Tirana ndërron pamjen orientale

1170
Me shpalljen e Tiranës kryeqytet në vitin 1920, pjesa më e madhe e nëpunësve filluan ndërtimin e shtëpive, ndërsa Bashkia vazhdoi projektet për hapjen e rrugëve të reja e rregullimin e atyre ekzistuese. Më 1922 u hap dhe Rruga e Durrësit, e cila më pas u pagëzua me emrin “Nana Mbretneshë” – thuhet në dokumentet e kohës. Sipas të dhënave, në fund të kësaj rruge që bashkonte Tiranën dhe Durrësin në vitin 1930 italianët filluan punimet për ndërtimin e Aeroporti të Rinasit. Sipas të dhënave, ai i përkiste shoqërisë italiane “Ala Littoria”. Në të njëjtin vit – sipas buletinit të Bashkisë – u zgjerua dhe rruga “28 Nëntori”, u prishën një varg dyqanesh dhe u formua e njëjta rrugë që vazhdon të jetë dhe sot. Për herë të parë është hartuar një plan rregullues nga inxhinier Eshref Frashëri. Në 1926-1927, sipas dokumenteve të Arkivit të Shtetit, u hap për herë të parë rruga “Mbretënore” (Rruga e Barrikadave), e cila brenda një kohe të shkurtër do të bëhej një nga rrugët më kryesore. Në vitin 1928-1929 u zgjerua dhe u sistemua bulevardi “Mussolini” (Rruga e Kavajës), e cila u bë një nga arteriet kryesore të kryeqytetit. Në fillimin e këtij bulevardi u ndërtua Banka Kombëtare e Shqipërisë. Sipas dokumenteve, më 1930 u ndërtua dhe ajo që do të quhej rruga më e bukur e më e rëndësishme e Tiranës, bulevardi “Zogu i Parë”, që fillonte nga Kodra e Pashës deri në Brrakë.
Sigal