Të rrezikshëm ata politikanë tanë që janë bërë trafikant nëpërmjet korrupsionit

497
Nard Ndoka, kryetari i PDK në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se Rama ka reflektuar pas kritikave që ai i ka bërë, ndërkohë që pohon se qeverisja ka çaluar dhe ka paralizuar shumë sektorë të ekonomisë. Zoti Ndoka thotë se për politikën tonë më të rrezikshëm janë ata politikanë që janë bërë trafikant nëpërmjet korrupsionit. Ndërsa një aleancë të mundshme PS-PD e quant ë rrezikshme për vendin, sepse nuk do ketë opozitë. 

-Zoti Ndoka, ju deri para zgjedhjeve të 21 qershorit keni qenë shumë kritik ndaj Ramës. Tani, që ju u ribashkuat në një aleancë me atë, ka reflektuar Rama ndaj kritikave tuaja, apo ju nuk kishit të drejtë?
– Kritikat e mia ndaj Ramës kanë qenë të drejta, të cilat vazhdoj t’i bëj akoma, sa herë vërej padrejtësi, apo probleme në qeverisje dhe në bashkëpunimin tonë institucional. Kur problemet bëhen publike, gjithkush detyrohet të ndryshojë, në këtë rast edhe Rama ka ndryshuar për mirë. 

– Zoti Milo, para pak ditësh e vlerësoi qeverisjen e Rilindjes si një garnizon ushtarak. Ju, a mendoni se qeverisja është në drejtimin e duhur?
– Qeverisja ka probleme në disa fusha jetësore dhe të prekshme për qytetarët. Tatimet dhe Doganat rezultuan me mjaft probleme dhe me mungesë eficense, çfarë ka dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit nga mungesa e të ardhurave të planifikuara. Pengimi i ndërtimeve, taksat e larta, infrastruktura rrugore, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pishëm, sistemi shëndetësor, sistemi arsimit, ambienti, bujqësia etj, të gjitha këta sektorë kanë çaluar, madje disa prej tyre deri në paralizë. Koalicioni PS-LSI nuk ka rezultaur eficent në tërësinë e vet, më shumë e kanë penguar njëra tjetrën këto dy parti, se sa kanë bashkëpunuar mes tyre për të mirëqeverisur.

– Vendi ka nevojë për një freskim të qeverisë, për zgjedhje të parakohshme, apo ministrat kishin nevojë për pushime?
– Qeveria ka nevojë të motivohet dhe të jetë konkrete në objektivat e veta, ministrat duhet të angazhohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në qeverisje. Ka nevojë për përmirësime të qenësishme në qeverisje, e cila të vijë përmes debatit dhe konsultave parlamentare. Zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një opsion, por kur ke një alternativë përballë më të mirë. Opozita është në një proces riorganizimi dhe vërehen shumë pengesa dhe paqartësi në organizimin e saj, opozita nuk është e gatshme akoma që të rikthehet, si një alternativë e besueshme për të qeverisur.

– Derisa edhe raporti i DASH përmendi që në parlamentin shqiptar ka trefikant deputet, a duhet të shpërndahet ky parlament dhe të bëhen zgjedhje të reja?
– Raporti është kritik dhe një alarm, që politika të pastrojë veten nga këto elemente kriminal që futen në politike. Prania e deputetëve trafikant, që tashmë dihen publikisht, përbën një problem për imazhin tonë si shtet dhe si parlament. Sipas gjykimit tim, më të rrezikshëm për vendin dhe institucionet janë ata politikanë që janë bërë “trafikantë” nëpërmjet korrupsionit në majat e pushtetit dhe po e përdorin pushtetin për t’u pasuruar dhe pasurinë për të blerë vullnetin e qytetarëve. Ky është fenomeni më i rrezikshëm, deputetët dhe drejtuesat e shtetit të korruptuar me të tashme kriminale, të cilët po i përdorin deputetët me të shkuar kriminale. Jemi futur në një spirale, që as vota e qytetarëve nuk po e zgjidh dot, sepse edhe kjo votë po blihet e deformohet. Ne po merremi me deputetët me të shkuar kriminale, që janë dënuar, mund të jenë penduar dhe reabilituar tashmë, të cilët kanë të drejtën e tyre kushtetuese të zgjidhen. Ne nuk po merremi me deputetët me të tashme kriminale, që vjedhin, ngrihen më lart dhe vazhdojnë të ecin më shpejt, ky është problemi real i bllokimit të sistemit tonë dhe institucioneve.

– Flitet shumë për mundësinë e një aleance të re politike midis PS dhe PD. A kanë një bazë reale, apo janë fantazi?
– Mendoj se janë fantazi verore, PD e PS kanë mundësi të bashkëpunojnë për të bërë shtet dhe jo për të ndarë pushtet. Mund të bashkëpunojnë për reforma të rëndësishme me impakt kombëtar dhe afatgjat, në zgjedhjen e Presidentit të Republikës, në reformimin e institucioneve, etj. PS dhe PD kanë nevojë të reformohen si forca progresiste europiane, të dyja kanë mbetur parti llogoresh tëafta vetëm për luftë, por jo për dialog dhe bashkëpunim.

– Nëse ndodh që PD dhe PS të bëjnë një kualicion qeverisës, mendoni se kjo i shërben progresit e zhvillimit të vendit, apo vetëm interesave të caktuara të individëve të veçantë?
– Bashkëpunimi mes dy poleve të kundërta krijon një qetësi artificiale për momentin, por shkakton një dëm të madh për sistemin, një qeverisje pa opozitë është e rrezikshme për vendin dhe qytetarët. Qeverisje të tilla ndodhin shumë rrallë, atëhere kur vendi është në prag të greminës, apo në kushte specifike.

– Zoti Ndoka, si ish ministër i Shëndetësisë, si i vlerësoni koncensionet e zotit Beqaj në Shëndetësi?
– Unë vazhdoj të mendoj se privatizimi i shërbimeve në sistemin e shëndetësisë është domosdoshmëri. Beqaj kishte premtuar të kundërtën në fakt, se ai në krye të shëndetësisë do menaxhonte sistemin dhe do mundësonte menaxhimin efikas nëpërmjet institucioneve shëndetësore, madje duke shkuar akoma më tej, që shëndetësia të jetë falas për pacientët shqiptar. Unë kam vërejtjet e mia për mënyrën e operimit, për mungesën e transparencës, për nxitimin në privatizim. Të gjitha këto shërbime që Beqaj po privatizon dhe jep me koncensione, janë përgatitur që në kohën që unë drejtoja shëndetësinë, por kostoja e tyre ishte e lartë për buxhetin, disa shërbime janë shumë delikate, disa të tjera dëmtonin konkurencën në sistem dhe kërkimet shkencore (laboratori e dializa. etj). Transplanti i veshkës për ato që vuajnë nga hemodializa është zgjidhja jetësore, privatizimi i shërbimit të dializës, do jetë një shërbim më cilësor, por ama pengon interferon në vazhdimësinë e transplantit të veshkës, që në fakt sot e kemi të bllokuar fare si shërbim shëndetësor. Mungesa e politikave menaxhuese, mungesa e konsultimit me specialistë të fushave, mungesa e debatit dhe transparencës, po e shpie Beqaj në rrugën e gabuar. I bëj thirrje Beqaj në mënyre publike, kujdes me koncensionet e privatizimet, kujdes me radhën e tyre, kujdes me transparencën, konsultohu shumë me specialistët e fushës përpara se të realizosh “ëndrrat e bukura” me koncensione! 

– Përse ju sulmuan juve personalisht, kur ju dhanë titullin “Akademik” në Itali?
– Unë kam marrë disa tituj nga institucione ndërkombëtare, por edhe këtu në Shqipëri, nuk kam investuar që ato të vijnë, më kanë vlerësuar dhe jam ndjerë shumë mirë kur më janë komunikuar. Jam “Akademik Nderi”, i shpallur më 11 Qershor 2013, nga Akademia Norman, në Itali. Jam shpallur përsëri “Akademik Efektiv Nderi”, më datë 16 Korrik 2015, nga Akademia Internacionale Konstadiniane e Shkencave Mjekësore, Juridike dhe Sociale e Italisë. Asnjë nga këto tituj dhe mirënjohje që më janë dhënë nuk ka kosto financiare, aq më tepër që dy prej tyre vijnë nga institucione ndërkombëtare. Nuk i konsideroj sulme, por xhelozi të njerëzve që nuk kanë arritur të bëjnë asgjë me forcat e tyre në jetë! 
– Faleminderit!
Sigal