Testimi i 3.900 mësuesve, rezultatet dalin në janar

    363
    Ditën e djeshme u mbyll testimi i 3.920 mësuesve që kanë aplikuar për një vend pune në arsimin parauniversitar. Në një prej qendrave të testimit në Tiranë, në gjimnazin “Petro Nini”, ishte dhe ministrja Lindita Nikolla, e cila tha se çdo punësim në arsim do të bëhet nëpërmjet këtij portali. “Nuk ka më mësues që punësohen në arsim për shkak të korrupsionit, por ka mësues që punësohen vetëm përmes meritës dhe një cilësie të re nga portali ‘Mësues për Shqipërinë’. Përfitoj nga rasti t’u uroj suksese 3.900 mësuesve që po përfshihen në këtë testim”, – u shpreh ministrja Nikolla.

    Procesi i korrigjimit të testeve do të fillojë menjëherë fillim e javës që vjen, ndërkohë që rezultatet përfundimtare do të publikohen krah çdo ID-je të kandidatëve në portalin “Mësues për Shqipërinë”, në ditët e para të muajit janar. Renditja përfundimtare për çdo profil/lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë”. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit/lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në institucionet arsimore në prezencë të komisionit të ngritur pranë Drejtorive/Zyrave Arsimore Rajonale.
    Sigal