“Telegraf” zbulon kërkesën e PD: Do veton në Komisionin e reformës për drejtësinë

503
Sigal

PD-ja ka kërkuar zyrtarisht, nga Kuvendi ndryshimin e Komisionit të Reformës në Drejtësi. Grupi demokrat, ka dorëzuar të hënën e 26 janarit 2015 një kërkesë, ku nga kryeparlamentari kërkohet që t’i jepet bashkë drejtimi i komisionit, dhe e drejta e vetos, duke u siguruar në këtë mënyrë konsensusi. Komisioni i Posaçëm të ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë. Në përbërje të tij do të ketë 12 anëtarë, nga të cilët, 6 janë përfaqësues të pozitës dhe 6 përfaqësues të opozitës. Emrat e anëtarëve të tij përcaktohen me vendim të Kuvendit. Komisioni i Posaçëm do të kryesohet nga dy bashkëkryetarë, 1 nga pozita, PS dhe 1 nga opozita, PD”. Parashikimet aktuale të përbërjes dhe funksioni i Komisionit, Sipas Demokratëve minojnë që në nisje mundësinë e bashkëpunimit, ndaj ata theksojnë se me këto ndryshime mbledhjet e komisionit janë të vlefshme, vetëm kur thirren dhe janë të pranishëm të dy bashkëkryetarët, ndërkohë që kjo synon dhe arritjen e konsensusit për të gjitha propozimet e marra. “Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme, kur thirren dhe janë të pranishëm të dy bashkëkryetarët, dhe në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Vendimmarrja e komisionit do të synojë të arrijë konsensusin për të gjitha propozimet e marra. Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve dhe vetëm kur pro tyre kanë votuar në unanimitet të dy bashkëkryetarët e Komisionit”, thuhet në shkresë. Kjo kërkesë është vendosur si kusht nga demokratet, për t’iu bashkuar komisionit të ngritur me iniciativë të maxhorancës. “Menjëherë, sapo Kuvendi të miratojë projektvendimin bashkëlidhur, opozita parlamentare do të paraqesë përfaqësuesit e saj në këtë Komision, duke mundësuar funksionimin me përbërje të plotë të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë”. Aktualisht, komisioni është, konstituauar me 11 anëtarë, ku 5 ka opozita dhe 6 mazhorancë përfshirë dhe kryetarin Fatmir Xhafaj. Deri tani ky komsion ka zhvilluar dy mbledhje, ku deputetet e opozitës kanë munguar. Më herët, si kusht, demokratët listuan dhe zhbërjen e disa ligjeve të miratuara pa konsensus, që kanë lidhje me paketën e drejtësisë.