Tiranë/Rruga “Idriz Dollaku” në terr. Banorët: Do protestojmë para bashkisë!

    441
    Sigal

    E njëjta situatë dhe në disa lagje të tjera. Alarmi i banorëve, në veshë të shurdhër

    Edhe pse aspiratat tona janë të mëdha, (duam të jemi pjesë e Komunitetit Europian), edhe pse nuk e meritojmë, se mezi u shkëputëm nga mesjeta që na ofronin vitet kur dritat na vinin me orë dhe pjesën më të madhe ishim në terr, disa lagje të Tiranës po na rikthejnë mbrapsht në kohë.  Nëse do të bredhësh në Tiranën e natës, do të kuptosh se shumë lagje të saj janë në terr, se mungon ndriçimi i rrugëve. Në terr është rruga “Idriz Dollaku” në “Ali Demi”, e pikërisht në një objekt të rëndësisë së veçantë, aty ku është burgu. “Ujku mjegull do”, thotë populli, ndaj banorët e kësaj zone janë të terrorizuar. Ecin me frikë në rrugët e lagjes së tyre të dashur, në lagjen më të vjetër të Tiranës. Sikur të mos mjaftonte përmbytja e kësaj lagjeje, sa herë bie shi, banorët përballen edhe me terrin në rrugën e tyre. Edhe pse janë qytetarë të rregullt dhe i paguajnë me përpikëri të gjitha taksat vendore, ata penalizohen. Ndryshe paraqitet situata në periferitë të Tiranës. Atje çdo gjë shkëlqen, edhe pse banorët nuk paguajnë taksat e tyre, apo energjinë elektrike. Pse ky diferencim? Pse duhet të penalizohen qytetarët të cilët paguajnë rregullisht detyrimet e tyre? Mos është thirrje për informalitet? Për të qenë të gjithë të barabartë, mos duhet që edhe këta qytetarë të mos paguajnë detyrimet e tyre, që të mos penalizohen? Çfarë bën Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës? Duhet që kjo drejtori të kryejë detyrën e saj dhe të menaxhojë si duhet shërbimin në qytetin e Tiranës. Në të kundërt, qytetarët e kësaj zone paralajmërojnë protesta, apo më keq akoma, heqjen dorë nga të qenit qytetarë të rregullt të Tiranës dhe mos të paguajnë detyrimet e tyre. I takon bashkisë Tiranë t’i japë zgjidhje kësaj dileme të banorëve në rrugën “Idriz Dollaku” në “Ali Demi”, lagjen më të vjetër të Tiranës.