Të persekutuarit, “patericë” e partive në pushtet

    438
    Sigal

    Forum/ Flasin Simon Mirakaj, Kurt Kola dhe Reshat Kripa për ndryshimin e varësisë së Institutit të të Persekutuarve

    Ardhja në pushtet e socialistëve, solli ndryshime, që preku dhe shtresën e ish të përndjekurve, të atyre që mbajtën mbi supe gjithë tmerret e komunizmit. Më shumë bujë bëri largimi nga pozicioni i Drejtorit të Institutit të të Përndjekurve, i sinonimit të kësaj shtrese, z. Simon Mirakaj dhe zëvendësimi i tij me z. Bedri Blloshmi. Ndryshimi i drejtuesit u pasua dhe me kalimin e Institutit nga Ministria e Drejtësisë në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ishte pikërisht ky ndryshim varësie, edhe pikënisja e një forumi, bërë nga “Telegraf” me emra të rëndësishëm në shtresën e ish të përndjekurve. Ish Drejtori i Institutit të të përndjekurve Simon Mirakaj shprehet se është problematik kalimi nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Mirëqenies Sociale për shkak të vonesave që shkaktoi te dëmshpërblimet mosfunksionimi i Sektorit të Dëmshpërblimit për shkak të nxjerrjes në listë pritjeje të punonjësve që merreshin me dëmshpërblimet si te MD ashtu dhe te MF. Ndërsa, kryetari i Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve, Kurt Kola shprehet për këtë problem se “në shoqërinë tonë të varfër, ku nuk respektohen të drejtat e njeriut, mundohen të manovrojnë me shtresat e ish të përndjekurve, të përfitojnë sa më shumë me një propagandë fallco”. Reshat Kripa, kryetar i Degës së Tiranës së “Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë” mendon se kjo zhvendosje është e kotë, sepse gjithsesi listat e dëmshpërblimit miratohen në Kryeministri.

     Simon Miraka: Kur ka vetëm një zë, ai është më i fuqishëm

     A mendoni se ish të përndjekurit po përdoren nga politika?

    Politika është ajo që drejton vendin, por të përndjekurit i kanë parë interesat e tyre me të djathtën. Unë mendoj që të përndjekurit nuk përdoren nga politika. Për mua, secili e gjen veten atje ku shkon.

     A ka ardhur momenti që të përndjekurit të bashkohen në një, pasi ndarja e tyre po përdoret për interesa personale dhe politike?

    Momenti jo vetëm që ka ardhur, por ka qenë gjithmonë. Do të ishte më mirë nëse do të kishte vetëm një shoqatë dhe kur problemet thuhen me një zë, ai është më i fuqishëm. Jemi në pluralizëm dhe justifikohet veprimi, pavarësisht se do të ishte më mirë që të ishte vetëm një shoqatë.

     Mendoni se varësia e Institutit të të Përndjekurve nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë bëhet për qëllime politike, se kush do të ketë monopolin e ish të persekutuarve?

    Sigurisht, që bëhet për qëllime politike. Në Ligjin për Dëmshpërblimet çdo gjë është e përcaktuar qartë. Dosjet shqyrtohen në Ministrinë e Drejtësisë. Në fushatë elektorale, PS krijoi një tryezë me ish të përndjekurit, ndoshta ky kalim bëhet se Ministria e Mirëqenies Sociale i përket Partisë Socialiste. Ndryshimi i varësisë shkakton probleme, se janë 25 mijë dosje në Ministrinë e Drejtësisë dhe punonjësit e Komisionit të dëmshpërblimeve në MD dhe në Sektorin e Dëmshpërblimeve në MF kanë dalë në listë pritje. Është caktuar deri tani drejtuesi i Sektorit të Dëmshpërblimit Eduard Ypi, por dhe ai ende s’ka filluar punë. Pra, këto dy sektorë që merreshin me dëmshpërblimet nuk ekzistojnë më dhe punonjësit të cilët ishin të specializuar dhe e njohin më mirë se kushdo problemin, kanë kaluar në listë pritje. Ndaj dhe nga qershori e deri më sot s’ ka dalë asnjë listë tjetër, vetëm për faktin e thjeshtë se Sektori i Dëmshpërblimit nuk funksionon.

     Si e shikoni ndarjen e dëmshpërblimeve në mënyrë të diferencuar?

    Mendoj se nuk mund të bëhen diferencime. Ka probleme, se në rast se të Majtët mendojnë për të dëmshpërblyer të sëmurët të moshuarit, 70 për gratë dhe 75 për burrat, ndërkohë që ka 50 vjeçarë të cilët jetojnë në kushte mizerabël, sepse nuk kanë një punë për mungesë shkollimi, gjithashtu të njëjtën gjë do të thoja dhe për trashëgimtarët, të cilët kanë vuajtur pasojat e personave që kanë pasur të burgosur. Mendimi im është, që më të moshuarit duke bërë përllogaritje të marrin një pension mujor. Numri nga 70 vjeç e lart është i konsiderueshëm, kështu që në këtë aspekt dhe fondi është i mangët, nuk mund t’i plotësojë dhe nuk përballohet. Ndërsa, ministri Veliaj, përpara se të ndërmarrë veprime duhet të marrë kontakt dhe me grupet e interesit, përfaqësuesit e shoqatave.

     Kurt Kola: Për çështje që na bashkojnë, ne s’kemi ndarje

     A mendoni se ish të përndjekurit po përdoren nga politika?

    Ka një realitet në këtë pyetje, por me të thënë të vërtetën jemi përdorur që në fillimet e demokracisë. Kjo, se ka qenë një naivitet e të burgosurve politik dhe në fillimet e demokracisë janë gënjyer me gjëra të vogla, pa ditur marrëveshjen e Katovicës. Në fillime u jepnin pozicione në rend, në polici dhe u përdorëm duke na dhënë  pozicionet e shefave të Komisariateve në të gjithë vendin. Jemi gënjyer dhe kjo po vazhdon dhe në ditët e sotme. Po vazhdon, se ka 20 vjet që kur u bë Ligji për Dëmshpërblimin dhe jemi ende në vend numëro me dëmshpërblimin. Po shkon një çerek shekulli, shumica e të burgosurve politikë kanë vdekur e po vdesin dhe nuk dihet nëse këta që kanë ngelë, do e gëzojnë dëmshpërblimin. Kjo është një tallje me vuajtjet e atyre që ishin kundër komunizmit, atyre që mbajtën në supe diktaturën. Qeveritarët e sotëm janë komunistët e djeshëm. Këtu u ndërrua pushteti me strategji të bërë më herët dhe e vënë në përdorim nga Ramiz Alia. Partia e Punës u nda në dy fraksione atë të PD-së dhe atë të PS-së dhe herë njëra e herë tjetra qeverisin vendin. Ne, që dolëm nga burgjet, në vend të organizoheshim e të bënim një parti të djathtë, formuam shoqata për të qenë patericë e partive që alternoheshin në pushtet.

     A ka ardhur momenti që të përndjekurit të bashkohen në një, pasi ndarja e tyre po përdoret për interesa personale dhe politike?

    Përgjigjen e kësaj pyetje do jua jap me fjalët e njerëzve të mëdhenj të Shqipërisë. Shqiptarët kanë tendencë të ndahen dhe jo të bashkohen. At Gjergj Fishta thotë: “Më parë mund të mbledh një grusht me pleshta, sesa të bëj bashkë 5 shqiptarë”. Ndarjen e shqiptarëve e ka vërtetuar koha. Brenda një partie ka një ideologji, një filozofi dhe prapë ndahen në fraksione. Kjo është më e vështirë te të burgosurit politik, se pavarësisht se kanë qenë të burgosur fizikisht, por mendimi ka qenë i lirë dhe atje e kemi pasur pluralizmin brenda (i përkasin bindjeve të ndryshme politike). Kjo gjë ka vazhduar dhe jashtë. Ne ishim pluralistë. Këtu ka luajtur rol edhe ideologjia komuniste, monopatia (PP), e cila u nda në PS dhe PD nuk i la të forcoheshin partitë e tjera. Pastaj, është dhe faktori ekonomik, të përndjekurit ishin shtresa më e varfër. Te të drejtat e njeriut shihet realizimi i të drejtave tona dhe jo te bashkimi. Për çështje që na bashkojnë, ne nuk kemi pasur ndarje.

     Mendoni se varësia e Institutit të të Përndjekurve nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë bëhet për qëllime politike, se kush do të ketë monopolin e ish të persekutuarve?

    Në shoqëritë e varfra, ku nuk respektohen të drejtat e njeriut, mundohen të manovrojnë me shtresat e ish të përndjekurve, të përfitojnë sa më shumë me një propagandë fallco. Nga Kryeministri është marrë angazhimi për shlyerjen e dëmshpërblimit të burgosurve politikë brenda mandatit 4 vjeçar. Në vitin e parë nëse i referohemi financave, mund të justifikohet fondi 80 milion për vitin 2014, kurse për të ndarë 400 e ca milion dollarë për dëmshpërblimin sipas llogarisë, qeveria “Rama” duhet që të vërë një fond për dëmshpërblimet prej 130 milion dollarësh në vit, që të kryhet dëmshpërblimi brenda 4 vjeçarit. Ky është angazhimi, të shohim se çdo ndodhë. Qeveria e mëparshme ka pasur mundësitë, por nuk ka pasur vullnet, duke mbajtur zvarrë të përndjekurit.

     Si e shikoni ndarjen e dëmshpërblimeve në mënyrë të diferencuar?

    Po të zbatohet do të ishte mirë, sepse nëse dëmshpërblimin nuk e merr njeriu që  ka vuajtur dënimin, do të ishte pa vlerë ta marrin të tjerët. Nëse qeveria është e interesuar që të dëmshpërblejë ish të përndjekurit, brenda 2 viteve të dëmshpërblejë një herë ata që janë gjallë duke filluar nga mosha më e lartë e deri tek i fundit që është gjallë. Pastaj në dy vitet e tjera të dëmshpërblejë trashëgimtarët.

    Reshat Kripa: Takimi i Veliaj me Blloshmin, një show politik

     A mendoni se ish të përndjekurit po përdoren nga politika?

    Deri në një farë mase po, sidomos qeveria e sotme. Takimi i Ministrit Veliaj me drejtorin e ri të Institutit  ishte një show politik. Deklaratat e tij ndryshojnë nga premtimet elektorale, që të gjithë ata që janë të gjallë do të marrin dëmshpërblimin me dy këste dhe brenda 4 viteve. Po përdorin disa individë, duke paraqitur si kryetar shoqatash një person që sapo ka dalë nga burgu për prostitucion. A e kanë pyetur nëse e ka vendimin e gjykatës si shoqatë? Pastaj, këto propozimet e fundit të Tufës, janë paraqitur që një vit e gjysmë më parë në Komisionin e Ekonomisë dhe pasi kaloi aty, për çudi nuk u paraqit kurrë në Parlament, ku janë dhe propozimi për të moshuarit, për Nenin e Terrorit etj. Pra, ky draft është bërë, s’e kuptoj se çfarë reklamon ky Tufa?

     A ka ardhur momenti që të përndjekurit të bashkohen në një, pasi ndarja e tyre po përdoret për interesa personale dhe politike?

    Ajo do të ishte shumë e mirë dhe e vështirë njëkohësisht, se të burgosurit politikë nuk kanë të njëjtat bindje politike. E vetmja gjë që i bashkon është antikomunizmi. E dyta, është që përfitojnë nga një pjesë, se komunizmi punoi shumë dhe ata që u thyen gjatë asaj kohe, përdoren dhe sot. Plus që shqiptarët duan të gjithë të jenë lider.

     Mendoni se varësia e Institutit të të Përndjekurve nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë bëhet për qëllime politike, se kush do të ketë monopolin e ish të persekutuarve?

    Ndoshta mund të jetë, por nuk mund të dish aleancat pas 4 viteve, por është një gjë që nuk ecën. Dokumentet kanë qenë te Ministria e Drejtësisë, zhvendosja do kohë, ndaj dëmshpërblimi do të zgjatet. Dokumentet kalojnë në Ministrinë e Financave dhe pastaj në Kryeministri, ndaj më duket veprim kot e gjithë kjo zhvendosje.

     Si e shikoni ndarjen e dëmshpërblimeve në mënyrë të diferencuar?

    Unë mendoj që fillimisht të shlyhen ata që janë gjallë. Në vitin 2010 kanë qenë 2400 veta të gjallë. Shifra sot duhet të jetë nën 2 mijë. Sipas llogarive, mesatarja e viteve të burgut është 8 vjet, ata që janë gjallë i kanë marrë 2 këste kështu që u ngelën dhe 6. Duke bërë një llogari të thjeshtë 2000 persona me  6 vite burgu për 2 mijë lekë në ditë, herë 365 ditë na del 8 760 000 000 lekë të reja. Kjo shifër mund të përballohet. Fondi këtë vit u pakësua, edhe pse gjithmonë ka pasur një trend rritës.