Tekstet shkollore, më shumë tituj edhe për arsimin profesional

    495
    Sigal

    Intervistë/ Flet Jovan Kristiqi, këshilltar i MASH: Gati tekstet shkollore për vitin e ri shkollor 2013-2014}

    Tekstet shkollore janë gati për vitin e ri shkollor 2013-2014. Tekstet tashmë janë në procesin e shtypjes. Këtë e ka konfirmuar në një intervistë për gazetën “Telegraf” Jovan Kristiqi, këshilltar i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Gjithashtu në këtë intervistë z.Kristiqi tregon për mënyrën e përzgjedhjes së tekstit si dhe për rimbursimi e teksteve shkollore dhe kategoritë që e përfitojnë atë.

    Si po shkon procesi me tekstin shkollor për vitin e ri 2013-2014?

    Shkolla fillon në 2-javorin e parë të muajit shtator. Tani ne jemi në muajin qershor dhe i kemi gati të gjitha tekstet shkollore për të filluar mbarë vitin e ri shkollor. Është shpallur katalogu i teksteve shkollore. Sigurisht në këtë katalog janë të gjitha alternativat që do të përdorin shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Procesi i përzgjedhjes së teksteve nga mësuesit ka përfunduar që në muajin prill. Të gjitha shtëpitë botuese e kanë marrë porosinë e këtyre teksteve. Ato tani janë në procesin e shtypjes së teksteve dhe në hartimin e nënshkrimit të kontratave me Ministrinë e Arsimit. Në muajin korrik dhe gusht do të fillojnë shpërndarjen e teksteve në rrethet përkatëse dhe dy javë përpara fillimit të vitit të ri shkollor 2013-2014 fillon dhe shitja e teksteve shkollore. Shitja e teksteve shkollore do të bëhet ose në shkollë ose në librarinë pranë shkollës, për shkak të daljes edhe të ligjit të arsimit parauniversitar që e lejon këtë. Ne këto dy vjetët e fundit kemi zbatuar një praktikë që ka qenë jashtë mase e mirë, që shitja bëhej vetën në shkolla. Ndërsa veçanti e këtij viti shkollor do të jetë që sipas shtëpisë botuese të bëhet ose në librari ose në shkolla.

    A kemi  ndonjë tekst që deri tani na mungon?

    Në arsimin 9-vjeçar dhe në arsimin e mesëm ne i kemi të gjitha tekstet shkollore. Gjithashtu ka filluar puna dhe plotësimi për tekstet e arsimit profesional që i kanë munguar një kohë të gjatë, shkollës sonë. Mbi 10-20 vjet kanë qenë shkollat profesionale pa tekste, duke filluar nga viti i kaluar dolën rreth 20 tituj të teksteve të arsimit profesional. Këtë  vit do ta shtojmë akoma më tepër këtë numër. Duhet sqaruar që këtu është një gamë shumë e madhe titujsh. Të gjithë këto tituj janë me tirazhe të vogla, kështu që çmimi i tyre del jashtëzakonisht i lartë, por ne kemi krijuar, pikërisht për të hartuar këto tekste, shtëpinë botuese shtetërore që administron botimin, shtypjen dhe shpërndarjen e këtyre teksteve dhe njëkohësisht dhe të teksteve të minoritetit grek dhe maqedonas. Kështu që, fillimi i vitit të ri shkollor, për sa i përket teksteve shkollore është në rrugë të mbarë dhe jam i sigurt që i gjithë ky proces do të kurorëzohet me sukses, në mënyrë, që ditën e parë të fillimit të shkollës, nxënësit t’i kenë marrë të gjitha tekstet e nevojshme për të filluar mbarë vitin shkollor.

    Si bëhet përzgjedhja e librit shkollor?

    Përzgjedhja e librit shkollor një herë bëhet nga mësuesit, domethënë zot i përzgjedhjes së tekstit shkollor është mësuesi  i shkollës. Kjo zgjidhet në bazë të komisionit, për shembull komisioni i matematikës përbëhet nga mësuesit e matematikës së shkollës, ato mblidhen dhe pasi kanë lexuar të gjitha alternativat e katalogut të teksteve shkollore, (ky katalog botohet vetëm nga Ministria e Arsimit, është dhe në faqe zyrtare të MASH, pra është transparent) bëjnë dhe përzgjedhjen e tekstit. Ky proces bëhet gjithmonë në muajin prill dhe mësuesit kanë një kohë të mjaftueshme dhe të gjatë që nga fillimi i muajit prill, deri në përzgjedhjen që bëhen fiks në të gjithë republikën në datat 29-30 prill. Ato përzgjidhen me anë të një votimi. Kushtet dhe procedurat e kësaj përzgjedhjeje janë të sqaruara shumë mirë në paketën “Altertekst” të atij viti dhe kjo është transparente. Kështu që të gjitha fjalët që mund të thuhen, jo korrupsion në përzgjedhje e të tjera, janë fjalë boshe, sepse proceduara është krejt transparente, është e afishuar aty dhe bëhet nga mësuesit. A, në rast se mësuesi nuk ka integritetin e caktuar, apo komandohet nga të tjerë ky është një problem tjetër. Nuk mund të manipulosh 37 000 mësues sa ka Shqipëria. Kështu që për sa i përket Ministrisë është komplet e pastër në këtë problem, domethënë është komplet në dorën e mësuesit të shkollës, as edhe të drejtorit, i cili ka vetëm të drejtën e futjes në komisionin ku ka lëndën e vet. Kjo është e gjithë procedura e përzgjedhjes për të cilën mund të përflitet për korrupsion, por realisht ne nuk kemi marrë këtu absolutisht asnjë ankesë që të akuzohet filan drejtor, apo filan drejtues i arsimit, le një herë që edhe po t’i futet kësaj pune, është një punë me rrezik, se aty ka dokumenta me firma, kështu që automatikisht kalon në shpërdorim posti, në falsifikim dokumenti etj.

    Po përzgjedhja e shtëpive botuese si bëhet?

    Jo, ne nuk përzgjedhim shtëpi botuese, ne vetëm shpallim titullin e tekstit që kërkon Ministria e Arsimit. Supozojmë me daljen e kurikulës së re të arsimit 9-vjeçar, vitin e ardhshëm ose në vitin 2015-2016 ne shpallim që kërkojmë librat e lëndëve, supozojmë matematikë 5, histori 5 etj, pra shpallet nga MASH, lihet një kohë e domosdoshme, madje kjo kohë në fillimet e “Altertekstit” ka qenë shumë e shkurtër, 2-3 muaj, gjë që solli edhe daljen e teksteve të dobëta në fillimet e veta. Ndërsa tani, kjo kohë është zgjatur, ne bëjmë shpalljen 10-15 muaj përpara. Kështu që shtëpitë botuese pastaj e marrin përsipër vetë riskun. Ata ngrenë ekipin realizues të tekstit dhe ne na sjellin produktin në datën e caktuar që është shpallur në paketën “Altertekst”. Me marrjen e këtij produkti, MASH ngre komisionet e vlerësimit të këtij teksti dhe ose e miraton tekstin, domethënë nëse ky është i vlefshëm për të hyrë në shkollë, sigurisht mbi bazën e një programi që është shpallur. Programi është unik në të gjithë Republikën e Shqipërisë, ndërsa tekstet mund të jenë të ndryshme, por të bazuar në këtë program. Sigurisht që mund të kenë metodika të ndryshme, se grupet e realizimit të autorëve janë të ndryshëm dhe bën shpalljen e miratimin e tekstit dhe futjen e tekstit në katalogët e teksteve shkollore. Pas këtij procesi, MASH vetëm monitoron shtëpitë botuese në lidhje me shpërndarjen, me shitjen dhe përzgjedhja, momenti tjetër delikat që mund të ketë gjurmë të ndërhyrjes, është problemi i përzgjedhjes që jua thashë pak më parë, që bëhet nga mësuesit mbi bazën e komisioneve lëndore.

    A pritet këtë vit ndonjë ndryshim në tekstet e librave shkollorë krahasimisht me vitin e kaluar?

    Ndryshime bëhen kur del programi i ri. Me daljen e programit të ri, të gjithë titujt dalin jashtë katalogut dhe fillon si të thuash, loja nga e para. Sigurisht Ministria e Arsimit i ka bërë gati kurikulat nga klasa e parë deri te e nënta dhe ka  ndryshime thelbësore në këto programe. Me futjen e këtyre programeve në zbatim dhe sipas ligjit të  arsimit parauniversitar që thotë se ato do të hyjnë në zbatim duke filluar nga viti 2015-2016, atëherë fillon hartimi i të gjithë teksteve të reja sipas procedurave të zakonshme që janë ndjekur deri tani. Por njëkohësisht nuk i është mbyllur dera, sepse ligji ri i arsimit parauniversitar e lejon këtë, i ka bërë një favorizim shumë të madh shtëpive botuese që ato mund të na propozojnë neve dhe tekste që i kanë të gatshme dhe ne do t’i shqyrtojmë këto tekste, duke filluar që nga viti i ardhshëm shkollor, domethënë 2014-2015.