Themelohet në Tiranë Dhoma Tregëtare Kinë-Shqipëri

679
Sigal

Dje u organizua ceremonia e themelimit të Dhomës Tregëtare Kinë- Shqipëri. Në këtë ceremoni morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, kryeministri Rama, kryetari i PD-së, Lulzim Basha,  ambasadori kinez në Shqipëri, zoti Ye Hao,  ish-presidentët Mojsiu dhe Mejdani, si edhe ministra e deputetë. Kryeministri Rama shprehu vullnetin e qeverisë “për të hapur të gjitha dyert e nevojshme të gjithë atyre që duan të vijnë të investojnë në Shqipëri”. Sipas Ramës, “Dhoma e Tregtisë Kinë-Shqipëri do të jetë një pikë takimi shumë e vlefshme për protagonistët e zhvillimit të vendit, dhe një pikë takimi mes investitorëve dhe qeverisë sonë për të bërë gjithçka kemi në dorë që rrugëtimi i tyre në Shqipëri të jetë sa më i lehtë dhe nga ky rrugëtim të përfitojnë qytetarët dhe ekonomia e këtij vendi.” Më tej Rama përshëndeti ambasadorin e Kinës në vendin tonë zotin Ye Hao për realizimin e këtij projekti. “Përshëndes ambasadorin e Kinës për ngulmimin e tij për realizimin e këtij projekti dhe përkushtimin dhe gatishmërinë që ai tregon për të fuqizuar marrëdhëniet tona. I uroj çdo të mirë të gjithë nismëtarëve dhe realizuesve të këtij projekti, i uroj sukses kësaj dhome tregtie të shumëpritur në mjedisin e ekonomisë shqiptare”- deklaroi Rama. Nga ana e tij ambasadori kinez zoti Ye Hao shprehu bindjen se Dhoma e Tregtisë do të shndërrohet në një urë lidhëse për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe për thithjen e sa më shumë investimeve në Shqipëri.