Testimi, mjekët në protestë: Beqaj ik! Je si gjenerali i ushtrisë së vdekur

    354
    Sigal

    Procesi i testimit të mjekëve dhe infermierëve nga Ministria e Shëndetësisë vazhdon të kundërshtohet me forcë nga bluzat e bardha të cilat vënë gishtin mbi gjendjen e rëndë spitalore ku atyre u duhet të punojnë çdo ditë. Mbi 8 mije mjekë e infermierë kanë firmosur një peticion, i cili i drejtohet krereve te shtetit për shfuqizimin e kësaj nisme, e cila për bluzat e bardha është antiligjore.
     
    Ditën e sotme bluzat e bardha kanë protestuar sërish në QSUT. Ata kanë bërë akuza të rënda ndaj ministrit të Shëndetësisë, ndërsa kanë kërkuar sërish dorëheqjen e tij. Duke e karahasuar me gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, një nga përfaqësuesit e mjekëve tha se ministri Ilir Beqaj ka vjedhur fondet publike.
     
    “Kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, është si gjenerali i ushtrisë së vdekur, ka një histori të kaluar me vjedhjet e fondeve publike. Nuk kemi asgjë personale me ministrin, po me politikën që po bën. Po na shet të gjithëve me koncesion, edhe ajrin po na i jep me koncesion. Janë koncesione klienteliste, jemi në bashkëpunim me privation, por jo duke ia dhënë për 24 orë”, deklaroi një nga mjekët e QSUT-së.  

    Mjeket gjithashtu kanë kërkuar që Ministria e Shëndetësisë t’u përgjigjet me medikamente, të përmirësojë infrastukturën spitalore dhe të rishikojë sistemin e tyre të pagave. “Kërkojmë kushte, aparate mjekësore apo dorrëza, jo të dezifektojmë duart me sapunë 15 leksh. Kërkojmë kushte në operacione, jo salla me myk”, deklaroi mjeku.