Tenderi i barnave, firma që u pajis nga ministri Beqja me leje importi, mori 4 milion dollarë

    954
    Sigal

    Shpallen fituesit e tenderit të barnave. Ja kush janë fituesit e loteve të përjashtuara nga tenderi me dokumentacion të rregullt

    Katër milion dollarë është shuma që ka fituar nga tenderi për barnat kompania “DeltaPharma” sh.p.k.. Kjo kompani  ka fituar tenderin në të shumtën e loteve dhe ajo çka le vend për diskutim është se origjina e këtyre barnave është Turqia. Favorizimi klientelist me qëllim për t’u hequr biznesin atyre që janë të ligjshëm ka qenë një nga pikat e forta të diskutimit të firmave farmaceutike të cilët kundërshtuan hapur urdhëresën e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja për modifikimin e dokumenteve të tenderit për barnat. Specialistë të farmaceutikës kanë vënë në dispozicion të gazetës “Telegraf” rezultatet e tenderit të barnave, pikërisht për lotet ku Ministri Beqaj urdhëroi heqjen e autorizimit të prodhuesit dhe vërtetimin e regjistrimit të barit në Republikën e Shqipërisë, në shkelje të Ligjit 9323, datë 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar. Heqja e autorizimit të prodhuesit dhe e vërtetimit të regjistrimit të barnave, sipas përfaqësuesve të kompanive farmaceutike rrit mundësinë që biznese të ndryshme të sjellin barna të pakontrolluara (falsifikuara), që mund të jenë të pasigurta dhe mund t’i sjellë kushdo. Në këtë fazë, thonë specialistët merr tenderin ai që e sjell më lirë, mjafton leja e importit. Ndërkohë që sipas specialistëve, mbajtësi i autorizimit të prodhimit mban përgjegjësi për këtë bar të regjistruar, ku e kontrollon importin nëpërmjet zinxhirit të tij dhe jo për importe paralele për shkak të pasigurisë në zinxhirin e farmakovigjilencës për arsye të falsifikimit të mundshëm të tij.

    Firma që u pajis me leje importi nga ministri

    Edhe kompania “DeltaPharma” sh.p.k. rezulton të ketë marrë leje importi dhe jo vetëm për barna të paregjistruara, por dhe për barna të regjistruara dhe kjo përbën shkelje flagrante të Ligjit të Barnave (i cili është në fuqi dhe mbi të gjithë VKM-të apo urdhrat e njërit ministër apo tjetrit, pasi ligji prevalon mbi gjithçka). Dhe Ligji për Barnat, Neni 11, “Qarkullimi i barnave” shprehet qartë për këtë: “1. Barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruara, me përjashtim të barnave të përgatitura në farmaci, sipas recetës së mjekut dhe formularit farmaceutik. 2. Për përballimin e gjendjeve emergjente (katastrofa natyrore, epidemi) ose në raste nevojash të shërbimit shëndetësor (alternativa të vetme barnash për mjekim ambulator dhe spitalor), Ministri i Shëndetësisë autorizon importimin e barnave të paregjistruara, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”. Madje këtë e konfirmon dhe VKM nr. 24, datë 22.1.2014. “Për përcaktimin e rregullave për lëshimin e autorizimit të Ministrit të Shëndetësisë për importimin e barnave të paregjistruar”.

    Gjithashtu mësohet se “DeltaPharma” sh.p.k. është pajisur me leje importi para se të shpallej fitues i tenderit, gjë që të bën të mendosh se ky është një nga fituesit e paracaktuar të ministrit Beqja.

    Turqia, origjina e barnave

    Ajo çka është përfolur shumë nga përfaqësuesit e kompanisë farmaceutike është origjina e barit dhe frika se mos kjo origjinë përputhet me Turqinë, e cila ka një famë jo të mirë përsa i përket fabrikimit të barnave të falsifikuara. Po ti referohemi ligjit shqiptar të barnave aty përcaktohet saktë gjeografia e barnave që duhet të qarkullojnë në vendin tonë, në pikën 2 të nenit 13 të ligjit Nr 9323, datë 25.11.2004 ku thuhet: “QKKB pranon për regjistrim: a) barnat e prodhuara në vendin tonë, si dhe barnat e regjistruara dhe që qarkullojnë në njërin nga vendet e Bashkimit Evropian, Zvicër, SHBA. Kanada, Japoni, Australi; b) barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit, vetëm kur janë të regjistruara dhe qarkullojnë në vendin e tyre prej jo më pak se vjetësh”.

    Rezultatet e tenderit

    Kështu në tenderat e zhvilluara në datë 11/04/2014 ora 10:00 “Blerje barna gjaku dhe organet formuese të gjakut, sistemi muskulo-skeletik, sistemi nervor si dhe sistemi respirator për nevoja spitalore ndarë në lote” (B3- 1 bar/1 lot) me fond limit total 187 337 799 lekë pa TVSH; si dhe në “Blerje barna antineoplastike dhe imunomodulatore, anti-infektivë të përgjithshëm, antiparazitare, gjaku dhe organet formuese të gjakut si dhe sistemi kardiovaskular për nevoja spitalore ndarë në lote” (B2-1 bar/1 lot) me fond limit total 197 614 160 lekë pa TVSH; të zhvilluara në datë 08/04/2014 ora 10:00; duket se firma “DeltaPharma” sh.p.k shpallet fituese në të shumtën e loteve. Kjo firmë çuditërisht ka rezultuar fituese në lotet me vlerë më të madhe monetare dhe ka dalë fituese me një vlerë prej 357,188,004 lekësh. Ndërkohë që kryesisht origjina e barnave që kjo firmë do të sjellë është nga Turqia, me emër prodhuesi “Kocak” dhe “Bilim Ilac”. Pa paragjykuar këto prodhues barnash kujtojmë se importi i barnave nga Turqia nuk parashikohet në legjislacionin shqiptar për barnat.

    Paradoksi

    Duke vërejtur rezultatet e tenderit has dhe çudira, të cilat të bëjnë të mendosh më në detaj. Kështu në tenderin me objekt “Blerje barna gjaku dhe organet formuese të gjakut, sistemi muskulo-skeletik, sistemi nervor si dhe sistemi respirator për nevoja spitalore ndarë në lote” në lotin 1, ku bëhet fjalë për barin enoxaparinum sodium (princimi aktiv) me dozë 4001UI-0,4ml, prefilled syringe me sasi prej 70,177 dhe fond limit 36,536,629 vihet re se 2 firma farmaceutike Deltapharma dhe Intermed, të cilat kanë dhënë çmime të ndryshme edhe pse bëhet fjalë për të njëjtin prodhues në Turqi “Kocak”. Kështu në këtë lot kualifikohet Intermed pasi ka dhënë një vlerë më të ulët prej 27,369,030 lekësh, krahasuar me Deltapharma që ka dhënë vlerën prej 30,246,278 lekësh. Si ka mundësi që nga e njëjti prodhues të paraqiten çmime të ndryshme, veçse nëse ekziston një suport reciprok i firmave farmaceutike shqiptare. Shikoni, sa shpejt e kanë kuptuar lojën e Beqjes kompanitë turke që i ka shumë për zemër! Dhe lojërat në kurriz të taksapaguesve shqiptarë nuk besoj se mbarojnë këtu…

    Kush është kompania “DeltaPharma” sh.p.k.

    “DeltaPharma” sh.p.k. me Nipt K62202046U është regjistruar në QKR në datë 27/04/2006 me përfaqësues ligjor Eduard Curraj. Ajo çka të bie në sy në ekstraktin historik të QKR-së është se kjo firmë nuk ka pasur si objekt të sajin vetëm barnat mjekësore deri në  3.     09/11/2007  kur objekt i saj u bë vetëm “Tregti me shumicë dhe pakicë të artikujve farmaceutike” dhe sërish pastaj më 18/08/2011 riregjistrohet sërish me objektin e regjistrimit. Kështu në momentin e regjistrimit të saj dhe aktualisht, shoqëria ka për objekt kryerjen e çdo veprimtarie të lejuar nga ligji dhe/ose pjesëmarrjen në çdo veprim apo aktivitet të ligjshëm që mund të kryejë një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e krijuar në bazë të legjislacionit shqiptar. Distributor dhe shpërndarës i barnave dhe medikamenteve mjekësore. Import eksport, tregti me shumicë dhe pakicë të barnave dhe medikamenteve mjekësore, barnave popullore, pajisjeve dhe aparaturave mjekësore, mjeteve dhe materialeve ndihmëse mjekësore. Import eksport, tregtim me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm kozmetike. Import eksport, tregtim me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm industriale, elektroshtëpiake, elektrike e elektronike, pajisjeve informatike, artikuj kinkalerie, bizhuteri, suvenire, artikuj mobilerie, prodhim dhe tregtim artikuj duralumini, pajisjeve të kondicionimit dhe ajrimit e aksesorëve të tyre. Import eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të materialeve të ndërtimit, pjesëve të këmbimit për automjete, tregtim me pakicë të karburanteve dhe vajra lubrifikante. Agjenci imobiliare për ndërmjetësimin e dhënies me qira dhe shitjes së pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme. Agjenci turistike, udhëtimi, shitje bileta të transportit ajror, detar, hekurudhor dhe tokësor. Shumë interesant historiku!

    “DeltaPharma” sh.p.k. i falen gjobat

    Gazeta “Telegraf” zbuloi se emri i i firmës në fjalë është në listën e gjatë të bizneseve të cilët përfitojnë nga amnistia “elektorale” që i bëri qeveria “Rama” 4069 gjobave të vendosura ndaj biznesit në periudhën 1 mars deri në 31 gusht 2013. Falja e dënimeve administrative në formën e gjobave ka qenë një premtim elektoral i maxhorancës së sotme.