Tirana fond për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Korçë

73

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në mbledhjen e sotme një sërë vendimesh të rëndësishme, duke filluar nga fondi i ndihmës për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Korçë, shtimi i shërbimeve që do të ofrohen për studentët përmes kartës së studentit, krijimi i qendrës TUMO te Piramida .

Siç premtoi pak ditë më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj, Bashkia e Tiranës është e para e cila u vjen në ndihmë banorëve të qarkut Korçë, banesat e të cilëve u dëmtuan nga lëkundjet e forta të tërmetit. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të japë 10 milion lekë të rinj për rindërtimin e banesave të dëmtuara, ndërkohë që ndihma do të vijojë edhe për zëvendësimin e pajisjeve elektro-shtëpiake. Vendimi u miratua në mënyrë unanime nga Këshilli Bashkiak.

“Sigurisht, qeveria do të bëjë pjesën më të madhe, por ne do të jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe me elektro shtëpiake. Mezi pres që ky Këshill të miratojë unanimisht këtë vendimmarrje dhe besoj që është në nderin e Tiranës për të qenë solidare me gjithë miqtë tanë në Korçë. Ka një pjesë të madhe të komunitetit të Korçës që jeton në Tiranë dhe besoj që solidariteti na bën nder të gjithëve. Ky është një vendim që fusim jashtë radhe”, tha Veliaj. Krahas këtij fondi për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara, Bashkia e Tiranës mblodhi ndihma të cilat u nisën me shpejtësi për t’u ardhur në ndihmë familjeve në Qarkun e Korçës.

Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi gjatë mbledhjes së sotme vendimin për miratimin e plotë 18 shërbimeve të tjera që studentët mund të përfitojnë duke përdorur kartën e studentit, ndërsa kryebashkiaku Veliaj tha se deri në fund të verës do të synohet që kjo listë të shkojë deri në 100 të tilla.

“Kemi një listë me 40 shërbime, e kemi azhornuar sepse janë shtuar edhe shërbime të tjera. Në mbledhjen e fundit futëm Muzeun Kadare, tani do të kemi disa stacione të tjera. Pretendojmë që deri në fund të verës këto të shkojnë deri në 100 shërbime publike dhe private”, tha Veliaj. Ai bëri të ditur se procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të studentit ka ecur me ritme shumë të mira, çka ka bërë që deri më tani të lëshohen rreth 10 mijë të tilla.

Veliaj shprehu mirënjohjen jo vetëm për angazhimin e institucioneve shtetërore, por më së shumti të subjekteve private që i janë bashkuar kësaj nisme, duke ofruar gjithashtu shërbime dhe produkte falas ose me çmime të reduktuara për këdo që mban Kartën e Studentit. “Jam shumë i lumtur që shumë banka, kompani celulare, kompani veshjesh, kancelari, kompani të pajisjeve elektronike, produkte ushqimore, janë bërë pjesë e skemës”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i marrë sot nga Këshilli Bashkiak i Tiranës ishte dhe ai për  krijimin e qendrës TUMO, e cila është qendra që do të menaxhojë Piramidën. Kryebashkiaku Veliaj shprehu bindjen se ky projekt do të jetë funksional në kohë rekord. “Një vendim tjetër është krijimi i qendrës TUMO, që do të menaxhojë Piramidën. Po e krijojmë këtë qendër, që teksa bëjmë investimin në infrastrukturë, të kemi edhe trupën menaxheriale që, jo vetëm të do ndjekë punimet, por do hartojë edhe programin, kalendarin, bursat dhe gjithë procedurat e tjera për ta bërë funksionale”, tha Veliaj.

Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës synon transformimin e saj në një qendër shumëfunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese. Plani synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa është e arritshme nga të gjitha anët. Risia e rivitalizimit të qendrës qëndron në faktin se TUMO është një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit.

Ndërkaq, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në mbledhjen e sotme emërtimin e Sheshit “Çamëria” në Bulevardin e ri të Tiranës. Në mbledhjen e sotme u miratuan edhe një sërë vendimesh të tjera si: P/Vendim “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”; P/Vendim “Për miratimin e kërkesës së Bashkisë Tiranë, së bashku me dokumentacionin tekniko- ligjor për akordimin e ndihmës financiare për 155  familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar nga përmbytjet e ndodhura në Njësinë Administrative nr.11, nga buxheti i Bashkisë Tiranë dhe buxheti i vitit 2019 në Ministrinë e Mbrojtjes, programi “Emergjencat Civile””; P/Vendim “Për krijimin e Agjencisë së Rinisë, si institucion në varësi të Bashkisë Tiranë”; P/vendim “Për miratimin e kompensimit ushqimor për nxënësit/ fëmijët e familjeve në nevojë në shkollat ku implementohet projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, për periudhën 1- 30 Prill 2019.