cili na i kishte pjekur mirë dhe kaluam për bukuri. Si çdo vit, aty takon organizatorin e apasionuar të festës Nuri Cunin, i cili përpiqet që festa të shkojë sa më mirë, merr masat që të rregullohen me çadra dhe ushqim brenda mundësive pelegrinët që kishin ardhur. Çdo vit festa e Tomorit bëhet edhe më e bukur. Unë kam vajtur disa herë, por çdo vit kam parë ndryshime, janë bërë gjërat më të lehta, rruga është bërë më e mirë, makinat i ngjiten të përpjetës pa vështirësi, deri në Çukë. Unë u them të gjithëve ta provojnë, të ngjiten në këtë vend të bukur, në këtë mal, ku merr me vete shumë mirësi, besim dhe forca për të ecur përpara, merr bekimin e perëndive dhe shëron çdo mangësi që të sjell jeta. Zbret poshtë këtij mali dhe merr me vete një “thes” të madh me përshtypje, kujtime, urime dhe mirësi. Shpirtin e ke mbushur plot me kënaqësi pa fund. Mirupafshim Tomorr i madhërishëm, mali i “Perëndive” dhe shqiptarëve!

     Kastriot Caka