Tirana, kryeqyteti ku sinjalistika rrugore është përtokë

    689
    Nëse vizitoni Tiranën për herë të parë mund t’iu ngjasojë me një zonjë rurale krahasuar me kryeqytetet apo dhe qytetet e tjera të Rajonit apo Europës. Kjo sepse Tirana edhe sot, kur shumë ligje janë hartuar dhe miratuar për rregullimin e qarkullimit rrugor, kur sinjalistika thuhet se është në formën më të mirë, kur thuhet që civilizimi i qytetarëve është çdo ditë në rritje etj, përsëri kemi një numër të frikshëm të aksidenteve rrugore. Rrugët e Tiranës çdo ditë janë një rrëmujë e vërtetë, në shumë rrugë ende nuk punojnë semaforët, në shumë rrugë ende nuk ka tabela treguese se kush ka të drejtë të kalojë ose jo, nuk ka polic të qarkullimit rrugor në çdo rrugë, e cila cilësohet si problematike. Këto problematika dhe shumë të tjera bëjnë që në rrugët e Tiranës aksidentet të jenë të panumërta çdo ditë. Në Tiranë disa nga akset më problematike sa i përket trafikut të përditshëm janë Shkolla Teknologjike – Kombinat (infrastruktura rrugore e dëmtuar dhe mungesë e theksuar sinjalistike), Rruga e Unazës së Re (ndërprerje e rrugës nga këmbësorët dhe mungesë e theksuar sinjalistike), si dhe segmenti Bërryli – ATSH (mosrespektim i sinjalistikës nga drejtuesit e mjeteve). Si këto zona ka dhe shumë të tjera, kryqëzime të shumta ku nuk di se si të veprosh, duhet thjesht të ndjekësh të tjerat, për të parë se çfarë duhet bërë. I tillë është rasti tek kryqëzimi, në afërsi të rrugës “Milan Shuflaj”, ku gjendja paraqitet mjaft e rënduar, për shkak të trafikut, për shkak të mungesës së sinjalistikës, për shkak të mungesës së semaforëve, për shkak të mungesës së kontrollit nga ana e policisë rrugore, për shkak të fluksit të automjeteve të llojeve të ndryshme të tonazhit, motoçikletave, biçikletave, kalimtarëve, të cilët janë të detyruar të kalojnë në të njëjtën rrugë 24 orë në ditë. Gjithë kësaj rrëmuje i shtohen dhe parkimet vend e pavend i automjeteve, taksitë që presin në buzë rrugësh, shitës ambulantë që vështirësojnë qarkullimin në këto rrugë. Tek rrotullimi në rrugën “Adem Jashari”, ku trafiku është çdo ditë pjesë e kësaj rruge, njëkohësisht dhe rreziku për kalimtarët është pjese e përditshme. Aty ku një polic i rrugores duhet të jetë i pranishëm, nuk është, duke lënë që rrëmuja e trafikut të arrihet nëpërmjet një marrëveshjeje mimikash mes drejtueseve të automjeteve dhe kalimtarëve. Edhe pse mburrjet e drejtuesve tanë për këtë pjesë, nëpër salla mbledhje, ekrane televizionesh apo firmosje shkresash janë të shumta, në lidhje me trafikun dhe rregullimin e qarkullimit dhe sinjalistikave rrugore mbetet ende shumë për të bërë, shumë më shumë se sa fjalët e drejtuesve tanë me kollare dhe me këpucë të lustruara, që japin leksione të shumta, pa bërë diçka konkrete për zbutjen e këtij problemi, i cili sot e 25 vjet vazhdon të mbetet problematik. Sot kur ne synojmë të bëhemi pjesë e Europës, ende kemi rrugë me gropa në mes të kryeqytetit, kur ende kemi rrugë pa semaforë, e shumë e shumë probleme të tjera si këto, të cilat janë rutinë e përditshme e kryeqytetit tonë dhe rrezik serioz për qytetarët të cilët nuk kuptojnë se çfarë po bëhet në qytetin e tyre. 
    Punonjësit e bashkisë harrojnë të mirëmbajnë rrugën “Muhamet Gjollesha” 
    Rruga “Muhamet Gjollesha” është lënë në harresë nga mirëmbajtësit e bashkisë. Ndarësja e korsive të kësaj rruge është e mbjellë me lule dekorative, të cilat kanë arritur lartësinë deri në 2m, duke u bërë një rrezik serioz për kalimtarët që kalojnë këtë rrugë, pa pasur mundësi të shohin nëse në krahun tjetër ka automjete apo jo, kjo sepse gjatësia e këtyre luleve dekorative nuk i lejon ata të shikojnë përtej rrugës. Kjo rrugë në mesin e saj ka dhe vija të bardha, të cilat janë për kalimtarët, por këta të fundit nuk kalojnë në vijat e përcaktuara për të kaluar, po e bëjnë këtë gjë ku të gjejnë hapësirë bosh të kësaj korsie për të kaluar dhe për të dalë në mënyrë të rastësishme përpara drejtuesve të automjeteve, të cilët jo pak herë kanë shkaktuar dhe aksidente. Në lidhje me këtë çështje punonjësit e mirëmbajtjes së bashkisë së Tiranës nuk e kanë marrë mundimin apo ndonjë urdhër nga drejtuesit bashkiakë për pastrimin e këtyre luleve dekorative të cilat kanë arritur gjatësinë thuajse 2m. Duke lënë që këto lule dekorative të kthehen në një rrezik serioz si për kalimtarët ashtu dhe për drejtuesit e automjeteve. 
    Sigal