Thoma Konduri/ E vërteta për Shoqatat e Ushtarakëve

    462
    Para disa ditësh, pikërisht në kohën kur shoqatat e ushtarakëve vendosën të dalin mbi ndasitë e tyre, të bashkëpunojnë ngushtësisht, në çdo drejtim, për mbrojtjen e të drejtave të nëpërkëmbura të ushtarakëve, z. Çelmeta del me një shkrim qartësisht denigrues, mohues dhe provokues, ndaj shoqatave të ushtarakëve. Dua të theksoj se qëllimi im nuk është të sqaroj zotin Xheladin, por të bëj me dije lexuesit, për të vërtetën e baltosur nga ky zotëri, i cili edhe veten nuk e quan ushtarak. Në shkrimin e tij, ushtarakët i quan “ish”. Kjo nuk është mosnjohje e përcaktimeve ligjore të statusit që kanë ushtarakët (aktiv, në rezervë, në lirim apo në pension), por është bindje në konceptin e përdorur gjerësisht nga politikanët dhe zyrtarë të çdo qeverie, me qëllim zhvlerësimin dhe denigrimin e ushtarakëve. Ushtaraku është profesion i fituar sikurse mjeku, inxhinieri, juristi, agronomi etj, titull ky që i mbetet për gjithë jetën dhe për më saktë është mision. Që në fillim të shkrimit, shkruan hamëndësira që ai i dëshiron, si për “një farë sinjali” apo të “takimit të kryesisë të AKUSH-it” që kanë folur për shkrirje dhe bashkim etj. etj. E vërteta se çfarë është folur e vendosur në forumet e shoqatave është konceptuar dhe pranuar vullnetarisht në aktin e marëveshjes së bashkëpunimit midis SHKURSH dhe AKUSH, në 13 Maj 2015. Çdo gjë tjetër është tymnajë e tijë çoroditëse.
    “Shqetësimi” për ekzistencën e “më shumë se 20 shoqatave të ushtarakëve”
    “Shqetësimi” i ekzistencës së “më shumë se njëzet shoqatave të ushtarakëve” është i pa vend. Shoqatat e armëve dhe shërbimeve (që nuk janë njëzet) janë honorifike dhe në shërbim të ushtarakëve të specialitetit përkatës. Ato mbajnë më të bashkuar e të lidhur ushtarakët, mbajnë gjallë historinë e çdo arme e specialiteti, janë pjesë dhe kontribuojnë në funksionimin e të dy shoqatave gjithpërfshirëse. Deklarimi se “Njëzet e ca vjet demokraci…shoqatat e ushtarakëve pa përjashtim, nuk kanë patur; as forcën e duhur të organizimit, as platformat e duhura per të mbrojtur statusin e ushtarakut”, është sa për të qeshur aq edhe për ta mëshiruar për “padijenimë” e z. Çelmeta, se dhe vetë statusi është kontribut i shoqatës, si me presionin ndaj politikës, deri në parlament, ashtu edhe me pjesëmarrjen në hartimin e tij. Në “njëzet e ca vjet demokraci”, për të drejtat e ushtarakëve, shoqatat organizuan dhe realizuan shumë veprimtari për të bërë trysni mbi qeveritë për të hartuar dhe zbatuar ligjet e miratuara, që nga statusi i vitit 1991 (i cili u mohua thuaj se plotësisht), rikthimin e pensionit të parakohshëm (asistencës) të ndërprerë në 1996, etj. Për të aritur deri këtu u pëdorën nga rrugët institucionale deri në përleshje me policinë. Kolegët tanë e sidomos drejtuesit edhe u arrestuan, u izoluan në qelitë e komisariateve, deri edhe u dënuan nga gjykata, në kohën e Nanos. Për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve, shoqatat, përveç protestave në gjithë vendin, ka orjentuar ndihmuar dhe udhëhequr kolegët në hapjen dhe zhvillimin e gjyqeve për të drejtat financiare të mohuara nga qeveritë tona. Kundër qeverisë, shoqatat kanë hapur e fituar dy gjyqe në Gjykatën Kushtetuese.
    Çfarë është arritur me tërësinë e përpjekjeve?
    Në radhë të parë të kemi në dorë ligjet në të cilët mbështesim kërkesat tona dhe vendimet me të cilët mbrohemi. Rikthyem pensionin e parakohshëm, përfituam pension suplementar për kolegët tanë të dalë në pension para vitit 1991, etj. Fakt është se janë shumë të drejta të pa dhëna sipas ligjeve. Por jemi në një shtet ku pushteti jo vetëm nuk zbaton ligjet apo vendimet e gjyqësorit, por i kundërvihet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me ligje antikushtetues. Një “viktimë” e këtij fenomeni, është edhe z. Xheladin, i cili në vend që të bashkohet me ne mohon dhe baltos përpjekjet e kolegëve. Praktikat e ndjekura nga shoqatat, lidhur me partitë politike, asnjëherë nuk kanë qënë për lidhjen e fatit të tyre me atë të partive. Lëvizjet e shoqatave kanë qënë taktike, të përkohshme dhe në interes të qëllimit: mbrojtjen e ineresave të ushtarakëve. Kjo gjë po ndodh edhe sot për zgjedhjet vendore me parimin” kush premton dhe nuk i mban ato, nuk ka mbështetjen tonë”. Në shkrim, sipas autorit, çdo gjë e bërë deri më sot, na qënkan “fjalë të mëdha” që nuk kanë “asgjë konkrete”. Kryesorja dhe konkretja për të na qënka ulja e pensionit të tij në masën 1000 lekë, para tre muajve. Por cinizmin e shfaq kur thotë se “krejt pa u ndjerë, akti normativ u kthye në ligj në këto gjashtë vjetët e fundit dhe asnjë nga shoqatat e ushtarakëve nuk u ndie”. Në vazhdim dua t’i drejtohem direkt zotit Xheladin. Do t’ju kujtoj dy vargje të poetit Shefqet Musaraj: “ Ku ishe ti bej efendi/Kur ne luftonim për Shqipëri”? Akti Normativ u kthye në ligj, në një ditë, në datën 23 dhjetor 2010. Në këtë ditë, shoqata arriti të detyrojë opozitën e atëhershme që të ndërpriste bojkotin, të futej në Kuvend dhe të kundërshtonte projektin. Ndërkohë sheshi para Parlamentit ishte mbushur me ushtarakë që protestonin kundër miratimit të ligjit. Po ju ku ishit? Në vitin 2011 kolegëve tanë iu ul pensioni deri në masën 7000 lekë dhe paguanin debitin deri në 2400 lekë. Ne filluam lëvizjet në gjithë vendin. Po ju ku ishit? Ne filluam gjyqet ndaj zbatuesve të këtij ligji antikushtetues. Po ju ku ishit? Pavarësisht nga rezultati i arritur, sot kjo çështje është në Strasburg. Po këtë e dini ju? Këto gjashtë vjet, nga shoqatat dhe degët e tyre në rrethe, janë bërë me dhjetra letra e peticione, janë bërë me dhjetra takime me drejtues partie, drejtues drejtorish në ministritë e ndryshme, me minisrta, janë dërguar projekt-ligje për abrogimin e “Aktit Normati” në dikasteret përgjegjëse, janë bërë me dhjetëra artikuj e dalje në mediat e shkruara dhe vizive. Të gjitha këto si presion për shfuqizimin e këtij ligji penalizues. Po ju ku ishit?
    Bashkëpunimi i dy shoqatave
    Kur në datën 13 Maj 2015, ne dy shoqatat, SHKURSH dhe AKUSH, bashkërisht firmosëm dhe dërguam drejtuesve kryesore të shtetit një letër me kërkesë themelore, shfuqizimin e “Aktit Normativ”, ju përse nuk afruat të solidarizohëshit por preferuat kafen jo më larg se 10 metra prej nesh? Përse ju “zgjoheni” sot që vetëm para tre muaj ju ulën pensionin në masë 1000 lekë, dhe nuk keni pranuar të merrni pjesë aktivisht në luftën për të drejtat e ushtarakëve, kur të është kërkuar nga të dy ish presidentët e SHKURSH, madje duke ju ofruar edhe funksione në organet drejtuese të shoqatës?. Të arrish të çvlerësosh përpjekjet për zbatimine edhe të të drejtave të tjera për të gjithë ushtarakët,të përcaktuar në status, duke i quatur këto pa vlrë përparp hallit tuaj të1000 lekshit,vetëm ju e bëni këtë. Pozicioni që keni zgjedhur, nuk do të ju zgjidh hallin tuaj. Ne do të vazhdojmë misioni tonë edhe pa ju, por edhe për ju. Atë që nuk do të arrijmë ne, do ta realizojnë kolegët që do të vijnë pas nesh. Së fundi duhet të ju kujtoj se në artikul keni fyer shumë rëndë 47 brezave tëskënderbegasve kur shpreheni “U rritëm tamam si jeniçerè.”. Këtë fyerje për skënderbegasit e keni huazuar nga ai që hapur e në çdo rast ka injoruar,denigruar dhe diskriminuar me urrejtje patologjike, ushtarakët. Indinjatën ndaj këtij njriu dhe etiketimin e tij fyes, skënderbegasit e kanë shprehur kudo dhe kurdo që u është dhën rasti. Se çfar vlera dhe formimi kanë marë 47 breza në atë shkollë, e ka treguar koha dhe jeta e çdo skënderbegasi, përvç e ndonjërit si ju. Në qoftë se e ndjeni veten “jeniçerë” është puna juaj. Një sugjerim si më i madh në moshë e me më shumë vite shërbimi: bashko problemin që keni me ato të kolegëve, duke qenë pjesëtar në atë shoqatë ku e gjeni vete, njihuni me përpjekjet që bëhen dhe kontribuoni me aftësitë tuaja për zgjidhjen e problemeve.
    (Presidenti i SHKURSH)
    Sigal