Tirana-Partizani, këtë herë derbi më i luftuar se kurrë

582
Sigal

Kjo ndeshje i gjen skuadrat kryeqytetase në të njëjtin nivel për titull

Këtë javë të gjashtë të Superligës, të gjithë sytë do të jenë të drejtuar në kryeqytet për të parë supersfidën e kampionatit Tirana-Partizani. Rivaliteti mes klubeve, historia dhe gjendja aktuale në kampionat e bën këtë ndeshje akoma edhe më të veçantë por me ngërçin e vetëm (deri më tani) që do të luhet pa tifozë, për shkak të dënimit që ka marrë Tirana nga Komisioni i Disiplinës. Kjo ndeshje i gjen të dyja skuadrat me pikë të barabarta në kampionat dhe duke luftuar që tani për titullin kampion. Ndeshjet që luajtën në javën e pestë pa të arrinin rezultate të ndryshme për të dy skuadrat, me Partizanin që korri fitoren e tretë rresht këtë sezon në ndeshjen e luajtur ndaj Teutës dhe me Tiranën që pësoi humbjen e parë të sezonit ndaj Laçit me rezultatin 2-0. Në total janë në barazi të plotë, si me pikë ashtu edhe në rezultatet e arritura, pasi të dyja kanë marrë nga tre fitore, një barazim dhe kanë pësuar nga një humbje por po të shohim ecurinë e dy skuadrave gjatë këtij sezoni vëmë re një rritje të lojës së Partizanit që nuk e nisi mirë kampionatin me një humbje dhe një barazim, por pikën e kthesës do ta arrinte në ndeshjen ndaj Skënderbeut që e pa të merrte fitoren e parë, e duke e pasuar me fitoren ndaj Kukësit për të ardhur tek më e freskëta, ajo ndaj Teutës. Nuk mund të themi të njëjtën gjë për Tiranën që e nisi shumë mirë kampionatin, duke marrë dy fitore rresht pastaj një barazim në Shkodër, një fitore të mundimshme ndaj Elbasanit dhe për ta mbyllur pastaj me humbjen në Laç. Por duket se edhe sulmi po funksionon siç duhet për Partizanin që edhe pse nuk është skuadra që ka shënuar më shumë gola në kampionat, të gjithë golat janë shënuar nga reparti sulmues, me në krye Racic me tre të tillë dhe nga një për Vilen dhe Fazliun. Në bazë të këtyre rezultateve,ecuria e mirë e demave të kuq është një ‘kërcënim’ për bardheblutë që do kërkojnë medoemos fitoren si për pikët dhe konfirmimin në krye të tabelës por nuk duhet lënë mënjanë që të dyja skuadrat do të luajnë për të shpallur ‘kampionen’ e qytetit në këtë fazë të parë. Fatmirësisht kjo ndeshje nuk do të ketë mungesa në futbollistë, përveç Bunjamin Shabanit të Partizanit që duket se nuk do rikuperohet në kohë për trajnerin Duro, por pjesa tjetër e skuadrës do të jetë e plotë. E njëjta gjë vlen edhe për Tiranën  që nuk ka asnjë të dëmtuar por vetëm të pezulluar dhe me Currin që e përfundoi dënimin që në ndeshjen me Laçin dhe Elis Bakajn që do të paguajë gjobë për të qenë prezent në ndeshje, duket se asnjë problem nuk do ketë as për Maganin që ka në dispozicion të gjithë futbollistët e tij.  Ndeshja do të luhet të shtunën në ora 19:00 në “Qemal Stafa”. Ndeshjet e tjera që do të zënë vend në javën  e gjashtë janë ato mes Apolonia- Kukësi, Vllaznia-Elbasani, Teuta-Skënderbeu dhe Flamurtari-Laçi. Me gjendjen aktual të kampionatit aktualisht çdo ndeshje meriton të quhet një finale për të gjitha skuadrat pasi janë shumë afër me pikë me njëra tjetrën, përveç Elbasanit që akoma nuk ka arritur të gjejë rrugën që të çon qoftë tek fitorja apo barazimi dhe me ndeshjen që do luajë kundër Vllaznisë në Shkodër duket akoma edhe më e vështirë që ta arrijë këtë javë..

Ndeshjet e datës 26

Apolonia 17:00 Kukësi

Tirana 20:00 Partizani

Ndeshjet e datës 27

Vllaznia 16:00 Elbasani

Teuta 19:00 Skënderbeu

Flamurtari 19:00 Laçi

Sulmi/Mbrojtja më i/e mirë/dobët

Sulmi më i mirë /Flamurtari, Tirana (7 gola te shënuar)
Mbrojtja më e mirë/ Skënderbeu (1 gol i pësuar)
Sulmi më i dobët/ Apolonia (1 gol i shënuar)
Mbrojtja më e dobët/ Elbasani (13 gola të pësuar)

Katari nuk do të organizojë Kupën e Botës në 2022-n

 Sipas anëtarit të Komitetit të FIFA-s, Theo Zvvanziger, Kupa e Botës nuk do të mbahet në Katar sepse pavarësisht masave që do të merren për krijimin e kushteve sa më të mira në stadiume, përsëri janë masa që nuk mbulojnë dot vështirësitë që sjell klima në atë vend. Sipas tij, mjekët janë shprehur se, nuk mund të pranojnë përgjegjësitë e tyre në një kupë që do organizohet në këtë vend pasi një eveniment i tillë nuk zë vend vetëm në stadiumet e ftohura me kondicionerë, por edhe jashtë tyre. Por nga ana tjetër, një anëtare e FIFA-s është shprehur se Zvvanziger ka shprehur thjeshtë mendimin e tij dhe asgjë që të ketë të bëjë me vendimin e FIFA-s dhe që nuk do ta komentojnë një mendim personal. Vlen të përmendet fakti se kohë më përpara Presidenti Blatter është shprehur se, ishte një gabim, vendimi për organizimin e Kupës së Botës në Katar dhe se do të shqyrtojnë mundësinë që ta zhvillojnë turneun gjatë dimrit për të shmangur verën e nxehtë.

Kampionatet europiane zënë vend në mesjavë

Bundesliga: Si rrallë ndonjëherë, Bundesliga luan ndeshjet në mesjavë duke filluar nga sonte me katër takimet e para të gjitha në orën 20:00. Bie në sy përballja e Bayernit Mynih që do ndeshet me ‘modestët’ e Paderborn që aktualisht zënë edhe vendin e parë në rënditje. Kjo ndeshje, në rast fitoreje, i jep mundësinë Bayernit që të kapi kreun duke lënë pas rivalët për titullin. Në fakt ky fillim sezoni ka qenë një ndër më të dobëtit për Bayern në tre vitet e fundit, ku në katër ndeshje kanë fituar dy dhe kanë barazuar po dy duke e vendosur në kuotën e 8 pikëve dhe në pamundësi për tu shkëputur në krye, duke parë edhe gabimet që kanë bërë rivalët

Serie A: Edhe kampionati italian do të luajë ndeshjet e javë së katërt në mesjavë me vetëm Empoli – Milan që do të ndeshen sonte në mbrëmje në ora 20:45. Milani vjen pas një humbje në shtëpi ndaj Juventusit 1-0 dhe do të përpiqet të arkivojë fitoren e tretë në katër ndeshje.

Primera Division: Hapet sot java e katërt edhe për kampionatin spanjoll që do tëluajë sot vetëm dy ndeshje, ku bie në sy Real Madrid – Elche me madrilenët që do të përpiqen të bëjnë dy fitore rresht në kampionat pas fitores së thellë 8-2 të arritur ndaj Deportivos. Aktualisht Reali ndodhet në vendin e 7-të me vetëm gjashtë pikë në katër ndeshje. Rivali për titull i Realit, Barcelona, ka pasur një ecuri në perfeksion duke grumbulluar të gjitha pikët e mundshme në 4 ndeshjet e luajtura dhe do e restojë veten nesër në ndeshjen me Malagan.