Thirrja e ambasadës: Shqiptarë mos harroni, ditët e fundit për të aplikuar. 5 hapat e nevojshëm

    660
    Ambasada: Mos harroni, ditët e fundit për Lotarinë Amerikane

    “Mos harroni se periudha e regjistrimit për Lotarinë Amerikane përfundon më 22 nëntor 2017, në orën 18:00”, bëri të ditur dje ambasada amerikane në Tiranë, duke iu drejtuar personave të interesuar nga Shqipëria. Gjithashtu, selia diplomatike sqaroi edhe 5 hapat që duhet të ndiqen për të realizuar aplikimin, si dhe të gjitha shpjegimet teknike për të pasur sukses në Lotarinë e Vizave të Emigrimit. Aplikimi për Lotarinë e Vizave të Emigrimit të Departamentit Amerikan të Shtetit rinisi më 18 tetor 2017, pas një problemi në sistemin kompjuterik. Edhe gjatë riaplikimit, sipas këshillave të Departamentit amerikan të Shtetit, mund të përdoren fotot e pranuara në aplikimet e plotësuara në javën e parë të tetorit 2017. DV-2019 do të ketë në dispozicion 50 mijë viza emigrimi për fituesit e lotarisë amerikane në mbarë botën. Përzgjedhja është rastësore, përmes një shorti kompjuterik. Fituesit pritet të shpallen në muajin maj 2018, ndërsa pajisja me viza do të nisë prej vjeshtës së ardhshme. Ambasada amerikane në Tiranë ka rikujtuar edhe këshillat për plotësimin e formularit. Në të përfshihen të dhëna për familjarët që duhet të përfshihen në formular, specifike për foton dhe informacione të vlefshme për aplikantët e interesuar. 

    Aplikantët duhet të paraqesin informacionin e mëposhtëm për të plotësuar regjistrimin në E-DV:
    1 – Emrin – mbiemrin, emrin, emrin e mesit – ekzaktësisht siç shkruhet në pasaportë. Mos vendosni emrin e babait si emër mesi, por vendosni N/A.
    2 – Datën e lindjes – ditë, muaj, vit.
    3 – Gjininë – mashkull ose femër.
    4 – Qytetin e lindjes.
    5 – Shtetin e lindjes – Përdorni emrin me të cilin njihet aktualisht shteti ku keni lindur.
    6 – Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë – Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë normalisht do të jetë i njëjtë me atë të lindjes. Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë nuk lidhet me vendin ku jetoni. Nëse keni lindur në një vend jo të kualifikueshëm për Programin e Lotarisë, lutemi rishikoni Pyetje të Shtruara Shpesh për të parë nëse ka mënyrë tjetër që mund t’ju bëjë të kualifikueshëm.
    7 – Fotografitë e tё regjistruarve – Fotografi personale tuajën të nxjerrë kohët e fundit, të bashkëshortit/es dhe të të gjithë fëmijëve të përfshirë në regjistrim. Nuk është e nevojshme të përfshini një foto të bashkëshortes/it dhe fëmijëve tashmë qytetarë amerikanë ose Rezidentë të Përhershëm të Ligjshëm (me green card), por në rast se i përfshini nuk do të ketë pasoja në aplikimin tuaj për vizë shumëllojshmërie. Fotografitë në grup nuk do të pranohen; duhet të paraqisni nga një fotografi për çdo individ. Regjistrimi juaj mund të skualifikohet ose viza juaj të refuzohet nëse fotografitë tuaja nuk janë të kohëve të fundit, janë të manipuluara në një formë apo në tjetrën, ose nuk respektojnë specifikimet e mëposhtme. Nëse përfshini fotografi që e kishit përdorur në regjistrimin e vitit të kaluar, ju do të skualifikoni automatikisht, ndaj përdorni fotografi të nxjerrë kohët e fundit.
    8 – Adresa postare – Në emër të Adresa Rreshti 1, Adresa Rreshti 2, Qyteti, Rrethi, Kodi Postar, Shteti.
    9 – Shteti ku jetoni aktualisht.
    10 – Numri i telefonit (jo i detyruar).
    11 – Adresë E-maili – Një adresë poste elektronike në të cilën ju keni akses tё drejtpёrdrejtё. Nëse aplikimi juaj përzgjidhet dhe ju i përgjigjeni njoftimit të përzgjedhjes tuaj nëpërmjet Kontrollit të Statusit të tё Regjistruarit, ju do të merrni e-maile të tjera komunikuese nga Departamenti i Shtetit duke ju njoftuar që informacion me detaje i intervistës për vizën emigruese ёshtё vendosur në Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve. Departamenti i Shtetit kurrë nuk do t’ ju dërgojё një e-mail duke ju thënë se ju jeni përzgjedhur për programin e DV-sё. 
    12 – Niveli më i lartë i arsimimit që ju keni arritur, deri më sot: (1) vetëm Shkollë fillore, (2) disa vite shkollë të mesme, pa diplomë (3) Diploma e shkollës së mesme, (4) Shkollë profesionale, (5) Disa kurse universiteti, (6) Diplomë universitare, (7) Disa nivele të kurseve pasuniversitare, (8) Master, (9) Disa Kurse të doktoraturës, dhe (10) doktoraturë. 
    13 – Statusi aktual martesor – (1) I/e pamartuar, (2) i/e martuar dhe bashkëshorti/ja ime nuk është qytetare amerikane, apo me green card, (3) i martuar dhe bashkëshorti/ja ime është qytetare amerikane, ose me green card, (4) i divorcuar, (5) i ve, ose (6) i ndarë ligjërisht. Vendosni emrin, datën e lindjes, gjininë, qytetin e lindjes, shtetin e lindjes së bashkëshortit/es tuaj, dhe një fotografi të bashkëshortit tuaj që plotëson specifikimet teknike të njëjta si fotoja juaj. Mosvendosja e bashkëshortit/es tuaj nё regjistrimin pёr lotarinё do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit kryesor dhe të refuzimit të të gjitha vizave të rastit në kohën e intervistës për vizë. Ju duhet të përfshini në regjistrimin tuaj bashkëshortin/en tuaj edhe në qoftë se keni ndërmend të divorcoheni përpara se të aplikoni për një vizë. Një bashkëshort i cili tashmë është një qytetar amerikan apo një banor i ligjshëm i përhershëm nuk do tё kërkojё dhe as nuk do t’i lëshohet një vizë DV. Ndaj, nëse ju zgjidhni opsionin “i martuar dhe bashkëshorti/ja ime është qytetare amerikane, ose me green card” tek aplikimi juaj, sistemi nuk do ju kërkojë të vendosni informacionin për bashkëshorten.
    14 – Numri i fëmijëve – Renditni Emrin, datën e lindjes, gjininë, qytetin e lindjes, dhe shtetin e lindjes për të gjithë fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç në momentin e regjistrimit elektronik, pavarësisht nëse jetojnë apo jo me ju, apo s’kanë ndërmend t’ju shoqërojnë ose ndjekin për t’u bashkuar me ju të emigroni në Shtetet e Bashkuara. Ngarkoni fotografi individuale të secilit prej fëmijëve tuaj duke përdorur specifikimet teknike të njëjta si fotografia juaj. 

    Sigurohuni që të përfshini:
    • të gjithë fëmijët biologjikë;
    • të gjithë fëmijët ligjërisht të birёsuar nga ju; dhe,
    • të gjithë fëmijët/thjeshtërit nga martesat e mëparshme që janë të pamartuar dhe nën moshën 21 vjeç në datën e aplikimit tuaj elektronik, madje edhe në qoftë se ju nuk jeni më të martuar ligjërisht me prindin e fëmijës, dhe madje edhe në qoftë se fëmija aktualisht nuk banon me ju dhe/ose nuk do të emigrojë me ju.

    Fëmijët e martuar dhe fëmijët mbi moshën 21 vjeç nuk janë të pranueshëm për DV. Megjithatë, në rrethana të caktuara Akti i Mbrojtjes të Statusit të Fëmijëve i mbron fëmijët nga “përjashtimi pёr shkak tё moshës”. Nëse aplikimi juaj i DV është bërë para se fëmija juaj i pamartuar tё kishte mbushur 21 vjeç, dhe fëmija mbush 21 para lëshimit të vizёs, ai/ajo mund të trajtohet sikur ai/ajo të ishte nën 21 për qëllimin e shqyrtimit të vizës. Një fëmijë i cili tashmë është një qytetar amerikan apo një banor i ligjshëm i përhershëm nuk ka nevojë për një vizë diversiteti, dhe ju nuk do të penalizoheni për mospërfshirjen e anëtarëve të tillë të familjes në aplikimin tuaj. Mospёrfshirja nё regjistrimin pёr lotarinё i të gjithë fëmijëve, të cilët kanë të drejtë do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit kryesor dhe të refuzimit të të gjitha vizave të rastit në kohën e intervistës për vizë.
    Sigal