Tinguj të magjishëm në një amfiteatër blu

707
Nga Ramazan ÇEKA
Në “Art Center Blue Sky” i pesti edicion që organizohet në këtë verë të nxehtë me këngëtarë dhe artistë të shquar, që solli një performancë krejtësisht të re, sepse ky spektakël madhështor nuk u organizua në ambientet e brendshme të kësaj qendre, por në një skenë të jashtëzakonshme të ndërtuar dhe realizuar si një amfiteatër veror në një nivel të tillë bashkëkohor, që do t’ia kishin zili edhe qendra prestigjioze në mbarë Evropën e pse jo deri në Las Vegas.

Po ndalem me shumë emocion tek ajo që pashë në këtë natë, ku kjo skenë kaq madhështore ishte ideuar në atë mënyrë, aq artistikisht të arritur, ku këngëtarët që do të performonin dukeshin sikur dilnin nga një liqen blu dhe përcillnin zërin e tyre në një konvencion hapësinor që kishte pushtuar me të gjithë aksesorët e vet mbrëmjen magjike.

Çdo gjë ishte e përkryer, dritat, ngjyrat, efektet dhe dekori sugjestionuan të pranishmit. Këngëtarët dhe orkestra që i shoqëronte dukeshin sikur vinin nga një botë përrallore.

Në këtë skenë të magjishme u ngjiten këngëtarë të ardhur nga Shkodra, Lezha, Tirana, Malësia e Madhe, Treva e Dukagjinit, Kosova, Tuzi, Ulqini e nga gjithë Diaspora. Ishin jo pak, por 40 artistë nga gjithë trevat shqiptare, “të vjetër”, por edhe shumë e shumë të rinj që sollën emocione të jashtëzakonshme.

Si një perëndeshë që dukej sikur vinte nga ujërat e kaltërta të Liqenit të Shkodrës u ngjit në këtë skenë moderatorja dhe prezantuesja Adelajda Tukiqi, e cila me bukuritë dhe nuret e saj elektrizoi të gjithë spektatorët. Ajo u ngjit në skenë duke ecur jo mbi tapetin e kuq që jemi mësuar ta shohim, por mbi një sipërfaqe të xhamtë blu, ku dukej sikur ecte përmbi ujërat aq të pastra dhe të freskëta që rrethojnë Shkodrën. Këtë efekt spektatorët e shijuan edhe për çdo këngëtarë që u ngjit në këtë skenë.

Pjesëmarrja e spektatorëve tregonte interesimin e madh, por edhe reputacionin që ka kjo qendër e madhe artistike e kulturore, jo vetëm në organizimet që bën në mënyrë sistematike në skenën e saj, por edhe në evenimente kaq të rëndësishme, siç janë “Hitet Verore” që tanimë janë bërë një traditë.

Meritën kryesore natyrisht e ka presidenti i kësaj qendre, tanimë të afirmuar, z. Gëzim Brahusha, që padyshim është edhe ideatori i këtyre ngjarjeve të mëdha kulturore dhe artistike.

Vlerat e këtij aktiviteti, natyrisht që i shtojnë artistët e rinj që nga viti në vit nuk janë të pakët, përkundrazi shtohen dhe nga ana gjeografike, por për mendimin tonë vlerësim të madh i japin artistët “më të vjetër”, ku mund të përmendim Vjoleta Zefi “Mjeshtre e Madhe”, Mukades Çanga “Mjeshtre e Madhe”, Bujar Qamili “Mjeshtër i Madh”, i cili nuk ishte pjesë e garës, por i ftuar special për të përshëndetur këngëtarët dhe pjesëmarrësit, si dhe Bashkim Alibali që në këtë natë magjike, patën përkrah talente të mrekullueshëm ku mund të veçojmë edhe këngëtarët e rinj.

“Hitet Verore” në këtë korrik të nxehtë të 2017-ës u prezantuan si një fllad i freskët që dukej sikur vinte nga Liqeni i Shkodrës që nuk është dhe aq larg nga Qendra Kulturore Artistike. Muzika dhe tingujt shpërndaheshin në hapsirë sikur kërkonin të bashkoheshin me yjet që shndrisnin në qiellin e pastër të një nate vere, ku për çudi herë pas here njëri dukej sikur kërkonte të zbriste në tokë. Ishte një dron, simbol i organizimit profesional që kërkonte të memorizonte nga lart çdo imazh dhe detaj të kësaj nate që nuk mund të xhirohej nga toka. Ishte një perfeksion, ishte një emocion që nuk mund të përshkruhet me kaq pak fjalë.

Ky spektakël madhështor nuk kishte lidhje me orët që kishin humbur nocionin e tyre, nuk kishte lidhje me natën, e cila pak nga pak, e bindur, filloi t’ia lëshonte radhën agut të ditës.

Të tjerat, që do të shkruaj më poshtë, janë informacion. Mes shumë emocionesh, si çdo koncert i kësaj natyre, do të kishte edhe vende nderi, kështu që u dhanë edhe çmime për më të mirët, çmime të vlerësuara nga një juri, e cila për muaj me radhë ka menaxhuar vlerësimet e publikut për krijimtarinë dhe interpretimet më të mira, për të ardhur deri tek ky spektakël i shumëpritur.

Mirënjohje për kompozitorin Behar Neli, këngëtaret Vjoleta Zefi “Mjeshtre e Madhe” dhe Mukadez Çanga “Mjeshtre e Madhe”

Çmimin e karrierës: Këngëtari i shquar Bashkim Alibali
Çmimin e publikut: Këngëtari nga Ulqini Vesel Palinku
Çmimin e internetit: Këngëtarja Elisabeta Marku
Çmimin “Hite Verore” 2017: këngëtari nga Diaspora Remi Jakupi
Çmimin “Vokali më i ri”: Këngëtarja nga Malësia e Madhe Elvire Fjerza
Çmimin “Aty ku muzika buron nga shpirti”: Këngëtarja nga Tuzi Andrea Nicaj
Çmimin “Instrumentisti vitit”: kompozitori dhe orkestruesi Artion Qamili
Çmimin “Kamera më e mirë e vitit: Ervis Hajdari

“Mirënjohje” për Biznesmenin Bashkim Cekaj
Sponsorët
Exalco (Fran Podja)
Albis party (Naser Nila, New York)
Melgushi Shpk
Vitor Kola, (biznesmen në Angli)

Stafi i mrekullueshëm, që padyshim ishte organizator dhe realizues, u drejtua nga z. Gëzim Brahusha, u udhëhoq artistikisht nga Arben Dema, me libret nga Ramazan Çeka dhe me regji të Qazim Çelës.
Sigal