Thoma Goga/ Ku po shkon artizanati shqiptar me të cilin krenoheshim?

    507
    Artizanati, si shprehës i krijimtarisë popullore, është i vjetër sa vetë njerëzimi, pasi në të është gjetur mënyra më e mirë për evidentimin e talentit, fantazisë, duke krijuar produkte të përdorimit të përditshëm, të prodhimit industrial e më tej për tregje konkurues.Artizanët shqiptarë kanë një traditë të pasur e tepër të njohur, të krijuar nga mjeshtrat popullorë në shekuj, në treva e krahina të ndryshme, dukeiu përshtatur karakteristikave gjeologjike të zonave e duke evidentuar me estetikë, stil e shumëllojshmëri një krijimtari mbreslënëse e të veçantë. Një nga degët e shumta të artizanatit popullor është dhe qeramika. Që nga përdorimet e para të argjilës për enë e tjegulla, të cilat datojnë që në epokën e gurit, duke u trashëguar brez pas brezi, qeramika sot gjen aplikime të gjëra jo vetëm në artizanat, por dhe në shumë degë të industrisë. Por ajo e cila mbetet një formë tradicionale e hasur në shumë qytete shqiptare, është shtimi i objekteve me zbukurime e dekorime të shumëllojshme, që mbajnë gjallë pazaret karakteristike e dyqanet e prodhimeve artizanale, sidomos në qytetet Shkodër, Krujë, Tiranë (Farkë), Gjirokastër, Berat, Sarandë, etj. Në shumë raste aktiviteti i qeramikës nga prodhues të saj njihet edhe me termin “poçeri”. Janë të panumërta llojet e qypave, poçeve, vazove, tavave, pjatave, filxhanëve, çajnikëve e figurinave prej qeramike, duke bartur motive florealë e gjeometrikë. Shpesh në produktet e artizanëve shqiptarë ndeshen projekte me pasqyrimin e qyteteve shqiptare, emblemave të heraldikës shqiptare, flamurit e simboleve kombëtare, heronjve popullorë, figurave legjendare apo figurina të jetës romantike e baritore. Këto lloj punimesh janë mjaft tërheqëse edhe për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë. Me artin e qeramikës, veç artizanëve, gjithnjë e më shumë po përfshihën dhe artistë të mirëfilltë, skulptorë e qeramistë që gjejnë mundësi më të mëdha shprehjeje me plasticitetin dhe mundësitë që krijon argjila. Një aktivitet mbresëlënës mbetet dhe organizimi i ekspozitës së Shoqatës së Artistëve Qeramistë që u organizua në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë para disa kohësh.Po ashtu ka disa vite radhazi që në qytetin e Gjirokastrës organizohet Panairi Kombëtar i Artizanatit, ku pjesëmarrësit e të gjitha trevave ekspozojnë punimet e tyre përgjatë “Qafës së Pazarit” në qytetin e lashtë mbi 300 – vjeçar. Edhe pse pas viteve ’90, Fabrika e porcelanit në Tiranë pushoi aktivitetin, inisiativa e individëve të pasionuar pas qeramikës e vazhduan, duke bërë të mundur që artizanati shqiptar vitet e fundit të rifitojë vlerësimet e dikurshme dhe në panairet e në tregjet ndërkombëtarë. E tillë ishte dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artizanatit në Firence (Itali) nga data 20 -28 prill 2013, ku prodhuesit shqiptarë u përfaqësuan me stendën e tyre.
    Sigal