Test droge për deputetët dhe krybashkiakët

1973
Sigal

Forum: Test droge për të zgjedhurit e popullit. por edhe për funksionarët e lartë shtetërorë dhe kushtetues

Kuvendi i Shqipërisë javën që shkoi, miratoi një komision për dekriminalizimin e Kuvendit, ku do të marrë pjesë edhe opozita. Këkresa kryesore, madje ishte edhe shkaku kryesor i bojkotit të opozitës  ishte që Kuvendi të spastrohet nga elemnetët kriminalë që kanë depërtuar nëpëmjet listave të mbyllura të kryetarëve. Për këtë Komisioni parlametar për dekriminalizimin do të verifikojë të gjitha dëshmitë e penalitetit, dhe kritere të tjera që lidhen me pastërtitë e fiigurës së deputetit. Një nga kriteret dhe matës i pastërtisë së figurës morale të deputetit është edhe nëse deputeti, apo edhe zyrtarë të lartë të shtetit kanë përdorur apo më keq, përdorin ende lëndë narkotike, dhe a janë ende sot të vurur nga efekti i drogës. Ndaj, një nga kriteret përzgjedhëse që duhet të shtohet dhe të shqyrtojë Komisioni Parlametar për dekriminalizimin e Kuvendit, duhet të shtohet edhe testi për përdorimin ose jo të lëndëve narkotike. Kjo nuk është një risi. Madje, në SHBA, vetë kandidatët dhe presidentët e SHBA-së, Xhorxh Bush dhe Klinton, e kanë pranuar publikisht që kishin bërë në rininë e tyre përdorim të lëndëve narkotike të lehta. Po kështu edhe kryeministri i Kanadasë, ditë më parë pranoi që dikur ka provuar lëndë narkotike. Gjithashtu, Jorgos Papandreu, kur ishte kryeministër  i Greqisë, pranoi publikisht që në rininë e tij ka përdorur lëndë narkotike, hashash madje, Papandreu shprehu mendimin që hashashi të legalizohet për përdorim vetjak dhe të jetë i kontrolluar.

Politika jonë mbron grupet kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike

Problemi në Shqipëri nuk është sa e përdorin politikanët tanë lëndët narkotike, sesa shqetësimi që deri tani ata shpesh herë janë bërë mbrojtës të grupeve kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike. Madje, kemi vetëm rastet e fundit ku  fenomeni “Lazaratit”, apo laboratori i drogës në Elbasan, vështirë se mund të “lulëzojnë”, pa një mbrojtje politike. Kush është mbrojtësi politik, pak duhet të besojmë në akuza-ndërakuza të maxhorancë-opozitë, por fakti qëndron si problem.

Problematika e forumit të “Telegraf”

Gazeta “Telegraf”, duke marrë shkas nga protesta e djeshme e Aleancës Kuq e Zi, e cila kërkoi test droge për të 140 deputetët, problemin e shtroi për diskutim në forumin e saj, duke marrë mendim me juristë, ish-deputetë dhe analistë dhe shtroi 3 pyetje:

1. A duhet të deklarojnë vullnetarisht kandidatët për deputetë dhe zyrtarët më të lartë të shtetit, nëse kanë bërë përdorim të lëndëve narkotike, kur dhe çfarë?

2. A duhet që kandidatët për deputetë të bëjnë një test droge dhe ta paraqesin atë, sikurse kanë edhe dëshminë e penalitetit?

3. A duhet të jetë e sanksionuar në Kodin Zgjedhor, kushtëzimi i kryerjes të testit të drogës, sikurse ka edhe kritere të tjera për çdo kandidat?

 Sabit Brojka, ish ministër i Mbrojtjes,  Skëndër Gjinushi, ish kryetari i Parlamentit, Tritan Shehu, ish ministër i Shëndetësisë, Marko Bello, ish deputet,  Kristaq Kume, ish kryetari i KQZ-së, avokati  Zaçe Islami, analisti Afrim Krasniqi, avokat Saimir Vishaj, në forumin e gazetës “Telegraf:, në përgjigje të pyetjeve të mësipërme, shprehen, se edhe deputetët dhe kandidatët për në Parlament, dhe zyrtarët më të lartë të shtetit, duhet të dëshmojnë pastërtinë e tyre morale, dhe nuk kanë pse të tremben dhe të mos pohojnë të vërtetën e tyre. Rëndësi ka që të mos jenë ende në varësinë e lëndëve narkotike. I kundërt me këtë mendim është avokati Vishaj, i cili e cilëson këto ide si shkelje të dinjitetit dhe të të Drejtave të Njeriut dhe Privatësisë. Prof. Dr. Tritan Shehu shpreh se analizat e flokëve të çdo personi të interesuar, mund të dëftojë që në 10 vjetët e kaluar nëse ka përdorur lëndë narkotike dhe çfarë lënde narkotike. Ndërsa analisti Prof. Afrim Krasniqi problemin e ngre se duhet të ketë një Kod Moral dhe Etik, sesa të sanksionohet në Kod Zgjedhor, domosdoshmëria e bërjes të testit të drogës, sepse duhet të shtyhet kjo edhe në zyrtarët më të lartë të shtetit, dhe jo vetëm te deputetët.

Aleanca Kuq e Zi proteston në dyert e Kuvendit: “Test droge për qeveritarët dhe 140 deputetët”

Dhjetëra aktivistë të Aleancës Kuq e Zi bllokuan dje dyert e Kuvendit të Shqipërisë në promovimin e nismës tyre ligjore, “Test droge për qeveritarët dhe 140 deputetët”. Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi shpalosën 140 formularët që nesër çdo deputet duhet t’i plotësojë në fillimin e javës. Formularët ishin të shoqëruar me shiringa dhe çdo detaj procedural konform standardeve ndërkombëtare për ekzaminimin e llojit të drogave që mund të identifikohen në gjakun e zyrtarëve nëse ata janë përdorues të rregullt.

Kreshnik Spahiu: Detyrim për zyrtarët më të lartë, të bëjnë transparencë nëse janë përdorues të drogës

Gjatë tubimit, Kreshnik Spahiu, kreu i Aleancës Kuq e Zi deklaroi se: “Politika dhe shteti kanë detyrimin të bëjnë transparencë me publikun nëse funksionarët e lartë të shtetit janë përdorues të drogës apo jo. Ashtu si në SHBA, Britani, Hungari, etj., edhe Shqipëria ka nevojë që të testojë politikanët e saj. Vendi ynë, i cili është shndërruar në Kolumbi europiane në prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, duhet të filtrojë në radhë të parë qeveritarët dhe funksionarët e lartë. Është detyrim moral dhe duhet të jetë edhe ligjor që çdo zyrtar i lartë të mos jetë nën efektet e drogës kur merr një vendim me efekt publik tek njerëzit. Nëse sot ne konsiderohemi si vendi i parë i prodhimit të drogës, atëherë ne duhet ta dimë nëse zyrtarët tanë marrin drogë. Ne duhet ta dimë nëse ata marrin vendime në efektin e drogës për fatin e popullit. Ne duhet ta dimë nëse ata mbushin hundët me mall, se nën efektet e kokainës e drogës atyre po iu duket Shqipëria si pronë private, si malli i babait. Ne ftojmë të gjithë deputetë, të 140, por edhe ata të mëparshëm, ashtu siç kanë bërë të gjithë politikanët e vendeve të zhvilluara përfshirë edhe ata amerikanë, të deklarojnë nëse kanë konsumuar lëndë narkotike. Kur presidentët amerikanë dalin e thonë se kanë përdorur drogë edhe para 30 vjetëve, pse të mos e bëjnë këtë qeveritarët tanë?!”. Aleanca Kuq e Zi parashtron këtë iniciativë ligjore para Kuvendit si mundësi e vetme që amoraliteti mos mbisundojë në shtetin e së drejtës. Modeli juridik mundëson që nëpërmjet marrjes së flokut nga individët, mund të ekzaminohen 10 vitet e fundit të jetës nëse ai ka konsumuar apo jo drogë. Ministra, që u telefonojnë gazetave, apo televizioneve, pasi i kanë mbushur hundët me mall (kokainë) nuk mund të qeverisin Shqipërinë. Vendimmarrja e tyre politike nën kushtet e mbi dozës, për fatet e popullit shqiptar mund të jetë fatale. Populli shqiptar nuk mund të durojë këta narkomanë, që në fushata elektorale, hedhin lart të droguar për popullin dhe pas efektit të drogës na poshtërojnë”.  Aleanca Kuq e Zi depozitoi në zyrat e Kuvendit pr/ligjin “Test Droge për çdo qeveritar dhe 140 deputetët. Nuk mund të çoni dëm jetët e 4 milionë shqiptarëve. Dilni e thoni shqiptarëve se ju jeni të pastër dhe dekriminalizimi mund të fillojë me testin e drogës, që nesër”.- tha kryetari i Aleancës Kuq e  Zi, Kreshnik Spahiu.

Prof. Dr.Tritan Shehu, ish ministër i Shëndetësisë:  Analiza e fijes së flokëve dëshmon që në 10 vjetët e fundit se çfarë droge ke përdorur

Ligji as e ndalon dhe as e detyron që deputetëve t’u bëhet test, nëse janë apo jo përdorues të lëndëve narkotike. Nuk ka pengesa ligjore, çështja është nëse duan ta vendosin. Këto teste nuk ka nevojë të bëhen me gjak, bëhen edhe me urinën. Koha e dëshmisë të analizës së urinës është e shkurtër, vetëm për deri në 7 ditë mund të dëftojë nëse ka përdorur lëndë narkotike. Analiza e gjakut shkon deri në 3 muaj, koha që ka përdorur lëndë narkotike. Ndërsa analiza me fijen e flokut, dëshmon  në mbi 10 vjet më përpara, nëse ka përdorur lëndë narkotike dhe çfarë lëndë narkotike. Pastaj, ka edhe analiza më të detajuara, të cilat janë më të ndërlikuara, sikurse analizat e marra nga qelizat e kockave, në inde, etj. Nëqoftësë dakordësojnë, mund të vetë deklarojnë të gjithë ata që duan të kandidojnë në çfarëdo posti zyrtar, e ca më tepër për deputetë, nëse janë apo kanë qenë përdorues të rregullt, ose sporadikë të drogave. Kështu, më pas mund të bëhen dhe ekzaminime mjekësore.

Prof. Dr. Sabit Brojka: Politikanët të kenë guxim të bëjnë analizën e drogës

Ata që përdorinlëndët narkotike të buta, i kanë edhe të fortat. Për të gjithë ata që ka akuza, gjithnjë duhet provuar me analiza, që nuk qëndron akuza. Dhe, ata që janë të pastër, duhet ta kenë guximin ta bëjnë analizën. Cilido veprim i paligjshëm, për cilido qytetar nuk mund të ndalohet për politikanin. Nëse për qytetarin lejohet, duhet të lejohet edhe për politikanin, patjetër! Metoda e analizës duhet të jetë shkencore, e pakundërshtueshme nga asnjë.

Prof. Dr. Skënder Gjinushi: Nuk kam mendim

 Këto janë muhabete kot. Janë pyetje kot, sepse këto gjëra duhet të vetëkuptohen. Nuk kam mendime për zgjidhje konkrete, siç i kërkoni ju.

Ish deputeti Marko Bello: Sikurse kërkohet dëshmia e penalitetit, të kërkohet edhe dëshmia e përdorimit të drogës

 Po, në favor të bërjes së testit nëse kanë përdorur ose jo lëndë narkotike jam edhe unë, për të gjithë deputetët, apo kandidatët për deputetë. Ligji nuk e ka të përcaktuar, por duhet të sanksionojë Kodi Zgjedhor, si detyrim për këdo që kandidon, qoftë edhe tani për Bashkitë. Sikurse kërkohet dëshmia e penalitetit në Kodin Zgjedhor, të kërkohet edhe kjo dëshmi nëse kandidatët kanë përdorur, apo përdorin, lëndë narkotike dhe çfarë lënde narkotike. Përderisa deputetët detyrohen të dëftojnë nëse kanë paguar apo jo faturën e energjisë elektrike, përse të mos dëshmojnë me analiza mjekësore që nuk kanë përdorur lëndë narkotike, apo ta deklarojnë paraprakisht me gojë këtë?!

Prof. Afrim Krasniqi, analist:Problem në Shqipëri është mbrojtja që politika u bën grupeve kriminale që merren me trafik narkotik.

Unë jam që kriter thelbësor për kandidimin për deputet të jetë në Kodin Zgjedhor detyrimi që çdo kandidat të bëjë publike burimet e financimit, pasurinë, si dhe të kërkohet pajisja me certifikatë pastërtie nga inspektorati i deklarimit të pasurisë si dhe një njësi speciale antikorrupsion. Më shumë se gjendja shëndetësore e politikanëve, problem për ne vijon të jetë niveli i lartë i korrupsionit të tyre. Lidhur me idenë e kontrollit mjekësor për politikanët: çdo zyrtar i mesëm dhe nëpunës publik, për shembull, pedagogët në universitete, janë të detyruar çdo vit të pajisen me librezë shëndetësore pas analizave dhe kontrollit mjekësor të bërë nga specialistët përkatës në spitale ose ambulanca. E njëjta mund te vlejë edhe për politikanët e lartë, ata që marrin poste të larta zyrtare, por gjithsesi jo me ligj, me vullnet personal. Lidhur me testin e quajtur, të përdorimit të lëndëve narkotike, unë mendoj e besoj se nëse ka një problem në Shqipëri nuk është përdorimi i lëndëve narkotike nga politikanët, sesa mbrojtja që politika u bën grupeve kriminale që merren me trafik narkotik. Kodi Zgjedhor nuk mund të përfshijë dispozita të tilla direkte ose indirekte, por nëse ka presion publik dhe nëse vlerësohet se është e rëndësishme, atëherë partitë mund të bien dakord për një kod moral dhe etik, sipas të cilit secila parti i kërkon kandidatëve të saj të bëjnë publike çdo varësi ose përvojë të tyre të mëparshme me përdorimin personal të drogave të ndryshme, nëse ka pasur raste të tilla.

 Saimir Vishaj, avokat: Ide e çmendur, shkelen të drejtat e privatësia e Njeriut

 Kush është ai që të pohojë që ka përdorur drogë, edhe kur ka përdorur? Për mua është një ide e papërgjegjshme, fare. Edhe Obama ka përdorur ndonjë cigare hashash, është problem i madh? Nuk mund të cenosh të drejtën e Njeriut, se çfarë ka bërë ai. Ne tani themi se çfarë është. Një përdorues mjafton që të mos ketë varësi nga droga. Nëse e ka hedhur ndonjë politikan këtë ide, mund të jetë i çmendur. Çdo deklaratë që mund t’i kërkosh kujtdo që të bëjë analizë nëse ka përdorur ose jo lëndë narkotike cenon dinjitetin dhe privatësinë e tjetrit kjo. Mua më duket anomali, dhe kjo ide është e çmendur fare. Vetëm në Shqipëri ndodhin këto budallallëqe. Është budallallëk të kërkosh nga deputeti deklarata të tilla, ka përdorur ose jo drogë. Mund të fyesh këdo t’i kërkosh deklarata të tilla. Kjo shkel të drejtën e privatësisë të Njeriut.

Zaçe Islami, avokat: Testi duhet për të dëshmuar pastërtinë e përfaqësuesve të popullit

Nga momenti që dikush vë kandidaturën për të përfaqësuar qytetarët dhe popullin, është i detyruar, e ka detyrim moral, shoqëror, ligjor jo, se (gabimisht) nuk është sanksionuar në ligj, që të paraqesë me dokument mjekësor edhe gjendjen e tij shëndetësore, sepse në rastin konkret, kur bëhet fjalë nëse është përdorues i lëndëve narkotike, kemi të bëjmë më një njeri, që bashkë me dëmtimin shëndetësor të vetvetes, kryen edhe një vepër kriminale të dënueshme nga ligji, çka do të thotë që një njeri që përdor lëndë narkotike patjetër dhe detyrimisht, është i përzier dhe i futur në krim. Kjo lidhet drejtpërdrejt me figurën e tij dhe me pastërtinë e tij morale e qytetare. Kemi të bëjmë me një kërkesë themelore, që përfaqësuesi i popullit në Parlament detyrimisht duhet të jetë figurë e pastër. Ky detyrim duhet të sanksionohet me ligj, sepse moralisht nuk e detyron dot askënd që të vetëdeklarohet dhe mbetet në nderin e tyre që të vetëdeklarohen. Deklarimi ose detyrimi për t’u deklaruar dhe provuar me analiza nëse je i pastër nga përdorimi i lëndëve narkotike nuk ka të bëjë me cenim të të drejtave të Njeriut, sepse ka të bëjë me pastërtinë morale të përfaqësuesit të popullit. Nga momenti që dikush vë kandidaturën të përfaqësojë popullin në Parlament, e ka detyrim moral të deklarohet dhe të provojë që nuk është përdorues i lëndëve narkotike. Gruaja, jo vetëm duhet të tregojë që është e bukur, por edhe duhet ta provojë që është e bukur.

Kristaq Kume, ish kryetari i KQZ-së: Testi për të gjithë të zgjedhurit, deputetë dhe kryetarë  bashkie

Po të ishte për veten time, unë do të shkoja vetë e do ta bëja menjëherë. Për mua, ai që kërkon të përfaqësojë të tjerët, duhet që të mos stepet ndaj asnjë gjëje, asnjë lloj kontrolli, nëse do që të bësh punë për të tjerët më shumë. Nëse ty, që më përfaqëson mua, do që të dalësh “lakuriq”, i pastër, nuk duhet të ketë asnjë problem që të bëjë çfarëdo analize për të dëshmuar pastërtinë e tij shëndetësore ndaj përdorimit të lëndëve narkotike. Për ta bërë normë ligjore këtë, para se të mendosh këtë, duhet të bësh një vlerësim lidhur me faktin që ky problem është deri në këtë nivel në shoqërinë tonë, që kërkon një masë të tillë? Gjendja aktuale në Shqipëri, a e justifikon një masë të tillë? Tek kushdo që e dëgjon sjell një presion jo pozitiv, sidomos për shoqërinë tonë. Nuk do sillte vlera, më shumë se sa do të krijonte perceptime jo të mira në shoqërinë tonë, nëse do të vihet si kusht, si normë ligjore kjo analizë e pastërtisë nga lëndët narkotike. Ka të tjera probleme që ne do të donim  të pastrohen njerëzit që do të na përfaqësojnë. Për mua, duhet që cilido kandidat, para se të fillojë kandidimin,  përpara se të marrin një post zyrtar, të bëjë një deklarim të pasurive të tij dhe të dëshmojë edhe sesi i ka arritur të bëjë këtë pasuri. Dhe jo e kundërta, që pasi ke marrë postin, t’i nënshtrohesh deklarimit të pasurisë. Ky do të ishte më mirë kusht, për të gjithë, qoftë për kandidatët për deputetë, qoftë për kryetarë të bashkisë, apo për Këshillin Bashkiak.

Ja se çfarë parashikon Kodi Zgjedhor për kandidatët për deputetë

Neni 63

2. Subjekt zgjedhor mund të jetë edhe një shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili propozohet si kandidat për deputet apo për organet e qeverisjes vendore nga një grup zgjedhësish, sipas përcaktimeve të bëra në këtë Kod.

3. Kandidat është shtetasi që plotëson kushtet e parashikuara në nenet 45 dhe 69 të Kushtetutës dhe që regjistrohet si kandidat për deputet në KQZ ose si kandidat për kryetar bashkie apo komune ose për këshillat vendorë në KZAZ.

Neni 72

1. Dokumentet e kandidimit duhet të jenë në përputhje me kërkesat e këtij Kodi dhe sipas formës së përcaktuar në udhëzimet e KQZ-së.

2. Dokumentet e kandidimit duhet të përmbajnë këto të dhëna:

a) listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i partisë, ose propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish;

b) emrin, atësinë, mbiemrin datëlindjen, gjininë, adresën e kandidatit dhe një kopje të dokumentit të identifikimit;

c) deklarimin e kandidatit se gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar, në të cilin përfshihet, sipas rastit, deklarimi i dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të këtij Kodi, shoqëruar me kopjen e deklaratës së dorëheqjes, të depozituar pranë institucionit përkatës;

ç) deklarimin e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se nuk do të mbështetet apo nuk do të mbështesë asnjë subjekt zgjedhor në zgjedhje;

Jakup B, GJOÇA