Tërhiqet “fshesa” malazeze. Punëtorët sezonalë lejohen përtej kufirit

484
Pas marrëveshjes së arritur ndërmjet palës shqiptare dhe asaj malazeze, mbi lejimin e kalimit të punëtorëve sezonalë, dhjetëra persona, kryesisht nga fshatrat pranë doganës, kalojnë kufirin për të punuar në Mal të Zi.
Martin Bërthamzaj nga fshati Oblik i Shkodrës është njëri prej tyre. Ai prej vitesh udhëton me biçikletën e tij drejt fshatrave shqiptare në territorin malazez pranë kufirit, duke bërë punë nga më të ndryshmet kryesisht në bujqësi. Me këtë punë, ai mban 8 pjesëtarët e familjes.
“Ka disa vite që shkojmë e vijmë. Na shërbejnë shumë mirë, na presin shumë mirë. Jemi shumë të kënaqur. Punojmë në punë krahu, apo çfarë të kenë nevojë, në bujqësi apo kudo. Jemi 8 vetë në familje që jetojmë me këtë pagë. Punë tjetër s’ka”, tha Martin Bërthamzaj.
Por duke parë interesin e medieve mbi të, pala malazeze u keqkuptua dhe nuk e lejoi që të kalonte kufirin.
“Po, na kthyen. Më kërkuan 200 euro që të më lejonin, unë 200 euro nuk i kam në shtëpi. Ku t’i gjej 200 euro? Po ashtu kthyen edhe një tjetër, i cili kishte vetëm 100 euro”, tha më tej Martin Bërthamzaj.
Por pas ndërhyrjes së Policisë Kufitare shqiptare dhe sqarimit të situatës, Martini u lejua të kalonte kufirin, por rasti i tij tregon se marrëveshja e arritur mes palëve mbetet ende e brishtë, gjë që nënkupton se ata mund t’iu ndalojnë kalimin edhe të tjerëve në të njëjtën formë.
Sigal