Televizioni Publik Shqiptar tenton shpalljen e Korçës republikë të ortodoksëve

    456
    KORÇË- Televizioni Publik Shqiptar, studioja e tij në qarkun e Korçës, konkretisht drejtuesit e televizionit “Korça”, që prej shumë kohësh e kanë shndërruar këtë institucion mediatik në mjet propagande me qëllim përçarjen e banorëve të rajonit, të Korçës, diskriminimin e komuniteteve fetare dhe nxitjen e urrejtjes mes palëve. Efektet e kësaj propagande ndihen veçanërisht në qytetin e Korçës, pasi sinjali i këtij televizioni tashmë nuk shkon më larg se kaq. Nga gjithë ajo sa kemi konstatuar, kuptohet qartësisht se drejtuesit e këtij televizioni kanë si qëllim shpalljen e Korçës si “republikë të ortodoksëve” duke diskriminuar kështu komunitetet e tjera fetare që jetojnë në këtë qytet dhe veçanërisht komunitetin mysliman, i cili përbën gjysmën e qytetit ose edhe më shumë se kaq. Çfarë ndodh konkretisht në këtë filial të Televizionit Publik Shqiptar? Në një nga studiot e saj, ku jepen lajmet apo prezantohen intervista, gjithkujt i bie në sy fakti se për dekor kjo studio ka katedralen e qytetit të Korçës, “Ngjallja e Krishtit”, a thua se televizioni “Korça” është televizion i Kishës Ortodokse. Sigurisht një gjë e tillë vijon prej kohësh dhe ne e kemi denoncuar atë kohë më parë, duke menduar se dekori pas këtij denoncimi ishte hequr, por mëngjesin e së mërkurës, Tv “Korça” në një lidhje të drejtpërdrejtë me Televizionin Shqiptar u prezantua përsëri me dekorin kishtar. Madje jo vetëm kaq: Gjatë gjithë kohës u mbajt më shumë në plan të parë “Ngjallja e Krishtit” se sa gazetarja që fliste për vendet turistike te Korçës.
    Korça është e ortodoksëve!
    E gjitha kjo çfarë ndodh në televizionin e Korçës ka vetëm një qëllim: dëshiron t’u tregojë të gjithëve se Korça është vetëm e ortodoksëve, pa pyetur aspak për komunitetet e tjera që jetojnë në këtë qytet, pa menduar nëse një propagandë e tillë shkon në të mirë të qytetit ose jo, pa u kujdesur për armiqësitë që mund të lindin dhe pa u treguar aspak të përgjegjshëm, nëse një gjë e tillë është e ligjshme apo e dënueshme. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një turp që nuk i shkon për shtat Korçës. Në këto rrethana pyetja që lind është kjo: Përse Televizioni Publik Shqiptar, filiali i saj në Korçë, nuk vendos për dekor Xhaminë e madhe të Korçës? Ajo u ndërtua nga Iljaz bej Mirahori, nga njeriu që hodhi themelet e qytetit të Korçës, që i dha jetë, bukuri, lavdi dhe famë. Xhamia është 500-vjeçare dhe ka moshën e qytetit. Veç kësaj Xhamia e mirahorit është dhe monument kulture i kategorisë së parë. Madje ishte vizioni i Mirahorit-arkitekt, ai që e bëri Korçën të quhej “ Paris i Vogël”. Ndoshta ju drejtuesit e Radiotelevizionit “Korça” nuk e dini këtë gjë? Ju ndoshta besoni se Korça u quajt “Paris i Vogël” që nga koha e ardhjes së francezëve? Ndoshta ju mendoni se u quajt kështu për shkak të liceut francez. Ndoshta ju mund ta mbështesni argumentin tuaj edhe në mbroçkulla te tjera, por e vërteta nuk është kështu. Korçën e gjejmë të përmendur si “ Paris i Vogël” që nga koha e perandorisë osmane.
    Korça është e myslimanëve!
    Kjo propagandë e fëlliqur e televizionit “Korça” a nuk mund të nxisë të tjerë njerëz të dalin me teorinë se “Korça është e myslimanëve”, sepse edhe shkëlqimin e vërtetë të saj e pati gjatë shekujve që u administrua nga themeluesi i saj Mirahori, dhe nga pasardhësit e tij mytevelinjtë? Edhe emrin “Paris i Vogël”, Korça e mori që nga vizita e Edit Durhamit në Korçë, në vitin 1904, (Por kjo temë meriton trajtim të plotë një herë tjetër). Edit Durhami mbeti e befasuar nga rrugët e drejta dhe të pastra, por ajo nuk pa rrugicat e sotme të lagjeve “Varosh”, sepse “Varoshi” kishte vetëm pak kohë që kish nisur të konturohej. Durhami vështroi me ëndje, kënaqësi dhe kureshtje rrugët e drejta të pazarit që gjenden brenda ansamblit të “Kasabasë”, (Korçës së vjetër). Ndaj në librin e saj “Brengat e Ballkanit” do të shkruante: “Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta, të shtruara mirë, pa qenër e plehra nëpër këmbë…”. Edhe sot e kësaj dite pazari ruan po ato rrugë të drejta dhe të bukura që e ndajnë pazarin në kuadrate të rregullta e kënddrejta. Ndaj pse mos vendoset Xhamia e Madhe për dekor në Radiotelevizionin publik shqiptar, në filialin e tij?! Por, zgjidhja nuk do të ishte kjo. Shqiptarët jetojnë në një shtet laik. Në institucionet e tij nuk mund të propagandohen besimet fetare dhe aq më keq propaganda përçarëse. Në raste të tilla shteti dhe organet kompetente të zbatimit të ligjit bëjnë mirë të mos heshtin.
    Qëllimi i RTSH-së
    Cili është qëllimi i Radiotelevizionit Publik Shqiptar? Nuk është e vështirë ta themi këtë gjë, sepse e gjejmë krejtësisht të përcaktuar në nenin 66 të Ligjit “Për radiotelevizionin publik dhe privat”. Ja, çfarë thuhet në këtë nen: “Si një transmetues i përkushtuar ndaj idealeve më të larta të transmetimit të shërbimit publik kombëtar, RTSH-ja realizon shërbime cilësore radioje dhe televizioni për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer kombit, të gjitha grupeve të shoqërisë, përfshirë dhe pakicat kombëtare”. Madje jo vetëm kaq: më tej, po në këtë nen, thuhet: “RTSH-ja zotohet për një mbulim të paanshëm të lajmeve të vendit dhe të atyre ndërkombëtare. RTSH-ja realizon programe, të cilat duhet të pasqyrojnë te dëgjuesit dhe shikuesit e të gjitha moshave larminë e jetës shqiptare. RTSH-ja përgatit programe cilësore e me vlera për pasurimin e botës mendore dhe shpirtërore të njerëzve”. Gjithçka e shkruar duket e bukur, por në këtë rast, ku qëndron “përkushtimi ndaj idealeve më të larta të transmetimit”, ku gjen zbatim shprehja: “duke i shërbyer kombit, të gjitha grupeve të shoqërisë”, ku mishërohet “paanshmëria”?! Këtë e di vetëm Televizioni Publik Shqiptar, studioja e tij në Korçë.
    Absurditeti
    Megjithatë, mbetet e vështirë të kuptohen arsyet e vërteta, përse stafi drejtues i televizionit publik në qarkun e Korçës përpiqet të favorizojë një prej besimeve dhe të diskriminojë komunitetet e tjera fetare dhe për më keq akoma të sjellë përçarje mes dy besimeve më të mëdha të vendit. Në nenin 5 të ligjit për mediat thuhet shprehimisht: “Punësimi, ngritja në detyrë, si dhe të drejtat dhe detyrat e punonjësve të radiove dhe televizioneve publike dhe private nuk përcaktohen nga seksi, origjina, pikëpamjet politike, besimi fetar apo anëtarësia në sindikata”. Pra, sipas ligjit, punonjësit e televizionit të Korçës nuk janë përzgjedhur për arsye të pikëpamjeve fetare, as nga kisha dhe as nga xhamia, atëherë, përse, befas, rreshtohen hapur si racistë kundrejt besimeve të tjera? Ndërkaq në nenin 36 mes të tjerash thuhet: “Programet radiotelevizive publike dhe private respektojnë dinjitetin, diversitetin fetar shqiptar”. Neni 38: “Në radio dhe televizion nuk lejohet të jepen programe që nxisin dhunën, urrejtjen kombëtare, fetare e raciale, veprime antikushtetuese, ndarjen territoriale, diskriminimin për shkak të bindjeve politike dhe përkatësisë fetare”. Neni 41: “Lajmet dhe informacionet, që transmetohen nga operatorët radiotelevizivë në edicionet informative, i paraqesin faktet dhe ngjarjet në mënyrë të drejtë e të paanshme, nxisin formimin e lirë të mendimeve dhe nuk i shërbejnë në mënyrë të njëanshme interesave të asnjë partie apo organizate politike, grupimi ekonomik dhe komuniteti a shoqate fetare. Nenin 55: “Nuk lejohet të transmetohen në radio dhe televizion: reklamat që ushtrojnë ndikim në përmbajtjen e programeve, reklamat e tërthorta, reklamat fetare ose ateiste”. Por kjo që po bën televizioni i Korçës, a nuk bie në kundërshtim të hapur me ligjin? Sigurisht, përgjigjen e jep krejtësisht të qartë sërish ligji. Le të presim e të shohim, nëse ligji do të gjejë zbatim apo do të lejojë nxitjen e urrejtjes ndërfetare.
    Sigal