Thika dhe doreza boksi, ja “librat” e nxënësve në shkollat e Elbasanit

662
Ngjarja e dy ditëve më parë, ku u përleshën mes tyre me thika dhe doreza boksi dy grupe nxënësish të dy shkollave të mes në Elbasan, ka krijuar një klimë të rënduar psikologjike tek drejtuesit e shkollave, dhe pasiguri për jetën e fëmijëve nga prindërit. Kjo për faktin sepse sipas tyre “edhe policia nuk ka mundur shpesh ti parandalojë incidente të tilla të cilat po bëhen prezente gjithnjë e më shpesh në ambiente shkollore dhe jashtë tyre”. Ngjarja e rëndë e cila ka ndodhur në rrugën “Rinia” në një lokal ku po festohej 7 dhe 8 marsi, ka tronditur jo vetëm stafin e shërbimit, por edhe kalimtarët, tek shikonin ndeshjen e gladiatorëve adoleshentë, tek godisnin njëri-tjetrin me thika dhe doreza boksi. Madje në minutazhin e përleshjeve që u transferuan nga lokali tek rruga kryesore, disa kalimtarë kanë dëgjuar edhe thirrje të tjera. Ky është një skandal, kjo situatë kaq e rënduar kriminaliteti është për të lëshuar alarmin, ku po shkon shkolla jonë, çfarë brezi po rritet dhe edukohet, pse kjo shthurje kaq flagrante e cila sipas specialistëve të kësaj fushe thuhet se e ka burimin fillimisht tek familja ? Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave në Elbasan kanë kohë që e kërkojnë praninë e policisë në ambientet e tyre, kërkojnë inspektorët e lagjeve ku ndodhen shkollat e tyre të jenë më të pranishëm në pushimin e gjatë apo orët e fundit të mësimit. Paralelisht me ngjarjen tek rruga “Rinia”, në dy shkolla 9-vjeçare të Elbasanit ka ndodhur një tjetër përleshje mes nxënësve të klasave të 8 dhe 9, me një tjetër bilanc tragjik. Prej tre ditësh një prej tyre ndodhet në Kirurgjinë e Elbasanit pasi ka marrë plagë të rënda nga përleshja mes dy grupeve rivale. Por kjo fjalë e fundit, po thuhet shumë shpesh në fjalorin e drejtuesve të shkollave të Elbasanit, për vetë dinamikën e ngjarjeve që kanë ndodhur dhe po ndodhin në shumicën e shkollave të atij qyteti.
Duke folur në kofidencë me dy drejtues shkollash në Elbasan, ata u shprehën me keqardhje se “një kontingjent nxënësish në shkolla duke nisur nga klasat e 8, 9, duke mos përjashtuar edhe prototipa edhe në shkollat e mesme, për “libra” kanë thikat, dorezat e boksit dhe mjete të tjera madje edhe armë, ndaj duhet të ndërhyjë me urgjencë policia, e cila duhet të ushtrojë kontrolle të befasishme në klasat që kanë elementë problematikë, ndryshe shpesh do të gjendemi përballë një situate të rënduar, edhe rregullorja e shkollave duhet të bëhet më radikale, të kemi mundësi të ndëshkojmë elementët huliganë, sepse po prishin pjesën e mirë të nxënësve”. 
Plagosje dhe vrasje me armë
Në Elbasan të mos harrojmë se në dy-tre vitet e kaluara ka pasur plagosje dhe vrasje me armë në ambientet shkollore, ku autorë kanë qenë pikërisht nxënësit e shkollave, ndërkohë që situata ka agravuar edhe më keq. Mjaft prindër shprehen të shqetësuar për “Telegraf” pasi sipas tyre “nuk ka ditë që fëmijët të mos vijnë nga shkolla dhe të mos na thonë për ngjarje të llahtarshme, për sherre me karrige, doreza boksi, thika, rripa, dhe deri për demonstrime me armë nga elementë rrugaçë të cilët drejtoritë e shkollave nuk arrijnë ti përjashtojnë sepse kanë urdhër”. Prindërit e nxënësve të shkollave 9- vjeçare , pas ngjarjeve së ndodhura dy ditë më parë nga e cila u plagosën rëndë një nxënës i klasës 8, dhe një i shkollës së mesme u shprehën se “po kemi frikë ti çojmë fëmijët në shkolla, si ka mundësi të arrijnë të futin thika dhe doreza boksi në klasa, ku janë kontrollet, ku janë rregullat dhe kujdesi ndaj nxënësve që vijnë për të mësuar, pse duhet që për 3-4 nxënës që nuk dëshirojnë të shkollohen , të digjen edhe fëmijët tanë, drejtuesit duhet të jenë më të rreptë dhe jo tu fërkojnë kokën”.
Ngjarjet kriminale të ditëve të fundit në disa shkolla të Elbasanit, treguan paaftësinë dhe pamundësinë e drejtuesve për të menaxhuar situatën, për të parandaluar ngjarje të tilla, shpesh duke mos krijuar kushte normale për mbarëvajtjen e orëve të mësimit apo aktiviteteve të tjera festive. Por më e keqja ndodh kur ngjarje të tilla mbahen sekret për median, duke u munduar të fshihen efektet e akteve të tilla rrugaçaske që kanë mbërthyer shkollat e Elbasanit, dhe që shpesh po shoqërohen edhe me pasoja për jetën e nxënësve protagonistë. Prindërit apelojnë për vendosjen e rregullit dhe disiplinës në shkollat e Elbasanit, apelojnë për ndëshkimin e çdo elementi të tillë që shfaq akte të tilla rrugaçeske në klasa dhe ambiente jashtëshkollore, pasi kjo vlen për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe sigurimin e jetës së fëmijëve të tyre. Nga ana e tyre ka drejtues shkollash që kërkojnë nga MAS “ashpërsimin e rregullores së brendshme të shkollave, si masë e parë parandaluese dhe ndëshkuese ndaj kujtdo elementi rrugaçesk, që tenton të krijojë trazira dhe të bëhet shkak për ngjarje të jashtëzakonshme, ndryshe nesër do të jetë vonë”. 
Sigal