“Tërbohet” Soros: Trump, i etur të krijojë një “shtet mafia”

631
Miliarderi Xhorxh Soros, i kritikuar në disa vende të botës për ndërhyrjet në politikën e brendshme, u vendos publikisht kundër presidentit amerikan, Donald Trump, me një fjalim të ashpër. Xhorxh Soros e përdori fjalimin e tij në Davos për të lëshuar një sulm ndaj presidentit Trump dhe për të nënvizuar se shefi i Shtëpisë së Bardhë po i vendos Shtetet e Bashkuara në rrugën e një lufte bërthamore. Miliarderi, i cili njihet për lidhjet e tij të forta me Partinë Demokratike në SHBA, u shpreh gjatë Forumit Ekonomik se administrata e Trumpit përbën një rrezik për botën dhe mbijetesa e të gjithë civilizimit ishte në rrezik. Soros, i cili renditet në vendin e 20-të në botë për pasurinë mes shtetasve amerikanë, u shpreh se megjithatë ai mbetej optimist për ndryshimin e situatës, edhe përpara vitit 2020, kur presidenti amerikan do të mbyllë mandatin e tij të parë. “Unë e konsideroj administratën Trump një rrezik për botën, por unë e shikoj atë qartësisht si një fenomen të përkohshëm që do të zhduket në vitin 2020 apo edhe më herët”, u shpreh Soros gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër. Miliarderi 87-vjeçar tha se marrëdhëniet mes SHBA dhe Koresë së Veriut janë përkeqësuar prej mbërritjes së Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Soros tha se presidenti amerikan ishte i etur për të krijuar një “shtet mafia”, që shtyp të drejtat e individit, por nuk është i aftë ta bëjë këtë për shkak të Kushtetutës amerikane dhe “një shoqërie civile vibruese”. Miliarderi, i cili ka bërë donacione të shumta për fushatën e pasuksesshme të Hillari Klintonit, tha se do të angazhohej për të rindërtuar funksionimin e sistemit dypartiak në SHBA. Xhorxh Soros njihet edhe për lidhjet e forta me politikën shqiptare. Së fundmi, djali i tij, Aleks Soros, vizitoi Tiranën, ndërsa vetë miliarderi u takua në shtator 2017 me kryeministrin Rama, gjatë vizitës së tij në Nju-Jork. Ndërkohë, ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar Sorosin si pjesë të një mafieje të rrezikshme për Shqipërinë. Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se me ndihmën e Sorosit tentoi të merrte nën kontroll sistemin e drejtësisë, nëpërmjet reformës së propozuar dy vjet më parë.
Sigal